Pushon bora, zhbllokohen rrugët lidhëse me Pukën

Feb 15, 2012 | 12:23

Helikopteri duke transportuar ndihma në fshatin Kelmend të Vermoshit

Autokolonat me ushqime drejt Veriut. Vetëm dje, 10 emergjenca

Rinis misioni humanitar në zonat e fatkeqësisë natyrore
Një ditë pa borë kthen shpresën te banorët e zonave të bllokuara të Veriut. Qyteti i Pukës është lidhur dje me pjesë të tjera të vendit dhe çka është më e rëndësishme, helikopterët dhe mjetet e ushtrisë kanë rinisur misionin e tyre humanitar. Vetëm dje u ndihmuan me helikopter 10 raste emergjente. Pushimi për një ditë i reshjeve të dëborës në rajonin e Kukësit u ka dhënë një mundësi më shumë banorëve dhe autoriteteve lokale të punojnë për zhbllokimin e situatës së rëndë krijuar pas reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave të ulëta. Rrugët nacionale janë të kalueshme, ndonëse me zinxhirë, ndërkohë që është përparuar drejt disa qendrave komunave. Arritja me e madhe konsiderohet nisja e operacioneve humanitare. Kështu, dy automjete kanë mundur të mbërrijnë në fshatin Orgjost pas shumë javësh izolimi, duke dërguar ndihma për banorët e izoluar të komunës Zapod. Një autokolonë me 20 kamionë, dy autoambulanca dhe personelin e nevojshëm janë stacionuar në aeroportin e Kukësit, i cili do të jetë bazë e forcave tokësore, por dhe atyre ajrore, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar. Sot pritet të mbërrijnë dy helikopterë, që nëse do të jetë mot i mirë, do të nisin fluturimet për në zonat e thella. Sakaq, banorët e tri komunave të thella, si Bushtrica, Kalisi e Gryka e Çajës janë furnizuar me drita pas dy ditësh ndërprerje. Dita e djeshme ka qenë fatlume dhe për qytetin e Pukës, ku janë hapur dy prej akseve që e lidhin atë me pjesën tjetër të vendit. Njëri në drejtim të Shkodrës e tjetri në drejtim të Mirditës, ku nëpërmjet Rrugës së Kombit bën lidhjen e banorëve të kësaj zone me qytetet e ndryshme të vendit. Hapja e këtyre akseve rrugore bëri që banorët e zonave të kenë më shumë akses në lëvizjen e tyre, por edhe Shtabi i Emergjencave ta ketë më të lehtë t’u vijë në ndihmë banorëve të këtyre zonave. Në zhbllokimin e rrugëve, krahas mjeteve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, është bërë e mundur që në rrethin e Pukës të dërgohen edhe mjete shtesë të firmave të ndryshme private për të ndihmuar në hapjen e akseve rrugore të këtij rrethi. Sipas burimeve nga Shtabi i Emergjencave të rrethit Pukë mësohet se problematike mbetet situata në segmentin rrugor Qafa e Malit, ku bora arrin 3 metër, pa llogaritur rrezikun e ortekëve.

HAS
Që nga ora 20:00 e ditës së djeshme, i gjithë rrethi i Hasit është pa energji elektrike. Një defekt në linjën e tensionit të lartë 35 kilovolt, që starton nga zona e Kalimashit, ka sjellë black-out total në të gjithë rrethin verior, një ndër problematikët prej reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta. Kompania “ÇEZ Shpërndarje” bëri të ditur se defekti është shkaktuar si pasojë e motit të keq. Sipas saj, një brigadë punonjësish nga kjo kompani është duke punuar për rikthimin e energjisë elektrike.

Shënohet viktima e dytë pas gjendjes së emergjencës
PUKE – Shënohet viktima e dytë në zonat ku është shpallur gjendja e emergjencës civile. Pas vdekjes së punëtorit të antenave në një mal të Hasit, një i moshuar ka ndërruar jetë sapo helikopteri e ka zbritur në spitalin e Pukës. Urgjenca për të marrë me helikopter të sëmurin nga Puka nuk ka qenë e mjaftueshme për një 80-vjeçar. Zyber Furriku, banor i fshatit Maçe në komunën Rrape të Pukës, humbi jetën dje në spital pak minuta pasi helikopteri i emergjencave civile e transportoi për ndihmën e shpejtë. Burime nga spitali thanë se për shkak të sëmundjes së rrugëve urinare (prostatës), u kërkua nga familjarët paraditen e djeshme ndërhyrja nga ajri në zonën e thellë të mbuluar nga bora. Fatmirësisht, zbutja e motit që mbizotëroi ditën e djeshme bëri që brenda dy orësh nga marrja e sinjalit të alarmit, helikopteri të ulej në fshat e të transportonte të sëmurin. Sipas mjekëve, i moshuari kishte qenë në gjendje të rëndë, por vetëm pasi familjarët kanë parë se nuk mund të bëhej gjë në kushtet e shtëpisë, kërkuan ndihmë urgjente. Një tjetër i sëmurë nga fshati Mzi i komunës Fierzë ka shfaqur simptomat e sëmundjes së largësive, rasti i dytë ka qenë një banor i komunës Qelëz, i cili ka shfaqur shenja të sëmundjeve të brendshme (tension urinar).

Emergjencat shëndetësore
. Të afërm të 14-vjeçares E. Peposhi nga fshati Lusën i komunës Ujmisht, Kukës, transportuan për 5 orë në barelë dhe në kalë vajzën e prekur nga apendiciti
. Një vajzë 12-vjeçare, e sëmurë rëndë, nga komuna e Ostrenit në Bulqizë është transportuar me vig deri në kufi me Maqedoninë për ta shtruar në një spital të Dibrës së Madhe
. Pas 24 orësh është transportuar drejt Tiranës 24- vjeçarja shtatzënë në muajin e gjashtë nga Kalaja e Dodës. Dje, pilotët arritën ta ulnin helikopterin në fshatin Ujmirë të Kalasë së Dodës për të marrë nënën e re

Kukës, fshati Borje, 45 ditë i izoluar nga bora

“Të na hapet rruga me Kosovën”
KUKES – Fshati Borje i Kukësit është ndër më të thellët dhe më i izoluari në këto ditë dimri. Borja është fshati më i madh komunës së Shishtavecit, afër me fshatin Restelicë të Kosovës, ku ndodhi orteku tragjik që mori jetën e 9 personave të një familjeje. Banorët kanë që nga 3 janari të bllokuar, kanë mbaruar rezervat që kishin dhe tashmë në fshat, përveç izolimit, po troket dhe uria. Sevahir Dokle, kryetar i fshatit, apelon për zhbllokimin e fshatit, i cili, sipas tij, ndodhet në prag katastrofe.
Sevahir, prej sa ditësh janë të izoluar banorët e fshatit tuaj?
Që nga data 3 janar, 250 familje, me rreth një mijë banorë, janë të izoluara plotësisht nga dëbora e madhe që i kalon 2.5 metrat. Ne kemi shumë dyqane në fshat, por tani ato janë të boshatisura plotësisht. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur dhe dy urgjenca shëndetësore, të cilat i kemi kaluar më këmbë me barelë deri në fshatrat e Kosovës dhe më pas në Morin e për në spitalin e Kukësit.
Çfarë kërkoni në këtë situatë të vështirë?
Po janë 45 ditë izolim dhe me rezerva ushqimore të mbaruara. Ne kërkojmë nga shteti që fillimisht të zhbllokojë rrugën, të lidhemi me Kukësin dhe kryesisht të sjellin ilaçe, ndihma ushqimore për njerëzit dhe për bagëtitë. Kërkojmë dhe hapjen e tre kilometrave rrugë që na lidh, nëpërmjet pikëkalimit kufitar, me fshatin më të afërt të Kosovës, Glloboqicë, që është lidhja më e afërt me komunën e Dragashit dhe më pas për të vijuar për në Kukës nga Kosova, duke ditur se rruga që na lidh me Kukësin nëpërmjet Grykës së Vanave është më e vështirë dhe e rrezikshme nga ortekët. Probleme në këto ditë të vështira kanë gratë që presin të lindin. Te ju si qëndron ky problem?
Nga komunikimet që kemi pasur me mamitë e fshatit kemi mësuar se janë tri gra që presin të lindin. Momentalisht ato janë mirë nga ana shëndetësore, por është e rrezikshme që ato t’i sjellin fëmijët në jetë duke lindur në fshat, ku mungon mjeku specialist dhe kushtet nuk janë optimale. Ne si komunitet jemi të përgatitur që të bëjmë transportin e tyre me vig për në Kosovë, por nëse koha është e keqe, kjo gjë është e pamundur. Nga frika e peshës së madhe të dëborës kemi bërë dhe pastrimin e çative.
Ju jetoni në një zonë që njihet për dëborën, madje dhe sportet e dimrit. Ka pasur ndonjëherë dimër më të madh se ky i sivjetshmi?
Ky dimër ia kalon edhe atij të ‘85-ës. Edhe më të moshuarit në fshat nuk mbajnë mend që të ketë pasur ndonjëherë dimër kaq të madh dhe izolim kaq të gjatë e pa ndërprerje. Na është mbaruar dhe kripa. Ne në fshat kemi një fadromë që ka ngelur nga punimet që po bëhen për ujësjellësin e fshatit. Fadromisti është në Has, por po të vinte, do të na ndihmonte shumë. J.Hallaçi

© Panorama.al

Te lidhura