
SHKODER/ Viktima emigrant. Pranga të dyshuarit, iu vra vëllai në 2008-n.
Rikthehen vrasjet për motive gjakmarrjeje në Shkodër. Dy vëllezër nga fshati Bardhaj u qëlluan mbrëmë në pritë, pak metra larg shtëpisë. Njëri prej tyre, 20 vjeç, emigrant i sapoardhur nga Greqia mbeti i vrarë në vend, ndërsa vëllai i tij u plagos rëndë. Policia e Shkodrës bëri të ditur se viktimë e vrasjes që dyshohet se ka motive gjakmarrjen është shtetasi Gjin Guri, ndërsa vëllai i tij i plagosur është 23-vjeçari Xhevahir Guri. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se është ndaluar një person si i dyshuar për krimin e rëndë. Mësohet se djali i xhaxhait të emigrantit të vrarë mbrëmë, rreth 4 vite më parë ka vrarë bashkëfshatarin e tij, Nard Lisi. Për këtë krim të rëndë ai po vuan dënimin me burg. Por familjarët e viktimës duket se nuk janë pajtuar me vendimin e gjykatës dhe kanë zgjedhur vetëgjyqësinë për të çuar në vend “ligjet kanunore” të zonës, ku gjaku merret me gjak. Sipas Policisë së Shkodrës, e cila ka hetuar ngjarjen deri në orët e vona, referuar edhe dëshmive të banorëve e të afërmve të viktimës, ka ngritur si pistë hetimi gjakmarrjen për shkak të një konflikt të vjetër mes dy familjeve të fshatit Bardhaj, Lisi dhe Guri. “Autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë, i ndaluar nga Policia, shtetasi Lazër Lisi, është vëllai i Nard Lisit, i vrarë 4 vite më parë nga shtetasi Pëllumb Guri. Ky i fundit është djali i xhaxhait të viktimës së sotme (mbrëmë), Gjin Guri. Pëllumb Guri më 10 qershor 2008, në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës ka vrarë më thikë bashkëfshatarin e tij, Nard Lisi, 23 vjeç. Për këtë ngjarje ai është arrestuar dhe më pas është dënuar me 15 vite dhe aktualisht po kryen dënimin në burgun e Shënkollit”, bëri të ditur mbrëmë Policia e Shkodrës. Policia tha se dy vëllezërit janë qëlluar në pritë në afërsi të banesës së tyre. Të shtënat e armës kanë vënë në alarm banorët, të cilët kanë nxituar te vendi nga ku janë dëgjuar krismat dhe kanë gjetur të dy vëllezërit të përgjakur. Ata i kanë nisur menjëherë drejt spitalit të Shkodrës, por rrugës është konstatuar se 20-vjeçari nuk kishte shenja jete. Ndërsa vëllai tjetër 23 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë dhe mjekët ende nuk kanë konfirmuar shpresa jete për të.
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
© Panorama.al











