Qeveria e Shqipërisë vendosi dje t’i paguajë 1.9 milionë euro familjes Vrioni, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila, më 7 dhjetor 2010 e dënoi Shqipërinë me gjobën në fjalë.Gjoba është vendosur nga Gjykata e Strasburgut në dëm të Shqipërisë në shenjë ndëshkimi për uzurpimin e pronës në të cilën është ngritur godina e Ambasadës Italiane në Tiranë. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave, bazuar në nenin 100 të Kushtetutës, në nenin 46 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar nga Shqipëria me Ligjin Nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, vendosi të bëjë pagesën në fjalë për familjen Vrioni. Sipas pikës nr. 1 të vendimit, qeveria shqiptare vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7 dhjetor 2010, për çështjen nr. 35720/04 dhe nr. 42832/06, “Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në shumën 1 900 000 (një milion e nëntëqind mijë) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin, në masën 10 për qind të kësaj shume. Sipas vendimit të qeverisë, autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati përfundimtar për kryerjen e ekzekutimit është data 18.7.2011.
Zbatimi i vendimit
Qeveria bëri të ditur se efekti financiar i zbatimit të vendimit do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Sipas VKM-së që u miratua dje, shuma e gjobës depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të shtetasve Shahin Vrioni, Oliver Vrioni, Dario La Francesca dhe Gherardo La Francesca. Kjo shumë, sipas qeverisë, do të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës. Qeveria thekson më tej në vendim se pagimi i shumës së depozituar në favor të ankuesve: Shahin Vrioni, Oliver Vrioni, Dario La Francesca dhe Gherardo La Francesca, do të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Kompensimi është dhënë për pronën me sipërfaqe 1456 metra katrorë, që i përket trashëgimisë së familjes Vrioni. Prona ndodhet në territorin e Ambasadës Italiane ku ndonëse nuk është zënë me ndërtime, gjykatat shqiptare kanë vendosur të mos ua kthejnë pronarëve. Kjo pasi, sipas gjykatave, kthimi i pronës është i pamundur të kthehet fizikisht për shkak se kjo sipërfaqe është cilësuar si pjesë funksionale për Ambasadën e Italisë në Shqipëri.
Vrionët fituan edhe 450 mijë euro në Strasburg
TIRANE – Në një tjetër padi në Strasburg ndaj Shqipërisë, familja Vrioni ka marrë 450 mijë euro për një pronë të sekuestruar pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, “në Shqipërinë e paraluftës, i ati i paditësve zotëronte një vilë dhe tokën rreth saj me sipërfaqe 1377 metra katrorë, në Tiranë. Në vitin 1941, Banka e Napolit mori një hipotekë të vendosur mbi pronën, duke përfshirë copën e tokës dhe vilën si garanci për një hua që paditësi kishte marrë nga banka. Në vitin 1945, pronësia e bankës i kaloi shtetit, duke përfshirë edhe detyrimet e bankës ndërmjet të cilave edhe huaja e paditësit. Më 21 prill 1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e deklaroi të atin e paditësve (trashëgimtarëve të pronës), fajtor për vepra politike, duke e dënuar atë me shtatë vjet heqje lirie, si edhe urdhëroi konfiskimin e gjysmës së pasurisë së tij që ishte depozituar në formën e hipotekës. Konfiskimi u ekzekutua në bazë të një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të të Tiranë më 20 korrik 1948. Gjykata e Strasburgut, në vlerësimin e saj për të drejtat financiare të palës paditëse në çështjen “Vrioni e të tjerë kundër Shqipërisë”, ka theksuar se paditësit kërkuan 1 047 678 euro për dëmin financiar dhe 450 000 euro për dëmin jofinanciar. Përsa i përket kërkesës për dëmin financiar, paditësit paraqitën vlerësimin e pronës së tyre të bërë nga një ekspert, e cila përbëhet nga shtëpia me sipërfaqe 244,12 m2 dhe pjesa rrethuese e tokës me sipërfaqe 400 m2, vlera e përbashkët e së cilave është 800 000 euro.
Trualli ku ndodhet Ambasada Italiane u konfiskua në 1950
Gjykata e Strasburgut ka konstatuar se 84-vjeçari Shahin Vrioni, që jeton në Shqipëri dhe Gherardo La Francesca, 63 vjeç, Dario La Francesca, 59 vjeç, dhe Oliver Vrioni 35 vjeç, që jetojnë në Itali, duhet të përfitojnë dëmshpërblim pasi trualli i trashëguar prej tyre i është konfiskuar gjyshit të katër aplikantëve nga shteti komunist më 1950-n. Më 1 korrik 1991, Ambasada Italiane në Tiranë ka blerë dy ndërtesa në kufi me pronën e konfiskuar familjes Vrioni. Në lidhje me këtë është firmosur akti i shitblerjes në shumën 3.75 miliardë lireta italiane nga Ministria e Jashtme Shqiptare dhe Ambasada Italiane. Më pas këto para u përdorën nga qeveria shqiptare për të blerë ambasadën tonë në Romë. Në vitin 1993, me daljen e ligjit për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve, anëtarët e familjes Vrioni kërkuan kthimin e pronës. Më 1996-n dhe 1999-n, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka njohur dhe kthyer si të lira, ndër të tjera, edhe dy sipërfaqe trualli, gjithsej 1456 metra katrorë, që gjenden brenda territorit ku janë vendosur dy godinat në pronësi të Ambasadës Italiane. KKKP urdhëroi kompensimin në favor të familjes Vrioni të një sipërfaqeje prej 181 metrave katrorë, e cila ishte zënë nga ndërtime. Pas refuzimit të palës italiane me argumentin se kjo marrëdhënie duhej të zgjidhej me shtetin shqiptar, anëtarët e familjes Vrioni u janë drejtuar gjykatave shqiptare e më pas e çuan çështjen në Strasburg.
© Panorama.al











