“Disa efektivë policie kanë zili famën time, jam i rrënuar psikologjikisht”
Për të fama e menjëhershme e fituar nga një “reality show” si “Big Brother”, nuk i ka sjellë aq përfitime sesa telashe. Qetësor Ferunaj i BB2 tregon se po kalon vërtet peripeci, për shkak të zilisë apo xhelozive ndaj një fituesi me famë, sipas tij. Gjykata e Vlorës vendosi për të masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” me akuzën e “vjedhjes” së disa tubave prej hekuri në pronësi të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, ndërkohë që vendimi që do ta cilësojë “fajtor” ose “i pafajshëm” pritet të shpallet të hënën. Pranon të japë këtë intervistë ku shpjegon gjithçka në lidhje me gjendjen e tij psikologjike pas tri ditëve që kaloi në paraburgim.
Ndërkohë që Prokuroria po shqyrton çështjen tënde, ka pasur komente të shumta në forume ku disa të konsiderojnë fajtor. Si i ke përjetuar këto komente?
Në një farë mënyre, ju më pyesni nëse jam fajtor, ose jo. Në fakt, me çfarë kuptova nga shkrimet e publikuara këtë periudhë në faqet e gazetave apo në forume të ndryshme në internet, vura re dhe disa tendenca personale në ato shkrime. Disa dëshironin që unë të isha fajtor, disa të tjerëve u vinte keq për përfshirjen time në këtë situatë, por kishte dhe nga ata që tregoheshin të logjikshëm dhe tolerantë, duke komentuar se çdo gjë mund të ndodhë në këto kohë të vështira që po jetojmë. Por pavarësisht të gjitha këtyre komenteve, i lënduari dhe i dëmtuari mbetem unë.
Çfarë doni të thoni me “i lënduari”, dhe “i dëmtuari”? Çfarë dëmi ju ka shkaktuar kjo histori?
E them këtë duke iu referuar tri ditëve që kalova në komisariat dhe që realisht ka qenë një rrënim deri diku psikik për mua. Kalova ditë shumë të vështira, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, vazhdoi stresi me publikime të ndryshme në faqet e gazetave, ku më bënte përshtypje mënyra se si interpretohej situata dhe komentet për emrin tim. Gjithçka që lexova dhe dëgjova, më bënë të më dukej vetja sikur “do digjesha në turrën e druve për një herezi”. Sinqerisht m’u duk e tepërt gjithçka.
Çfarë konsideroni të tepërt në gjithë këtë që ka ndodhur?
Unë nuk po kuptoj realisht se çfarë po ndodh. Ndalimi im në komisariat mendoj se ka lidhje me gjendjen emocionale të disa efektivëve të policisë, që duke marrë parasysh forcën magnetike që ka shkaktuar protesta e Dukatit për çështjen e pronave ku unë bëja pjesë, vazhdojnë të më kenë ende në shënjestër. Do doja t’u kujtoja këtyre policëve se protestat janë shenjë e demokracisë dhe shtypja e tyre cenon drejtpërdrejt demokracinë, që është në funksion të tyre. Tani që po e gjykoj me gjakftohtësi situatën që ka ndodhur me ndalimin tim në komisariat dhe etiketimin tim si “hajdut”, mendoj se bëhet fjalë për një përdorim mediatik të figurës sime, me lajmin e dalë nga policia. Dhe në këtë lojë fjalësh me deklarata policie dhe shkrime gazetash, të dyja palët dalin të palagura në këtë histori, ndërsa familja ime është ajo që ndihet e dhunuar.
Tashmë po hetohesh në gjendje të lirë, kur pritet të shpallet vendimi i Prokurorisë…
Prokuroria vazhdon hetimet, dhe ende nuk është mbyllur si çështje. Shpresoj që të hënën të shpallet vendimi, ku do të vendoset nëse unë jam fajtor ose jo.
Para ligjit stepen të gjithë, por pavarësisht vendimit që pritet nga Prokuroria ju e konsideroni veten të pafajshëm në këtë çështje?
Në mënyrë absolute nuk jam fajtor, por shoqëria vazhdon me përmbledhjen e pronave dhe pronësive mbi gjithçka. Por ka vende ku shteti nuk ka prona e nuk ka pronësi dhe në këto raste duhen respektuar pronarët që kanë në pronën e tyre këto pasuri. Ajo që më ka shqetësuar më shumë, është trysnia e opinionit se pse u ka interesuar këtyre njerëzve që unë të cilësohem “fajtor”. Pas kësaj ma ka vrarë shumë veshin fjala “hajdut”. Mendoj se disa efektivë të policisë më urrejnë edhe për shkak të famës që mora nga “Big Brother”, dhe që arrita të fitoja milionat si fitues. Mendoj se më shohin si personin që duan të më sfidojnë kur u jepet rasti, por urrejtja më e madhe, e ritheksoj, vjen për shkak të protestave të Dukatit.
Pse mendon se të urrejnë, si u sollën ata me ty në paraburgim?
E vërteta është se unë shkova në Komisiariat për të biseduar, ndërsa ata më hodhën prangat. Mendoj se mund të hetohesha në gjendje të lirë pa qenë e nevojshme që të kaloja tri ditë të tmerrshme në paraburgim. Madje, mund të them se efektivët e Policisë shfaqën shenja euforizmi në momentin që më ndaluan.
Fama për ty ka qenë favor apo disfavor?
Ndoshta ka shumë që e ëndërrojnë këtë lloj fame, por tashmë mua më është kthyer në kompleks, aq sa kam muaj të tërë që dal i maskuar me syze e kapele. Pas dy ndalimeve të mia të njëpasnjëshme e ndiej veten si një i persekutuar modern, peripeci që po i kaloj edhe për shkak të famës. Më parë, askush nuk merrej me mua, ndërsa tani ndiej xhelozinë e të tjerëve dhe dëshirën për të krijuar konflikt personal me mua. Në karakterin tim fama nuk ka ndryshuar asgjë. Unë vazhdoj të mos jem as tip mendjemadh dhe as ai që shfaq prepotencë, aq më tepër para ligjit.











