Gjykata ka lënë në burg 31-vjeçarin Habib Rexha, i cili qëlloi me plumb në ballë Arjan Gosën për hakmarrje.
Togat e zeza dhanë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij për akuzën për vrasje me motive për gjakmarrje.
Ndërsa për mikun e tij Ervis Kurtin, i cili dyshohet se e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, u dha masa “arrest shtëpie”.
Krimi i rëndë ndodhi pasditen e 21 majit në një lokal në Kavajë.
48-vjeçari Gosa po pinte kafe me të atin në lokal kur u ekzekutua nga i riu, i cili pas krimit u largua nga vendngjarja.
Vetëdorëzimi në polici
Habib Rexha i dha fund arratisë të martën (23 maj), rreth dy ditë pas kryerjes së vrasjes në shenjë hakmarrjeje.
31 vjeçari u vetëdorëzua pas negociatave të vazhdueshme të Policisë me familjen e tij.
Pas negociatave u ra dakord që Habib Rexha të vetëdorëzohej, pranë një kryqëzimi në autostradën Tiranë-Durrës.
Shkëmbimi është bërë në një makinë të oficerëve të Kavajës dhe më pas është dërguar në Komisariat.
Arma e krimit dhe makina
Një ditë pas dorëzimit në Polici të Habib Rexhës, janë gjetur makina dhe arma me të cilin ai vrau Arjan Gosën.
31-vjeçari kishte fshehur armën dhe makinën në zonën e Plazhit në Durrës, me qëllim për të humbur gjurmët.
Po ashtu mësohet se armë është dërguar në laboratorin e kriminologjisë, me qëllim për t’u parë nëse kjo armë është përdorur apo jo në krime të tjera.
Ka qenë vetë Habib Rexha që ka treguar se ku e kishte fshehur armën.
Vrasja për hakmarrje
Me 31 mars, Kavaja do të tronditej nga një ngjarje brutale për motive banale.
Një grindje e hershme mes Edmond Gosës (vëllai i Arjan Gosës) dhe Sali Rexhës (vëllai i Habib Rexhës) përfundoi me një sherr të përgjakshëm ku të dy personat e përfshirë në debat humbën jetën.
Edmond Gosa e sulmoi me thikë fqinjin e tij teksa ky i fundit mbante për dore edhe fëmijën e tij të mitur duke e plagosur rëndë. Ndërsa nga ana tjetër, Sali Rexha nxori armën duke qëlluar për vdekje Edmond Gosën.
Sali Rexha humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al