POGRADEC- Gjykata e Pogradecit ka caktuar sot masen e sigurise, ‘arrest me burg’ per personin qe qelloi me arme ne drejtim te baneses se aktorit Mevlan Shanaj ne Pogradec.
Vendimi eshte marre ne seancen e sotme ne ngarkim te shtetasit Adrian Hoxhallari, fqinj me aktorin Shanaj, ne Pogradec.
Gjate deshmise se tij para gjykates, autori ka deklaruar se ka qene i dehur dhe nuk ka dashur te vriste njeri.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, por policia dhe vetë Shanaj e bënë publike ngjarjen te henen. Vetë aktori Shanaj, pas kësaj ngjarjeje, ka thënë se në drejtim të banesës së tij është qëlluar 8 herë me armë zjarri në shenjë kanosjeje.
Aktori i njohur nuk ka qenë në banesë në momentin që ka ndodhur ngjarja, pasi po parkonte automjetin e tij, ndërsa 41–vjeçari, Adrian Hoxhallari, ka qëlluar në drejtim të banesës. Aktori është shprehur një ditë më pas se është tepër i tronditur, pasi, sipas tij, mes agresorit dhe familjes kishte marrëdhënie të mira fqinjësie, të cilat zgjasin prej vitesh.
“Nuk e kuptoj sesi ka ndodhur, unë dhe familja ime jemi tepër të tronditur. Jemi vendosur para një situate të cilën ende nuk e kuptojmë. Deri më sot unë nuk kam pasur me të asnjë konflikt dhe aq më tepër pronësie. Gjithë familjarët e mi, fëmijët së bashku me nipërit dhe mbesat ndodheshin brenda në banesë, ndërkohë që unë isha në makinën time. Autori nuk më pa mua, por duke lëvizur me mjetin e tij, nxori armën nga dritarja dhe qëlloi në drejtim të shtëpisë”, sqaroi versionin e tij Shanaj.
Arrestimi
Pasditen e së hënës, Policia e Pogradecit arriti që të identifikonte vendndodhjen e 41-vjeçarit Hoxhallari, duke e arrestuar atë në një fshat rreth 3 orë larg nga qyteti. Policia tha se Hoxhallari ishte strehuar në fshatin Hosnat të komunës së Buçimasit, në një banesë qe e kishte në pronësi gjyshi i tij. Pas këtij arrestimi, të kryer me akuzat e “kanosjes”, “armëmbajtje pa leje”, si dhe “prishje të rendit e qetësisë publike”, autoritete të Policisë rajonale të Korçës sqaruan, duke iu referuar hetimeve, se ngjarja që i ndodhi aktorit të njohur, Mevlan Shanaj, erdhi si pasojë e një konflikti të çastit me fqinjin e tij. Sipas hetimeve të Policisë, kanosja me armë e artistit të njohur të kinematografisë ndodhi për shkak të parkimit të mjetit të tij në një rrugicë që ndodhet midis banesës private të Shanajt dhe hotelit që ka në pronësi 41-vjeçari, Hoxhallari.
Ky i fundit, duke qenë edhe në gjendje të dehur, pas grindjes së momentit me fqinjin e tij ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të banesës. Sipas Policisë, plumbat kanë qenë më shumë në shenjë kërcënimi, pasi ato nuk janë drejtuar në pjesën e ambienteve ku banon familja Shanaj gjatë pushimeve në këtë qytet, por në pjesën e sipërme të saj, atë të çatisë. Sidoqoftë, nga ana e policisë ky konflikt është konsideruar si një kanosje serioze ndaj artistit Shanaj dhe familjes së tij dhe pavarësisht reagimeve të të dëmtuarit një ditë pas ngjarjes, është vënë në kërkime intensive për kapjen e autorit.
© Panorama.al











