Që shoqëria lëviz me ide, kjo dihet, por që idetë për zhvillim mund të kapërcejnë “hardwarin” për zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit, kjo ende duket larg në Shqipëri. Diskursi politik tek ne është dhe vazhdon të mbetet tek “arritjet” apo “mosarritjet e qeverisë”, “i vodhi apo s’i vodhi zgjedhjet”, “krimi këtu e aksidentet atje”, “do të ketë konsensus apo jo për këtë apo për atë” e tjera si këto; e kështu shkojmë nga zgjedhjet në zgjedhje. Por, në thelb, të gjitha këto e të tjera çështje të mediumit politik të ditës zhvillohen në kuadër të një shoqërie, të raporteve ndërpersonale, të kapitalit social të shoqërisë, duke u ndikuar në instancë të fundit thelbësisht prej tyre.
Edhe nëse bën detyrën duke ndërtuar shumë rrugë, rrit rrogat, shlyen deficitin buxhetor, rrit vjeljen e taksave, hap vende të reja pune, apo shkurt përmirëson në mënyrë të vazhdueshme treguesit e performancës së qeverisjes në dobi të zhvillimit të shoqërisë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se vendi po shkon drejt një shoqërie të zhvilluar, se në vend po bëhen investime të qëndrueshme për zhvillimin e shoqërisë, se qytetarët ndjehen të plotësuar në vendin e tyre. Aq më tepër që, pas 20 vitesh, vendi ka mbetur në nivelet nga më të ulëtat në Europë përsa i përket besueshmërisë sociale tek institucionet, te ligji, te partitë politike etj. Kjo shoqëri ka, më së shumti, sfida të natyrës morale, shpirtërore, sociale, të mënyrës së të menduarit dhe jetuarit. Pra, sfida të tilla kur hajdutin shoqëria mund ta shpërblejë për shkak se e mira dhe e keqja kanë humbur çdo vlerë historikisht të pranuar shoqërore, kur qytetarët janë tërësisht pasivë në angazhimin e tyre për të qenë kontribuues në përmirësimin e jetës, për pjesëmarrje të angazhuar në veprim social. Sot te ne flitet vetëm për kapital financiar, ekonomik, pra vetëm për materialen dhe pothuajse është inekzistente çdo përpjekje, qoftë edhe teorike, për investimin te kapitali social.
Dy ngjarjet e fundit që tronditën botën, qoftë ajo e Norvegjisë, qoftë me së fundi në rrugët e Londrës, patën përgjithësisht një përgjigje institucionale për t’u përballur me forcimin e demokracisë në këto vende, që në fund të fundit përkthehet me konsolidimin e përpjekjeve të mëtejshme për forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e kapitalit social në shoqëri. Me fjalë të tjera: rritja e ndërveprimit shoqëror në nivelet komunitare, rritje e vazhdueshme e ndërveprimit midis qeverisë, shoqërisë, organizatave dhe individëve.
Britania sot është në një periudhë tranzicioni historik drejt fuqizimit sa më të madh të kapitalit social përmes së ashtuquajturës ndërtimit të një “Shoqërie të Madhe”.
Analistë të ndryshëm thonë se ideja e “Shoqërisë se Madhe” ka qenë mjaft e hershme dhe praktika pozitive të saj gjenden në shumë vende të botës. Disa të tjerë e lidhin funksionimin e saj me parime thelbësore holistike të funksionimit të shoqërisë.
Të tjerë në Britani thonë se Kameroni e ndërmori këtë politikë si vizion idealist në fushatën e fundit zgjedhore që e solli në pushtet dhe në maj të 2010-s e ktheu në një program politik të qeverisë. Ka skeptikë në Britani që programin politik mbi “Shoqërinë e Madhe” të David Kameronit e quajnë të flluskë sapuni duke e krahasuar me “Rrugën e Tretë” të Toni Blerit. Por, me gjithë kritikat ndaj këtij programi politik të qeverisë, vetë shefi i opozitës britanike, Ed Miliband, ka krijuar një ekip mjaft cilësor pranë vetes për të vizionuar variantin e tij të “Shoqërisë së Madhe” nëse merr pushtetin në 2014-n.
Por, ç’është në themel të nismës mbi “Shoqërinë e Madhe”?
Ka komentues që thonë se është një politikë qeverisëse alternative ndaj krizës ekonomike dhe financiare që synon një qeveri sa më të vogël dhe potencimin e burimeve të fjetura qoftë financiare, qoftë njerëzore për fuqizimin alternativ të shoqërisë njerëzore, duke marrë përgjegjësi komunitare, reformimin e shërbimeve publike përmes devolvimit (decentralizimit) të vazhdueshëm dhe sa më të plotë të pushtetit, përfshi atë ekonomik, tashmë jo vetëm nga qeverisja qendrore në atë vendore, por nga të dyja drejtpërsëdrejti te qytetarët e komuniteteve vendore.
Të tjerë analistë mendojnë se “Shoqëria e Madhe” lidhet qoftë me eksperiencat e Barak Obamës si “organizues komuniteti”, apo me ato të Xhorxh W. Bushit mbi iniciativën e tij të fuqizimit të grupeve fetare të besimit, në plotësimin e nevojave sociale të shoqërisë, për të cilin ai kish ngritur departament më vete në Shtëpinë e Bardhë. Duke shkuar edhe më tej, në shumë botime në Britani të Madhe përmenden shembuj të ndryshëm se si modele komunitare të inspiruara nga filozofia e “Shoqërisë së Madhe” veprojnë në shumë shtete europiane. Por që gjithsesi, prirja e institucionalizimit të kësaj praktike qeverisëse në politikë zyrtare të vendeve të tjera të BE-së apo Europës është ende një tendencë në zhvillim. Madje, për disa analistë, BE-ja është duke zyrtarizuar në disa dokumente të saj politikë frymën e Shoqërisë së Madhe. Si e tillë, vlerësohet parimi i subsolidaritetit të BE-së që synon devolvimin e pushtetit te komunitetet vendore kudo që është e mundur; më 2010-n BE-ja e njohu inovacionin social si një mjet të rëndësishëm të strategjisë ekonomike, kur Barroso e përfshiu konceptin në Iniciativën Themelore të Inovacionit të BE-së; ndërsa këtë vit komisioneri Michel Barnier, përgjegjës për tregun e brendshëm dhe shërbimet, lançoi idenë e Iniciativës të Biznesit Social si pjesë përbërëse të “Aktit të tregut të përbashkët” (Single Market Act).
Duke u kthyer përsëri aty ku dhemb dhembi, pra në Shqipëri, shpesh dëgjon nga politikanë të lartë se vendi “duhet të kapë kohën e humbur”, dhe këtë gjë mund ta bëjë vetëm një lidership që e shikon realisht pushtetin si mundësi për të shërbyer përtej një mandati dhe si mundësi për të krijuar klimën dhe mundësitë për të vënë në jetë gjithë potencialin krijues, sipërmarrës dhe qytetar të individit, komunitetit dhe gjithë shoqërisë.












