Qeveria greke kërkon mbështetje nga populli për masat e kursimit

Jun 27, 2011 | 11:09

Ministri i ri grek i Financave, Evangelos Venizelos, ka kërkuar mirëkuptim nga grekët për valën e re të masave të kursimit, të cilat synojnë nxjerrjen e shtetit nga kriza e borxheve. Sipas Venizelos, “Masat janë në fakt të ashpra dhe të padrejta, por në të njëjtën kohë edhe të domosdoshme për të shmangur pamundësinë për të paguar”. Vetëm nëse paketa e masave të kursimit miratohet, Greqia do të përfitojë pagesa të tjera ndihme nga Bashkimi Europian dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sindikatat kanë bërë sërish thirrje për greva në mbarë vendin, të martën dhe të mërkurën, për të kundërshtuar masat e reja të kursimit. Ndërkohë, ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubël, ka vlerësuar se pasojat e krizës së borxhit në Greqi do të jenë të përballueshme edhe në rast se shteti grek falimenton. “Anëtarët e eurozonës janë duke marrë masa paraprake në rast se Parlamenti grek, ndryshe nga ç’pritet, do të votojë të mërkurën kundër paketës së kursimeve”, tha Shaubël për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. Edhe një herë ai u bëri thirrje politikanëve grekë që të mos e dështojnë draftin e kursimit, sepse, sipas tij, kjo do të rrezikonte stabilitetin e të gjithë eurozonës.

© Panorama.al

Te lidhura