Gjatë muajve korrik dhe gusht pritet që të zhvillohen edhe dy ankande të tjera ku qeveria do të emetojë bono thesari 12-mujore me vlerë 30 milionë euro.
Kjo përkon edhe me kohën kur kthimi i emigrantëve është më i lartë për shkak të pushimeve dhe që mund të jetë një rast i mirë për ta për të përfituar nga ky lloj investimi. Ana pozitive e investimit në euro për qytetarët është edhe fakti që kjo monedhë është e mbrojtur nga ndryshimet në kursin e këmbimit apo nga goditjet që mund të jepen nga inflacioni në vend.
Fushata e Financave
Qeveria ka marrë përsipër t’i informojë më mirë qytetarët rreth përfitimeve që rrjedhin nga investimi në letra me vlerë. Ministria e Financave bëri me dije se një fushatë e plotë informimi do të shtrihet përgjatë muajve në vijim, duke përmbushur kështu njëkohësisht dhe një kërkesë të BE-së. Kjo duket se do t’i shërbejë më shumë diversifikimit të pjesëmarrësve në ankandet që zhvillohen në Bankën e Shqipërisë, ankande këto ku qeveria mbulon deficitin e buxhetit. Përgjithësisht pjesëmarrëse të rregullta në këto ankande janë bankat e nivelit të dytë, por edhe një numër qytetarësh, të cilët synohet që të jetë më i lartë pas rritjes së informimit të kësaj kategorie. Fushata informuese e qeverisë është parashikuar këtë verë për arsyen e thjeshtë pasi prek edhe një tjetër target, siç janë emigrantët. Fushata e Financave është parashikuar që të përfshijë një numër të kombinuar kanalesh komunikimi, duke filluar nga reklamat në televizion e deri te shpërndarja e fletëpalosjeve në pika kyçe, siç mund të jenë institucionet apo doganat në pikat kufitare.
Si blihen bono nga qytetarët
Huamarrja e brendshme e planifikuar nga qeveria në buxhet plotësohet nga emetimi i letrave me vlerë që mund të jenë bono thesari me afat të ndryshëm maturimi dhe obligacione. Kjo konsiderohet edhe forma më e sigurt e investimit, pasi qeveria kthen në çdo rast paratë që ka përfituar nga investitori, qoftë kjo bankë e nivelit të dytë, qoftë individ. Sipas një programi të miratuar fillimvit nga Financat, Banka e Shqipërisë zhvillon edhe ankandet ku çdo qytetar i interesuar që disponon 300 mijë lekë mund të marrë pjesë dhe t’i investojë këto para. Në kthim ai merr bono thesari. Përfitimi në këtë rast është që interesin e vlerës së investuar qytetari e përfiton menjëherë në dorë, ndërkohë që paratë e investuara qëndrojnë “mbyllura” deri në afatin e tyre të maturimit dhe më pas mund të tërhiqen. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët që interesin për investim në letra me vlerë e shfaqin pranë Bankës së Shqipërisë, por duke lënë detajet e një “llogarie bankare” ku ata kanë kursimet e tyre. Karakteristikë e këtij lloj investimi është fakti që është një investim me kosto të ulët, i lehtë si praktikë dhe mjaft i sigurt.
Treguesit fiskalë
Borxhi, qeveria e rriti 240% për 5-mujorin
Në 5-mujorin e parë të këtij viti qeveria tejkaloi planin e huamarrjes me 240 për qind. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se realizimi i ulët i të ardhurave ka bërë që planifikimi i fillimvitit “të rrëzohet” totalisht, duke ua lënë kështu të hapur rrugën shkurtimeve në buxhet. Nëse në plan ishte parashikuar që për 5-mujorin të merreshin borxh vetëm 56 milionë dollarë, aktualisht, sipas të dhënave, rezulton që të jenë marrë 134 milionë dollarë borxh më shumë se sa plani duke e çuar këtë nivel në 191 milionë dollarë gjithsej. Gjithçka duket se ka ecur në të kundërtën e asaj që qeveria parashikoi në fillmvit për vitin 2012. Kështu, në buxhet kishim një planifikim më të madh të të ardhurave, por që është provuar tashmë në 5 muaj me radhë që nuk do të mund të mbahet ritmi i parashikuar. Administrata doganore dhe ajo tatimore kanë mbledhur më pak të ardhura se sa pritej. Nga ana tjetër, qeveria, me gjithë lakimin e shpeshtë të “kursimit”, nuk ka mundur dot të frenojë shpenzimet e saj që janë tejkaluar me 47 milionë dollarë, krahasuar me planin. Shifrat tregojnë se vetëm për shpenzime operative mirëmbajtjeje janë shpenzuar rreth 30 milionë USD më shumë se sa ishin planifikuar dhe po kaq milionë më shumë janë shpenzuar edhe për zërin investime në buxhet. Mosrealizimi i të ardhurave sipas planit dhe nga ana tjetër shpenzimet më të mëdha, e kanë vënë qeverinë në një pozitë të vështirë, duke mbuluar kështu deficitin me huamarrje më të zgjeruar në tregun vendas.
NERTILA MAHO











