Vlerësohen për kontributin në fushën e artit e shkencës
Mes përfituesve, edhe emrat e regjisorëve Vera Grabocka e Vladimir Prifti
Emra të njohur të artit, kulturës, historisë e mjekësisë kanë njohur vlerësimin e punës së tyre shumëvjeçare nga qeveria shqiptare. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për “Dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror”, disa prej personaliteteve të artit, kulturës, historiografisë e shkencës shqiptare. Shumë syresh janë ende shumë aktivë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në fushat përkatëse, aq sa koha duket

sikur ka ndalur për ta dhe fjala “pension” duket shumë e largët. Ka mes tyre regjisorë të shquar si Vladimir Prifti, e cili numëron në karrierën e tij disa nga filmat më të mirë të kinematografisë shqiptare, ka piktorë, si Zef Shoshi, një nga portretistët më të mirë në vend, por edhe aktorë si Gulielm Radoja, që i ka dhënë kolorit galerisë së personazheve të kinemasë shqiptare, apo Zyliha Miloti që na ka zgjatur jetën me humorin e saj fin dhe që po aq mirë di të përcjellë edhe notat dramatike. Pension të posaçëm ka përfituar edhe dirigjenti Ermir Krantja, i cili një pjesë të karrierës së tij pas viteve ’90 e ka lëvruar jashtë

vendit me shumë sukses. Listës së 15 përfituesve nuk i mungon edhe emri i regjisores Vera Grabocka. Duke njohur energjinë e kësaj artisteje, e cila momentalisht jo vetëm që është aktive, por është në mes të një ndërmarrjeje gjigante siç është talent show “X Factor” në televizionin “Klan”, duket paksa e çuditshme që ajo të jetë në listën e “pensionistëve”, megjithatë ky vendim nuk është veçse një njohje e kontributit të saj në fushën e artit. Të tjerë emra që kanë përfituar nga vendimi i djeshëm janë Vllasova Musta, Pandeli Çina, Vasfi Baruti, Sherif Delvina, Koço Kosta, Tomorr Aliko, Lorenc Vorfi, Beqir Ajazi, Kiço Negovani. Ky vendim mbështetet në nenin 5 të ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në

Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Vendimi për pensionet e posaçme hyn në fuqi në muajin korrik 2012. Masa e pensionit që do të përfitojnë këto personalitete, është sa dyfishi i pensionit maksimal, por pa kaluar vlerën e 48 mijë lekëve. Kjo nuk është hera e parë që qeveria ndërmerr një iniciativë të tillë, duke u kujtuar herë pas here për atë brez artistësh e shkencëtarësh, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në fushat përkatëse.
© Panorama.alPërfituesit
Vllasova Musta
Pandeli Çina
Vasfi Baruti
Ermir Krantja
Zyliha Miloti
Vladimir Prifti
Sherif Delvina
Guiliem Radoja
Koço Kosta
Tomorr Aliko
Lorenc Vorfi
Beqir Ajazi
Kiço Negovani
Vera Grabocka
Zef Shoshi











