Qetësohet vala e dhunës në Britani

Aug 12, 2011 | 11:26

Policisë i është dhënë e drejta për t’u hequr maskat grabitësve që po shkaktojnë kaos në rrugët e Britanisë dhe do të merren masa për të mbyllur edhe median sociale. Kështu u shpreh dje në Parlament kryeministri britanik David Kameron, i cili fajëson rrjetet sociale se shërbejnë si portale organizimi mes bandave. Në një deklaratë pas një takimi emergjent mbi dhunën, Kameron sugjeroi se rrjetet si “Twitter” mund të mbyllen gjatë periudhave të trazirave, për të evituar koordinimin e keqbërësve. Ai premtoi se gjithkush që ka shkaktuar trazira do të shkojë në burg dhe se policia do të rrisë veprimtarinë e saj gjatë ditëve në vijim. Dje ishte një ditë më e qetë në qytetet angleze, pas dhunës së shkaktuar për katër ditë rresht, kur banda të shumta grabitësish shfrytëzuan protestat paqësore për vrasjen e një 29-vjeçari nga policia për të thyer vitrinat e dyqaneve, për të vjedhur e për t’u vënë flakën pallateve dhe bizneseve. Duke përmendur masat që do të merren në rrugët e qyteteve të dëmtuara nga trazirat, Kameron u zotua se të gjitha viktimat e dhunës dhe shkatërrimit do të kompensohen brenda gjashtë javësh. “Ne do t’ju ndihmojmë të riparoni dëmet, të rindërtoni e të vini në punë bizneset tuaja dhe do të mbështesim komunitetet tuaja”, tha Kameron. Kryeministri britanik vendosi edhe një fond prej 10 milionë paundësh për pastrimin e shesheve të qyteteve, të dëmtuara nga trazirat. Ndërsa policia ka kërkuar ndihmë për identifikimin e grabitësve të filmuar nga kamerat rrugore.

© Panorama.al

Te lidhura