Qeset plastike, ligj për t’i zëvëndësuar me qese letre

Aug 8, 2011 | 10:43

Bukë që tregtohet në qese kancerogjene e vaj i përdorur dhjetëra herë nëpër fast-foode që mund të na helmojë.Shumë prej nesh i japin fare pak rëndësi këtyre problemeve. Në fakt, prej tyre  shëndeti na kërcënohet frikshëm. Vetë autoritetet e kontrollit të ushqimit pranojnë se me të dyja këto produkte veprohet jashtë standardeve. Për bukën është kërkuar disa herë që qeset plastike të zëvendësohen nga ato të letrës, por për këtë duhet baza ligjore që detyron subjektet të ndryshojnë materialet e tregtimit. Burime nga Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit bëjnë me dije se është ngritur një grup pune që po përgatit draftin që do t’i propozohet qeverisë. Deri atëherë, konsumatori shqiptar do të vijojë të blejë bukë me toksina. E nëse ushqimet e tjera edhe mund të zëvendësohen, buka kurrsesi nuk hiqet nga tryezat e çdo familjeje shqiptare. “Sot, në Shqipëri buka prodhohet dhe tregtohet në mungesë të shumë kushteve higjienike të prodhimit, si dhe jashtë kushteve të etiketimit dhe paketimit. Ajo duhet të tregtohet me qese letre, të cilat nuk janë të dëmshme për shëndetin”, shprehen specialistët e AKU. Ata sqarojnë se deri tani janë kryer kontrolle për përmbajtjen e bukës, ku është konstatuar se përdoren ngjyrues në miell me cilësi të dobët. “Nuk mund të ushtrojmë kontrolle për materialet e tregtimit, pasi mungon kuadri ligjor që detyron furrat të mos përdorin plastikën”, thonë specialistët e AKU. Sipas tyre, është një fakt i njohur që plastmasi prodhohet nga nënproduktet e naftës dhe si rrjedhim nuk mund të përdoret direkt në kontakt me produktet ushqimore aq më tepër në kontakt me bukën. “Kjo pasi lëndët e dëmshme kalohen nga ambalazhi tek buka e si rrjedhojë tek njeriu, duke shkaktuar probleme shëndetësore shpeshherë edhe të pakthyeshme për këtë të fundit.
Vaji kancerogjen
Të gjithë ata që preferojnë fast-foodet duhet të bëjnë kujdes. Në një pjesë dërrmuese të tyre vaji që përdoret për skuqje është kancerogjen, pasi nxehet e ftohet jashtë çdo standardi të lejuar.  Kjo ka rezultuar sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik. Këtë e pranon edhe Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit. Sipas specialistëve të tij, përdorimi i vajit për skuqje disa herë radhazi bën të mundur që në këtë produkt të krijohen substanca toksike, të cilat nëse përdoren për të përgatitur produkte të tjera ushqimore, transferohen si tek këto produkte ashtu dhe tek njeriu. “Një nga këto substanca toksike është dhe dioksina, e cila është e transmetueshme edhe tek kafshët dhe nga këto të fundit tek njeriu”, thonë specialistët e AKU. Sipas tyre,  rreziku është shumë i lartë nga keqpërdorimi i vajit jashtë parametrave të përdorimit. Madje, vlen për t’u përmendur se vaji i cili është përdorur më parë, duhet të asgjesohet ose të depozitohet në ambiente dhe enë të përshtatshme, dhe jo të derdhet në rrugë apo në plehra, pasi duke bërë një gjë të tillë ai është objekt i konsumimit nga ana e kafshëve, të cilat mund t’i transmetojnë dioksinat e vajit tek njeriu. Por, pavarësisht dijenisë, kontrollet janë të pakta dhe penalizimet gjithashtu. Burime të sigurta nga AKU bëjnë me dije se pritet të nisë një aksion kontrollesh në të gjitha subjektet për të mos lejuar më këtë formë abuzimi. “Por na lind nevoja e bashkëpunimit edhe me struktura të tjera për të garantuar cilësi produktesh për qytetarët”, sqarojnë burime pranë AKU.

Masat e bizneseve

Çdo operator biznesi ushqimor duhet të dijë sesa kohë duhet të përdoret vaji për skuqjen e produkteve, pasi është përgjegjësia e tij. Për këtë, operatori i biznesit duhet të konsultohet me specialistë të ushqimit (kimistë). Në shumë vende të rajonit dhe BE përdoren aparatura dhe pajisje të posaçme, të cilat tregojnë se në ç’masë është përdorur vaji. Nga analizat ka rezultuar se 67% e tyre përdorin vaj me përmbajtje polare tej normave të lejuara nga Bashkimi Europian. Ato kanë rezultuar 3-4 herë më të larta se normat e lejuara në BE.

Mungesa e ligjit
Në vende në botë, si Izraeli, Kanadaja, India Perëndimore, Singapori, San Francisco, Boston, Kina, Tanzania, Ruanda e shumë të tjerë e kanë ndaluar me ligj përdorimin e qeseve plastike, sidomos në ambalazhimin e bukës. Tek ne, kuadri ligjor sipas specialistëve mungon. Kjo ndonëse qeset plastike janë një derivat i një substance toksike të quajtur polietilen dhe me kalimin e kohës apo me groposjen e tyre në pikat e grumbullimit të plehrave, këto qese shpërbëhen në lëndë toksike të quajtura petropolimere, të cilat janë shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Në vend të ambalazhit me qese plastmasi, operatori i biznesit duhet të përdorë qese me letër organike të aprovuara nga institucionet përkatëse dhe të jenë sipas parametrave të BE.

Rreziku nga plastmaset
Siç dihet, përveç problemeve të mjedisit, përdorimi i plastmasit apo qeseve, duke u përdorur si ambalazh për bukën, përbën rrezik të lartë për konsumatorin. Është një fakt i njohur që plastmasi prodhohet nga nënproduktet e naftës dhe si rrjedhim nuk mund të përdoret direkt në kontakt me produktet ushqimore aq më tepër në kontakt me bukën, pasi lëndët e dëmshme kalohen nga ambalazhi tek buka e si rrjedhojë tek njeriu, duke shkaktuar probleme shëndetësore shpeshherë edhe të pakthyeshme për këtë të fundit. Prandaj, është detyrë emergjente e organeve kompetente të Kontrollit të Ushqimeve të marrin masa të menjëhershme për eliminimin plastmasit si ambalazhues i bukës dhe nga ana tjetër të detyrojë operatorët e biznesit të përdorin alternativa të tjera ambalazhimi.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura