
Bulqiza ishte dje më e qetë se kurrë. Minatorët nuk i janë afruar minierës. Janë zgjuar më vonë. Lokalet janë mbushur përplot. Pinë një çaj apo një gotë alkool.Kaq ua mban buxheti. Ndërkohë, për orë të tëra diskutojnë rreth fatit të tyre. Gjithkush flet sipas oreksit. Shumica bën kompetentin. Por nuk lënë pa përmendur ndihmën e madhe të mediave, banorëve të Bulqizës dhe shoqatave jofitimprurëse. Në një pikë bien dakord të gjithë: “Nëse kompania e huaj u plotëson kërkesat e deklaruara dhe shton edhe largimin e drejtorit të minierës, puna në minierë duhet të rifillojë”, është komenti më i shpeshtë në çdo mjedis të Bulqizës. Po ashtu, për një gjë minatorët ndihen mirë. Ata thonë se kanë qenë më të bashkuar se kurrë, duke pretenduar se kompania e huaj dhe administratori i minierës, Medat Zogu, kanë tentuar ta shkatërrojnë lëvizjen sindikaliste dhe t’i përçajnë keq minatorët. “Megjithëse numërohen me gishtat e njërës dorë, disa persona të majmur nga ACR-ja na kanë provokuar e spiunuar disa herë, madje kanë tentuar të rinisin tinëz punën në minierë. Por, kur na kanë parë të bashkuar, janë ndier keq”, shprehet Baki Bajraktari, njëri nga organizatorët e protestave. Ai dhe anëtarët e tjerë të komisionit të grevës dhe Këshillit Sindikal priten me respekt në çdo mjedis. Ata që bëjnë xhiro në sheshin “Minatori”, përshëndeten me njëri-tjetrin dhe nuk harrojnë të deklarojnë rifillimin e protestës deri në zgjidhjen e të gjitha kërkesave. Nesër, 700 minatorët e Bulqizës do të festojnë Bajramin. Thuajse të gjithë i përkasin besimit mysliman dhe e kanë pritur këtë festë. Mirëpo, ata nuk do ta festojnë si të gjithë besimtarët e tjerë. Ka dy muaj që ata nuk firmosin në borderotë e ACR-së.
Hatie Laçi është njëra nga gratë që punon në minierë, në sektorin e seleksionimit të kromit. Ka protestuar bashkë me shoqet e veta, minatorët e Bulqizës dhe qytetarët e tjerë që nga 4 korriku i këtij viti. Ajo shprehet se prej vitesh minatorët nuk kanë qenë më të varfër se tani, lista e borxheve është rritur shumë e pronarët nuk japin më ushqime me listë. “Ne prisnim që ACR-ja të na shpërblente me rastin e kësaj feste dhe jo të na ndalte edhe pagat”, thotë e shqetësuar Laçi.
A keni qenë pjesëmarrëse në protestat e zhvilluara dhe a ka pasur probleme për familjen tuaj?

Po e nis përgjigjen e pyetjes suaj nga fundi. Ju e dalloni burrin tim, Luanin, të shtrirë në krevat. Atë e dhunoi policia tri ditë më parë. Lus Zotin që e kam gjallë. Nga veshët i ka dalë gjak. Janë munduar ta mbysin krejt. Ai ka dalë në pension si invalid, por erdhi të na mbështesë në protestë. E kanë masakruar me shkopinj gome, me grushte, me shkelma e me çfarë kanë mundur. Ky është problemi kryesor. Burri gjysmë njeri tani dergjet në shtrat. Problem tjetër, jo vetëm për familjen time, është mungesa e të ardhurave. Unë kam protestuar bashkë me shoqet e mia çdo ditë. Kemi dalë në rrugë, sheshe e para zyrave të ACR-së dhe kemi kërkuar rroga më të mira, kushte pune, kryerjen e investimeve, largimin e drejtorit të minierës.
Të mërkurën janë parashikuar protesta të tjera. Ju do të vazhdoni të jeni pjesë e tyre?
Nëse sindikata vendos për protesta edhe pas ditës së mërkurë do të jem në protestë. Unë dhe asnjë minator nuk ka çfarë humbet. Në qoftë se nuk nisin investimet, miniera nga fillimi i vitit tjetër do të mbyllet. Asaj i është mbyllur çdo perspektivë. Kur diskutojmë me njëri-tjetrin, themi se më e rëndësishme se rritja e pagës është hapja e thellësisë në minierë. Ajo na mban në punë më gjatë.
Si do ta festojnë minatorët e Bulqizës festën e Bajramit?
Si mos më keq. As natën e Kadrit nuk blenë dot ushqimet më të domosdoshme. Ku t’i marrin lekët? Dyqanet janë tejmbushur me lista. Familja ime deri tani ka marrë borxh 500 mijë lekë të vjetër. Kur ndonjë familje e kalon këtë shumë, tregtarët nuk të japin më me listë. Kanë frikë se nuk do t’i paguajmë. Ndërprerja e punës prej dy muajsh ka krijuar një klimë mosbesimi mes minatorëve dhe tregtarëve. Është për të ardhur gjynah si jemi katandisur. Nuk shkojmë dot për vizita te njëri-tjetri. Kemi frikë se nuk kanë mundësi të na presin. Zakonisht, për këtë festë blihet mish, ëmbëlsira, fruta e ushqime të tjera. Këtë herë pak familje minatorësh do ta kenë këtë mundësi. Ishalla pronarët e ACR-së nuk dëgjojnë ustallarët e këtushëm, ndryshe situata do të përkeqësohet. Ne nuk lëshojmë deri në zgjidhjen e të gjitha kërkesave, ndërkohë ACR duhet të kuptojë se pa ne miniera merr fund.
Nikollaj, mesazhe në Facebook
Tri mesazhe njëri pas tjetrit ka shkruar dje në Facebook presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj. “Po i lutemi Allahut që Zoti i madh mbi dhe të ndriçojë dhe nxjerrë në udhën e Zotit këta të paudhë që çdo ditë keqpërdorin Policinë e Shtetit kundër punëtorëve të ndershëm, të drejtë e të pangopur me bukë. Në të kundërt, të mërkurën, pas festës së Bajramit të gjithë jemi aty dhe përsëri çdo gjë do e fillojmë nga e para”, shprehet Nikollaj në mesazhin e parë. Ai vazhdon më tej, duke thënë se pronarja e ACR-së u detyrua të pranojë 20% rritje page, por asgjë s’mori përsipër për të zbatuar detyrimin ligjor mbi bazën e kontratës koncesionare për hapjen e thellësisë nga niveli 16 deri në atë 21. “Ajo është e rrethuar nga një bandë hajdutesh dhe mafiozësh që po u marrin shpirtin minatorëve dhe po shkatërrojnë e vjedhin gjithë Bulqizën”.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











