Qeveria ndihmon financiarisht familjen e Liljana Arapit

Aug 24, 2011 | 19:18

Qeveria shqiptare në mbledhjen e sotme ka vendosur që t’i akordojë një shumë prej 300.000 lekësh, ndihmë financiare, familjes së 42- vjeçares Liljana Arapi, e cila u masakrua disa ditë më parë nga 84- vjeçari, Gaqo Dumka.

Në vendimin e qeverisë thuhet se “në buxhetin e vitit 2011, institucionit të prefektit të qarkut të Korçës t’i akordohet fondi financiar shtesë prej 300 000 (treqind mijë) lekësh, për dhënie ndihme financiare familjes së viktimës Liljana Albert Arapi, për mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore të viktimës.”

Sipas Këshillit të Ministrave kjo shumë do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Për të zbatuar vendimin, i cili hy në fuqi menjëherë, ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm dhe prefekti i qarkut të Korçës.

© Panorama.al

Te lidhura