Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes i ka dhënë një tjetër “shuplakë” peshëngritjes shqiptare. Ndërkombëtarët, pasi morën masën ekstreme për të pezulluar FSHP-në nga të gjitha aktivitetet sportive për shkak se gjatë sezonit 2012 tre sportistë shqiptarë rezultuan pozitivë në testet e anti-dopingut, vetëm një ditë më parë kanë sjellë në Komitetin Olimpik Shqiptar vendimin përfundimtar që kanë marrë për rastin e Hysen Pulakut. Ky i fundit, që rezultoi pozitiv në analizat e dopingut vetëm një ditë përpara fillimit të Lojërave Olimpike “Londër 2012”, do të pezullohet për 4 vite nga sporti i peshëngritjes. Por, duke mos u mjaftuar me këtë masë ekstreme, ndërkombëtarët kanë gjobitur edhe Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, e cila do të duhet të paguajë në mënyrë të menjëhershme një gjobë prej 5000 dollarësh për pozitivitetin e Hysen Pulakut. Ndërkaq, FSHP-ja është e detyruar të paguajë edhe kostot e analizës që është bërë, tek e cila sportisti nga Elbasani rezultoi që kishte konsumuar substanca të ndaluara.











