PUKE – Tenton të heqë tullat në një ndërtesë të amortizuar, ish- godinë shtetërore, humb jetën në rrënojat e saj. Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orëve të drekës në komunën Bleran të rrethit të Pukës. Sipas Policisë, 58-vjeçari Gjin Muslia, banues në fshatin Mzi të komunës Fierzë, është gjetur i vdekur në orët e mbrëmjes, nën rrënojat e ish-ndërmarrjes së Sektorit të Sharrave që ndodhet në fshatin Strazic në komunën e Bleranit të Pukës. Nga dëshmitë e të afërmve të viktimës si dhe nga hetimet e kryera nga Policia e këtij rrethi, mësohet se 58-vjeçari kishte shkuar për të marrë tulla në ndërtesën e braktisur. Por, amortizimi i objektit ka bërë që ndërtesa të shembet duke zënë në rrënoja edhe Musliun. Kushtet e vështira të jetesës e kishin detyruar 58-vjeçarin Gjin Muslia që të drejtohet tek ish-ndërtesat e dikurshme shtetërore për të marrë prej andej çfarë kishte mbetur, tulla, hekura për skrap etj. Edhe të mërkurën, ai i është drejtuar njërës prej godinave të ish-Sektorit të Sharrave në fshatin Strazic të komunës Bleran. Nga kjo ndërtesë ai mund të merrte vetëm tulla, ndaj ka nisur punën për t’i marrë ato, duke i hequr nga vendi. Por, si pasojë e amortizimit si dhe e heqjes së elementëve mbajtës të saj, objekti është shembur duke zënë nën vete 58-vjeçarin. Të afërmit e viktimës, kur kanë konstatuar në orët e darkës se familjari i tyre nuk ishte kthyer në shtëpi, kanë nisur kërkimet. Ata kanë sinjalizuar edhe policinë duke parandier diçka të keqe. Pasi kanë marrë informacion se për ku ishte drejtuar Muslia paradreken e së mërkurës, policia dhe të afërmit e tij i janë drejtuar ndërtesave të ish-Sektorit të Sharrave në Bleran. Gjatë kontrollit të rrënojave të njërës prej godinave, ata kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës. r.d











