
Breshëri armësh në Sarandë, plagosen aksidentalisht dy punëtoret e pastrimit.Një ngjarje e pazakontë u shënua mëngjesin e djeshëm, kur një prej plumbave të automatikut, i qëlluar nga lagjja 5, mbi qytet përfundoi në lagjen 1 të Sarandës, duke prekur dy punonjëset. Policia zbardhi se plumbi ishte zbrazur rreth 700 metra larg, nga banesa e Artan Myrtajt, pas një konflikti të tij me dy persona të tjerë, për shkak të një ndërtimi pa leje.
Plagosja
Mësohet se ka qenë ora rreth 07:30 kur në afërsi të bar “Limanit”, ende pa nisur mirë lëvizjet në qytet, ndodhi plagosja e Lefteri Ahmetit, 45 vjeçe dhe Engjëllushe Matës, 44 vjeçe. Të dyja këto shtetase janë punonjëse të firmës së pastrimit “Korsel” shpk dhe në momentin e ngjarjes ishin duke pastruar në rrugën e parë, në afërsi të bar “Limanit”, në lagjen 1. Një plumb qorr, që sipas burimeve policore ka bërë rikoshet, i ka kapur të dyja gratë duke plagosur Lefteri Ahmetin në kofshë dhe Engjëllushe Matën në krah. Menjëherë është njoftuar policia dhe ka shkuar në vendngjarje grupi i gatshëm, ndërkohë që një ambulancë transportoi gratë për në spitalin e qytetit. Aty morën mjekimin e nevojshëm dhe u larguan, pasi plagët kishin qenë sipërfaqësore dhe të vlerësuara nga shërbimi spitalor si të lehta. Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar specialistë të krimeve të Sarandës. Nga hetimet paraprake të kryera nga specialistë të Krimeve të Rënda në Komisariatin Policisë në Sarandë mësohet se plagosja e dy grave ka ardhur nga një e shtënë me armë zjarri e llojit automatik kallashnikov. Nga verifikimi i të dhënave ka rezultuar se plumbi që shkaktoi plagosjen dhe të tjerë kanë dalë nga kati i sipërm i një objekti në ndërtim, pronë e shtetasit Artan Myrtaj. Të shtënat kanë pasur si drejtim një ndërtesë përballë tij, pronë e shtetasve Sinan Mata, ish-polic dhe Kosta Thanasi. Duke vijuar më tej burimet policore sqaruan se banesa nga është qëlluar më armë ndodhet në hyrje të rrugës së pestë, duke ardhur për në Sarandë, ndërsa gratë ndodheshin në rrugën e parë, në një largësi rreth 700 m në vijë ajrore.
Konflikti
Problemet mes shtetasve Artan Myrtaj dhe Sinan Mata e Kosta Thanasi, sqarojnë burimet policore, janë të hershme dhe të njohura për policinë. Shkak është bërë një shtesë kati, nisur 1 vit më parë, e cila po ndërtohet nga Mata e Thanasi, duke penguar pamjen në ndërtesën e shtetasit Artan Myrtaj. Ky ndërtim, ndonëse në objektin në pronësi të dy personave, siç e përcakton dhe policia e gjyqësori po kryhet në mënyrë të paligjshme. “Kati që ndërtohej nga shtetasit Sinan Mata e Kosta Thanasi ka qenë pa leje dhe për rrjedhojë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka vendosur pezullimin e punimeve. Ky vendim është ekzekutuar edhe nga zyra e Përmbarimit në Sarandë, me mbështetjen edhe të forcave të rendit. Por pas pezullimit, këta shtetas rifilluan punimet, të cilat janë pezulluar përsëri para 3 ditëve me të njëjtën procedurë”, pohojnë burimet zyrtare të policisë. Pas pezullimit të dytë të punimeve, në datën 10 korrik, pra dje, Kosta Thanasi dhe Sinan Mata kanë vazhduar përsëri punimet në objekt. Ky mendohet, thonë burimet policore, të ketë qenë edhe shkaku që shpuri në ngjarjen e së dielës. Nga Seksioni i Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar të dyja palët në lidhje me këtë ngjarje dhe po kryhen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor, zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit. Myrtaj nuk ka pranuar të jetë ai personi që ka qëlluar, ndërsa arma nuk është gjetur.
Plagosja
Mjeku i Spitalit të Sarandës, Sokol Birjani, pohoi dje për gazetën se të dyja gratë e plagosura kanë shkuar në urgjencë tepër të tronditura. Sipas tij, dy të plagosurat nuk ishin në gjendje të shpjegonin se çfarë kishte ndodhur me to, gjithashtu nuk orientoheshin se nga u kishte ardhur plumbi. Pas mjekimit, ato janë larguar nga spitali përsëri me ambulancë. Lefteri Ahmeti ka qenë lënduar në kofshë, ndërsa Engjëllushe Mata në krah, por megjithë forcën e plumbit, ai i ka përshkuar lehtë trupin e tyre, pa u lënë pasoja për jetën.
Granatë gabim në Delvinë vrau 3-vjeçaren
Vetëm 2 javë kanë kaluar nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Delvinë, kur një i moshuar hodhi një granatë gabim, duke i shkaktuar vdekjen një fëmije 3 vjeç dhe plagosi rëndë familjarët e saj. Dhe në këtë rast, autori 75-vjeçar kishte si qëllim personin që po ndërtonte një shtesë objekti, por që sipas autorit shkaktonte probleme në pronën e tij.
Nuk zbatuan vendimin, kallëzim për ndërtuesit
Konflikti i pronësisë që desh shkaktoi dy viktima mëngjesin e djeshëm nuk është i njohur në qytet vetëm për faktin që është i paligjshëm se po ndërtohet pa leje. Në rastin e fundit, kur Përmbarimi ka mbërritur në vendin e konfliktit për herë të dytë brenda 11 ditësh për të penguar ndërtimin pa leje, ka parë se dy pronarët nuk e kishin respektuar vendimin. Përfaqësuesit e tij kanë bërë kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Sarandë për mosrespektim të vendimit të gjykatës, i cili nga kontrollet e kryera para 11 ditësh e më pas 3 ditë para ngjarjes, nuk ishte zbatuar. Aktualisht, të dyja palët janë në komisariat për të dhënë sqarimet e tyre dhe deri në mbrëmje nuk ishte marrë asnjë masë për ta.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











