TIRANE- Qeveria miratoi sot vendimin për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit Shqipëri-Itali, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Gjate mbledhjes se kabinetit, kryeministri Sali Berisha e konsideroi ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me Italinë të një rëndësie strategjike për tregun energjetik.
“Në projektin Shqipëria – superfuqi energjetike në rajon dhe në kuadrin e një zhvillimi shumëplanësh të vendit, linjat e interkonjeksionit me Italinë kanë një rëndësi parësore. Këto ditë, ne do të inaugurojmë linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi dhe në një hark kohor shumë të shkurtër fillon ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Prishtinën dhe më pas, me Shkupin”- tha Berisha.
Sipas tij, linjat e interkonjeksionit me Italinë kanë një rëndësi strategjike për Shqipërinë, pasi tregu italian është një nga tregjet energjetike më të fuqishme të Europës.
“Sidomos me referendumin e fundit, me të cilin u votua kundër përdorimit të energjisë nukleare si burim energjie, mbetet që të bëjmë gjithçka për të rritur prodhimet energjetike dhe eksportin e energjisë. Këto dy linja interkonjeksioni janë jashtëzakonisht të rëndësishme në perspektivën e shndërrimit të Shqipërisë superfuqi e vogël energjetike rajonale”- tha ai.
© Panorama.al











