Qeveria i frikësohet revolucioneve të ngjashme më ato të vendeve të Lindjes së Mesme. Të paktën kështu ndodh me politikbërësit e Ministrisë së Punës, të cilët shprehen se duhen marrë masa urgjente në punësimin e të rinjve. Deklarata e papritur që surprizoi të gjithë, u bë dy ditë më parë në prani të ndërkombëtarëve nga zv. ministri i Punës, Kastriot Sulka gjatë prezantimit të një projekti për punësimin e të rinjve. Në të shprehet frika se një revolucion i ngjashëm me atë të vendeve arabe mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Kjo, në një kohë kur krahasime të tilla duket se nuk janë fort me vend. “Nëse hedhim një vështrim në arenën politike botërore, fenomene të tilla si “Pranvera arabe” na e kanë bërë të qartë edhe një herë nevojën urgjente që politika t’i përgjigjet sfidës së punësimit të të rinjve, si një parakusht për çrrënjosjen e varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin”, tha Sulka gjatë prezantimit të plan-aksionit 3-vjeçar në mbështetje të punësimit të të rinjve. Prej tij pritet të përfitojnë 65 000 të rinj dhe të reja gjatë tre viteve të ardhshme. Ndërkohë, dje, Ministri i Punës, Spiro Ksera, firmosi me homologun e tij Maurizio Saçoni memorandumin dypalësh të mirëkuptimit për zbatimin e Marrëveshjes për Migracionin e Punës. Ai do të mundësojë lehtësimin e procedurave të përzgjedhjes, rekrutimit dhe integrimit të shtetasve shqiptarë në tregun italian të punës. Në shtator do të çelet në Tiranë Zyra e Koordinimit, e cila do të mundësojë ofrimin e kërkesë-ofertës edhe me tregun italian të punës. Ky memorandum çel një rrugë legale për menaxhimin e fluksit migrator, pasi bën efiçente dhe transparente ofertën dhe kërkesën në tregun e punës mes Shqipërisë dhe Italisë.











