
Beteja për kreun e Këshillit të Qarkut të Fierit vijon ndërmjet pretendentëve të saj të aleancës së majtë dhe atij të djathtë. Vangjel Ndreko, pretendenti i majtë për kreun e qarkut, doli dje në një konferencë për mediat, në të cilën sqaron se Apeli i Vlorës i ka çelur dritën jeshile dhe se së shpejti do të mbledhë Këshillin. Ndërsa pala tjetër e quan një vendim të radhës, i cili sërish do të ankimohet. Gjykata e Apelit në Vlorë i ka cilësuar ndryshimet e këshilltarëve që e përfaqësojnë këtë njësi vendore në qark, të kryera nga të djathtët më 19 shtator të vitit të kaluar, si të paligjshme. Kështu, të majtëve në qarkun e Fierit u janë bashkangjitur edhe nëntë këshilltarë të tjerë në total. “Tashmë kanë përfunduar proceset gjyqësore të zhvilluara në Apel për ndryshimet e kryera në këshillat e bashkive të Fierit dhe Patosit, me nga 3 këshilltarë secila prej njësive vendore. Një i përket komunës së Grabianit, një komunës së Dërmënasit dhe një asaj të Krutjes. Ndërkaq, janë ende në proces ndryshimet e kryera në këshillat e Bashkisë së Divjakës dhe komunave të Topojës, Dërmënasit e Mbrostarit. Sot unë jam kryetar i Qarkut Fier dhe shumë shpejt do të mbledh Këshillin”, u shpreh Ndreko. Ndërkohë Artur Shehu, pretendenti i djathtë, u shpreh se kjo është vetëm një betejë e humbur, por jo lufta. “Unë jam i zgjedhur me votë dhe jo me vendime gjykatash. Pas Apelit ka shkallë më lart për ta kërkuar të drejtën, siç është Gjykata e Lartë”, tha ai. Që prej nëntë muajve është zhvilluar një maratonë procesesh gjyqësore në lidhje me kreun e qarkut. Prefekti Robert Bitri, i artikuluar si mbi palët, ende nuk ka e dhënë versionin e tij mbi zhvillimet e fundit dhe vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë. Sipas Bitrit, gjithë këta muaj po bëhet e njëjta gjë, vendime gjykatash pa fund për kreun e Këshillit të Qarkut. Ai u shpreh se do të japë reagimin e tij pasi të njihet me vendimin e Apelit. “Kur të njihem me vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me këtë çështje, atëherë do të jap qëndrimin tim zyrtar”, u shpreh prefekti i Fierit dje, pas interesimit të mediave në lidhje me vendimin e Gjyqësorit për postin e kreut të Këshillit të qarkut.
Dy kryetarët me zyra ngjitur në një godinë
Situata në ambientet e Këshillit të Qarkut është konfuze edhe për mjaft qytetarë që kanë nevojë për shërbime të këtij institucioni. Në zyrën e kryetarit të qarkut vijon të qëndrojë pretendenti i majtë, Vangjel Ndreko. Ngjitur me të, në zyrën e nënkryetarit vijon të qëndrojë pretendenti i djathtë, Artur Shehu. Ky i fundit mban edhe vulën e kryetarit. Për shkak të vulës, të gjitha veprimet kryhen në zyrën e Artur Shehut. E ndërsa të dyja palët vijojnë të pretendojnë drejtimin e ligjshëm të qarkut, institucioni ka vijuar punën, madje edhe vetë dy emrat e lakuar, sipas punonjësve të Këshillit, përshëndeten me njëri-tjetrin sa herë ndeshen korridorit apo në ambientet të tjera të godinës.
Provohet pretendimi i Ndrekos
Ndërkaq, Prokuroria ka bërë të ditur se provohet pretendimi i kryetarit të majtë të Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreko, se në mbledhjen e organizuar prej rivalit të tij, Artur Shehu, më 24 prill 2012 nuk ka qenë i pranishëm këshilltari i komunës Strumë, Eduard Dogani. Dogani rezulton nga sistemi TIMS se ndodhej jashtë Shqipërisë dhe në vend të tij ka qenë i pranishëm në mbledhjen e të djathtëve një punonjës i kësaj komune. Nuk bëhet e ditur nëse do të ketë përgjegjësi penale ndaj personit zëvendësues, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











