Qeveria, ligj për transplantet, rastet kur mjekëve u hiqet licenca

Jun 10, 2011 | 10:37

Caktohen standardet për transplantin e organeve dhe indeve në vendin tonë. Projektligji ka mbërritur tashmë në Parlament dhe pritet të diskutohet këto ditë në komision. Në të janë përcaktuar veç të tjerash sanksionet që do të ndërmerren për të gjitha rastet kur transplanti nuk lejohet. Drafti sanksionon se në Shqipëri ndalohet transplanti i indeve, qelizave dhe organeve për përfitime financiare. Po kështu nuk lejohet transplanti i trurit apo manipulimi gjenetik i embrionit për qëllime transplantimi. “Heqja e indeve dhe organeve nuk mund të kryhet ndaj një personi të paaftë, pa marrë pëlqimin e tij,përveç rasteve të veçanta”, thuhet në nenin 6 të projektligjit. Sipas tij, ndalohet promovimi dhe reklamimi me qëllim kërkese apo oferte të organeve. Kryerja e veprimeve, në kundërshtim me atë çka është vendosur më sipër, do të sanksionohet me gjoba nga 500 mijë lekë deri në 1 milionë lekë ose me heqje të së drejtës së profesionit për 3 vjet. Po kështu, janë parashikuar edhe një sërë penalizimesh të tjera. “Kryerja e transplanteve të indeve dhe organeve pa marrjen e konsensusit  nga dhuruesi, dënohet me heqje të së drejtës së profesionit deri në tre vjet”, thuhet në projektligj. Në të përcaktohet se mosnjoftimi i efekteve të padëshiruara nga qendrat që kryejnë transplantimin, dënohet me 500 mijë lekë gjobë. “Kryerja e importit dhe eksportit të transplantove pa autorizimin e ministrit të Shëndetësisë, përbën vepër penale dhe dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal”, përcaktohet në draft. Sipas tij, me heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit për 3 vjet do të dënohet edhe shkelja e kushteve të konfidencialitetit që përcakton ligji.

500 mije leke
deri në 1 milion lekë ose heqje të së drejtës së profesionit për 3 vjet, janë disa nga penalizimet për shkelje të dispozitave ligjore të vendosura për transplantin e organeve

© Panorama.al

Te lidhura