Qëllohen minatorët me neuroparalizues

Aug 26, 2011 | 10:34
Minatori i plagosur, Rifat Sallaku, duke u transportuar nga turma që përleshej me policinë

Greva e minatorëve të Bulqizës degjeneroi dje në përleshje mes tyre dhe forcave të FNSH-së.Tre minatorët, Dashamir Neziri, Arif Xhiveshi dhe Rifat Sallaku përfunduan në spital pasi ndaj tyre u përdorën grushte, shkopinj gome dhe armë neuroparalizuese. Gjithçka nisi kur rreth orës 07:00, minatorët janë grumbulluar para portës kryesore të minierës. Ata qëndrojnë aty çdo ditë pasi policia nuk i lejon drejtuesit sindikalistë të hyjnë në mjediset e ACR-së. Rreth orës 10:00 situata është ndërlikuar pasi afër minierës mbërriti një makinë që zakonisht shoqëronte paratë e minatorëve. Menjëherë u përhap lajmi se me këtë mjet transportoheshin para që do të përdoreshin për të paguar minatorët grevëthyes. Bllokimi i këtij mjeti dhe një tjetre të ngarkuar me lëndë drusore që përdoret në miniera për mirëmbajtjen e galerive, ka sjellë reagimin e policisë së qarkut Dibër dhe të FNSH-së. Dhjetëra efektivë janë rrekur t’i spostojnë minatorët nga porta kryesore. Më aktivët në këtë përleshje kanë qenë ish-grevistët e urisë dhe drejtuesit e këshillit sindikal. Të paktën dy orë ka zgjatur kjo përplasje fizike, pavarësisht se temperaturat shënonin mbi 35 gradë dhe forcat e ndërhyrjes ndjeheshin keq për shkak të veshjeve të rënda, jelekëve antiplumb, kasave mbrojtëse dhe armëve të rënda që mbanin me vete, gjë që sipas minatorëve, është e ndaluar në vende publike. Kur forcat policore e kanë pasur të pamundur të hapnin portën kryesore të minierës, kanë përdorur shkopinjtë e gomës, shkelmat, grushtet dhe armët neuroparalizuese ndaj minatorëve të pranishëm. Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, u shpreh pas ngjarjes se nuk janë dhunuar vetëm tre minatorët që ndodhen në spital, por të paktën gjashtë prej tyre. Sipas tij, ata janë rrahur keq me shkopinj gome, grushte, shkelma, qyta armësh etj. “Përveç Dashamir Nezirit, Arif Xhiveshit dhe Rifat Sallakut janë dhunuar rëndë edhe Taf Koleci, Dallëndyshe Përkoxha dhe Baki Bajraktari. Policia përdori armë neuroparalizuese për të shpërndarë turmën, e cila nuk kishte hyrë në mjediset e ACR-së. Pra, nuk është e vërtetë se kemi bllokuar hyrjen në galeritë e punës, por kemi qëndruar jashtë rrethimit të kompanisë së huaj. Ne hedhim poshtë dy deklarata, atë të ACR-së, që mashtron se në minierën e Bulqizës ka rinisur puna, dhe atë të policisë, që mashtron opinionin se minatorët nuk janë dhunuar. Kjo që bëri policia me minatorët e varfër të Bulqizës është një turp dhe skandal që do të mbahet mend gjatë”, u shpreh Nikollaj. Revolta u bë mjaft e ashpër, aq sa policia u detyrua të tërhiqej. Makina e shoqërimit të vlerave monetare u kthye nga kishte ardhur, ndërsa makina me trupa për minierën hyri në territorin e ACR-së nëpërmjet një rruge dytësore.
Minatorët e Bulqizës kanë deklaruar dje se afati i fundit për të rinisur një tjetër grevë urie në mjediset e kompanisë “ACR” është dita e hënë. Dje është mbledhur me urgjencë këshilli sindikal, komisioni i grevës dhe shumë minatorë. Ata janë shprehur se janë të vendosur të vazhdojnë lëvizjen e tyre sindikaliste, duke sfiduar firmën e huaj që nuk merret me zgjidhjen e kërkesave ekonomike të minatorëve, por me luftë kundër Sindikatës së Minatorëve. Dje ACR-ja ka pretenduar se puna në minierë ka nisur dhe ka ftuar të tjerë minatorë të rikthehen në punë. Drejtues të këshilli sindikal thanë se në minierë punojnë aktualisht, me pëlqimin e tyre, elektricistët, pompistët dhe mirëmbajtësit e galerive.

2 ore
ka zgjatur përleshja fizike ndërmjet minatorëve të Bulqizës dhe forcave të Policisë së Dibrës e të FNSH-së. Gjatë kësaj përleshjeje, disa prej tyre pësuan dëmtime duke përfunduar për ndihmë mjekësore në spital

“Minatorët t’i bashkohen grupit që nisi punën”

Përfaqësuesit e kompanisë së huaj “ACR” u kanë bërë thirrje minatorëve të fillojnë punën. “U bëjmë thirrje të gjithë punonjësve t’i bashkohen grupit që ka filluar sot (dje) punën për kthimin në normalitet të minierës së Bulqizës. Minatorët duhet të kontaktojnë administratën e minierës, në sektorin të cilit i përkasin, për të nisur punën. Me paraqitjen në administratën e minierës minatorëve do t’u njihen të gjitha të drejtat që rrjedhin nga oferta e bërë publike e ACR-së. Gjithashtu, kompania ‘ACR’ u bën thirrje minatorëve të mos bien pre e kërcënimeve të Kol Nikollës dhe disa pasuesve të tij. ACR i siguron minatorët që mbrojtja e tyre është e garantuar”, thuhej në deklaratën e kompanisë.

Mjekët: Ishin pa ndjenja, menduam nga vapa

Tre minatorët, Dashamir Neziri, Arif Xhiveshi dhe Rifat Sallaku, u shtruan në spitalin e Bulqizës, ndërkohë që pranë tyre mbërritën familjarët dhe minatorët e tjerë. Mjekët thanë se më rëndë paraqitet Arif Xhiveshi. “Ai erdhi në spital pa ndjenja. Menduam se kjo kishte ardhur për shkak të motit tejet të nxehtë dhe ndonjë goditjeje fizike në trup nga policia. Mirëpo atij vazhdojnë t’i dridhen këmbët dhe ende nuk është qetësuar. Minatorët na thanë se forcat speciale kanë përdorur armë neuroparalizuese”, u shprehën mjekët.
Ndërsa minatori Dashmir Neziri është dhunuar dy herë brenda pak ditëve. Natën që policia tentoi të nxirrte grevistët e urisë nga niveli 14 është dhunuar keq, ndërsa dje ka pësuar të njëjtën gjë. Kartelë shtrimi kanë plotësuar mjekët edhe për minatorin Rifat Sallaku. Edhe ai kishte dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, por gjendja paraqitet pak më e stabilizuar sesa ajo e Xhiveshit dhe Nezirit.

POLICIA
Dje Policia rajonale ka publikuar variantin e saj rreth ngjarjes në Bulqizë. Sipas saj, para ambienteve të ACR-së janë mbledhur në mënyrë të paligjshme disa persona, të cilët kanë bllokuar hyrjen e personelit të administratës dhe të makinerive të saj. Sipas Policisë, përfaqësuesit e ACR-së kanë bërë edhe kallëzim. “Nga kontaktet me personelin mjekësor dhe me deklarimet e marra atyre, ka rezultuar se shtetasit e paraqitur në spital nuk kanë asnjë dëmtim fizik, por shfaqnin vetëm shenja lodhjeje”, tha policia.

SITUATA
Situata dje ishte mjaft e acaruar në Bulqizë. Minatorët dhe familjarët e tyre kanë ndërhyrë duke ndihmuar personat që kishin nevojë për ndihmë. Madje ata i kanë dhënë edhe frymëmarrje artificiale njërit prej minatorëve, i cili humbi ndjenjat dhe nuk është përmendur derisa shkoi në spital. Mjaft banorë, të afërm të minatorëve, janë përlotur ndërsa kërkonin ndihmë duke bërtitur. Ata u shprehën se dhuna e policisë ndaj tyre është turp, pasi ata po luftojnë për bukën e gojës.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura