Gjykata e Lartë rrëzoi dje padinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, kundër vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e procedimit penal ndaj kryeministrit Sali Berisha.Rama paditi Prokurorinë duke kërkuar rihapjen e dosjes për shpifje ndaj Kryeministrit. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi mospranimin e kërkesë-padisë. Bëhet fjalë për ankimin e Edi Ramës në Gjykatën e Lartë mbi një vendim të Prokurorisë së Përgjithshme që vendosi mosfillimin e ndjekjes penale ndaj kryeministrit Berisha për akuzat e “shpifjes” dhe “fyerjes”.
Në nëntor të vitit të kaluar, kryesocialisti Rama bëri një kallëzim ndaj kryeministrit Berisha në Prokurorinë e Përgjithshme. Kallëzimi u bë pas pretendimeve të kreut të PS-së, se Kryeministri kishte pohuar në Kuvend deklarata fyese dhe shpifëse në emër të tij. Pas verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme vendosi të mos fillojë çështje penale ndaj Kryeministrit. Në vijim, kreu i PS-së iu drejtua Gjykatës së Lartë për shfuqizimin e këtij vendimi. Në seancën e djeshme, përfaqësuesi i Prokurorisë në seancë, prokurori Alfred Progonati, tha se vendimi i organit të akuzës është i bazuar në ligj dhe në prova. “Është vendosur mosfillim i procedimit penal, pasi ka rezultuar se mungojnë elementet e veprës penale”, u shpreh prokurori. Në të njëjtën linjë ishte edhe mbrojtësja ligjore e kryeministrit Berisha, avokatja Erinda Ballanca. Sipas avokates Ballanca, vendimi i Prokurorisë ishte i drejtë, pasi, sipas saj, fjalët e Kryeministrit janë thënë në formën e opinioneve dhe në kuadër të retorikës politike të kohës. Ndërsa mbrojtësit e kryesocialistit Rama, avokatët Agim Hysi dhe Arjan Salahu, kërkuan prishjen e vendimi të Prokurorisë. Sipas tyre, vendimi i Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal ndaj Berishës ishte i paarsyetuar. “Nga salla e Parlamentit, me pyetje retorike, Berisha i është drejtuar Edi Ramës duke përmendur fakte të sajuara dhe të rreme”, pretenduan avokatët.
AFATI
Gjykata e Lartë nisi shqyrtimin e kërkesë-padisë së Edi Ramës vetëm pasi verifikoi se ajo ishte depozituar në gjykatë brenda afateve ligjore. Vetëm në seancën e parafundit të këtij gjykimi, kryesuesja e seancës, gjyqtarja Shpresa Beçaj, u shpreh para palëve se ankimi i kreut të PS-së ishte kryer brenda afateve. Verifikimi i depozitimit u pa si i nevojshëm nga gjykata në seancën e datës 18 prill të këtij procesi. Nga pohimet e palëve në proces në këtë seancë nuk përputhej data e pretenduar nga avokatët e Ramës për depozitimin e ankimit me datën e regjistrimit të tij në gjykatë. Në seancën e parafundit, gjyqtarja Beçaj pohoi se “nga verifikimet e kryera nga Gjykata e Lartë rezultonte se vendimi i Prokurorisë i është dërguar paditësit Edi Rama në selinë e PS-së në datën 22 nëntor 2010”. Po sipas Beçajt, nga verifikimet e gjykatës kishte rezultuar se ankimi i paraqitur nga kreu i Partisë Socialiste në lidhje me këtë vendim ishte depozituar në Gjykatën e Lartë më 26 nëntor të vitit të kaluar, para afatit 5-ditor të përcaktuar në ligj.
Avokatët e PS pretenduan si shpifje:
Shprehjet e Berishës:
1. Cili është ai burrë që bashkëshorten e tij e akuzon se e ka
fëmijën me të atin e tij…!
2. Më thuaj, zoti Rama, cili është ai burrë që ngrihet nga shtrati i së
shoqes dhe shkon te shtrati i Dashit…!
3. … Po ti je një përbindësh. Nga të gjithë politikanët, ti je skllav i
krimit…
Avokatët e PS: Ramës iu mohua e drejta
TIRANE – Avokatët e kreut të opozitës Edi Rama, thanë dje se mosfillimi i procedimit penal ndaj kryeministrit Berisha i kishte hequr të drejta ligjore klientit të tyre. Ata i kërkuan gjykatës prishjen e vendimit për mosprocedimin e Kryeministrit për akuzat e “fyerjes për shkak të detyrës” dhe “shpifjes për shkak të detyrës”. “Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesit Edi Rama i është hequr e drejta për të zhvilluar një proces të rregullt ligjor”, u shprehën avokatët. Më herët ata thanë se “sulmet, shpifjet, fyerjet e Sali Berishes drejtuar politikisht Edi Ramës kanë bërë që të konsumohen veprat penale të kallëzuara nga Rama”. Sipas tyre, deklaratave publike të Berishës nga salla e Parlamentit, si edhe më pas në një konferencë për shtyp në nëntor të vitit 2010, u mungon retorika politike. “Fyerjet i drejtohen drejtpërdrejt zotit Rama”, u shprehën mbrojtësit. “Shpifjet dhe fyerjet janë të rrezikshme, pasi janë bërë publikisht”, pretenduan ata më tej.
Avokatja e Berishës: Retorikë politike
TIRANE – Avokatja Erinda Ballanca, mbr-ojtësja ligjore e interesave të kryeministrit Sali Berisha, pretendoi dje se avokatët e Ramës i kanë marrë deklaratat jashtë kontekstit. Sipas saj, duhej fjala e plotë e kryeministrit Berisha për të kuptuar nëse jemi brenda retorikës politike, apo jo. Para Kolegjit Penal mbrojtësja u shpreh se e gjithë historia është e transformuar nga ana e kallëzuesit, duke marrë pjesëza të shkëputura. “Prova e paraqitur nga mbrojtësit e kallëzuesit Edi Rama nuk është fjala e plotë e kryeministrit Berisha, por vetëm fjalitë që janë publikuar në formën e perceptuar nga media. Perceptimi i kallëzuesit se çfarë është thënë në Kuvend atë ditë është i gabuar”, pohoi para Kolegjit Penal avokatja Ballanca. Sipas avokates, fjalitë e përdorura nga kryeministri Berisha, për të cilat akuzohet nga Rama, janë në kuadër të retorikës politike të kohës kur janë shprehur.
© Panorama.al











