Shkup, Ivanov i dorëzon mandatin Gruevskit

Jun 28, 2011 | 16:10

SHKUP- Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i dorëzoi sot mandatin për konstituimin e qeverisë së re, Nikolla Gruevskit, lider i VMRO-DPMNE-së, parti e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi më shumë vende deputetësh, njofton e përditshjma informative Koha.

Pas marrjes së mandatit, Gruevski ka 20 ditë që të dorëzojë përbërjen dhe programin e qeverisë së re në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, në afat prej tri ditësh nga dita e pranimit të njoftimit nga presidenti i shtetit, i njofton deputetët për kandidatin për kryetar të qeverisë.

Propozimi për konstituimin e qeverisë dorëzohet në formë të shkruar. Seanca për zgjedhjen e qeverisë mbahet në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të propozimit për konstituimin e qeverisë dhe programit. Pas programit të mandatarit dhe propozimin për konstituimin e qeverisë, Kuvendi mban seancë të vetme, e cila zgjat më së shumti dy ditë.

Votimi për zgjedhjen e Qeverisë bëhet me propozimin për konstituimin e Qeverisë në tërësi, me votim publik. Votimi bëhet pas përfundimit të seancës, më së voni në mesnatë. Kuvendi e zgjedh Qeverinë me shumicë votash.

Nikolla Gruevski, i cili është kryeministri i gjashtë nga pavarësia e Maqedonisë, për herën e tretë fiton mundësinë që të formojë qeveri pasi VMRO-DPMNE fitoi në zgjedhjet në vitin 2011, 2008 dhe 2006.

Në seancën e parë konstitutive që u mbajt të shtunën, Kuvendi njëzëri i verifikoi  mandatet e 123 deputetëve të rinj në dhomën ligjvënëse, ndërsa Trajko Veljanoski sërish u zgjodh njeriu i parë i këtij institucioni.

 

© Panorama.al

Te lidhura