Publikohen detaje të pakteve, serbët më kokëfortë në vendime

Jul 6, 2011 | 9:19
Stefanoviç dhe Tahiri, pas arritjes së marrëveshjeve

Mediat në Kosovë kanë publikuar dje detaje të tri marrëveshjeve të para me Serbinë, duke treguar se në bisedime serbët i kanë ruajtur me më kokëfortësi linjat e tyre.Hollësi të marrëveshjeve janë botuar nga “Koha Ditore”, e cila ka paralajmëruar se duhen pritur udhëzimet zyrtare që qeveria e Kosovës t’i bëjë publike detajet. Ekipi i negociatorit Robert Kuper ua dërgoi palëve në letër të gjitha detajet rreth tri marrëveshjeve të arritura të shtunën. Për marrëveshjet nuk pritet të ketë nevojë të ndryshohet ndonjë ligj në Kuvendin e Kosovës. Tri fushat e para për të cilat është arritur marrëveshja të shtunën ishin: liria e lëvizjes, regjistri civil dhe njohja e diplomave universitare. Debat i fortë ishte ai për targat. Për marrëveshjen e parë, lirinë e lëvizjes më kufirin “administrativ” mes Kosovës e Serbisë, do të mund të kalohet me karta identiteti, por policia serbe do t’u japë një letër të veçantë, që do të thotë se nuk njihet dokumenti i lëshuar nga autoritetet e Kosovës si dokument i pranuar zyrtar në territorin e Serbisë. Mbetet të sqarohet udhëtimi i fëmijëve, të cilët nuk mund të kenë letërnjoftime, por vetëm pasaporta. Një fushë ku Serbia nuk ka lëshuar pe është ajo që ka të bëjë me origjinalet e regjistrave civilë. Pala serbe, edhe ata të BE-së, kanë konfirmuar se delegacioni i Kosovës ka insistuar tërë kohën që Kosovës t’i kthehen origjinalet, ndërsa pala serbe ka bërë të ditur se nuk e pranon një gjë të tillë, sepse kjo do të kuptohej sikur të ishte heqje dorë nga sovraniteti ndaj territorit të Kosovës. Ndërkohë, LDK-ja i quan pretendimet e qeverisë së Kosovës se ka arritur tri marrëveshje me Serbinë, mospërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Rezolutën e Kuvendit për bisedimet me Serbinë. Pa ratifikimin e Kuvendit, këto marrëveshje janë të pazbatueshme, madje ato kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të Kuvendit. Detajet e marrëveshjeve nuk janë paraqitur ende në Kuvend.

OKI

Organizata e Konferencës Islamike në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm ka miratuar një Rezolutë për situatën në Kosovë. Në pikën tetë të Rezolutës u bëhet thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKI-t që të marrin në konsideratë njohjen e Kosovës, duke u bazuar në të drejtat e tyre të lira dhe sovrane, si dhe në përputhje me praktikat e tyre kombëtare.

Banka Islamike, para pa kamatë për Kosovën

Banka Islamike pritet t’i japë qeverisë së Kosovës një kredi pa kamatë, me vlerën 27 milionë euro. Shuma do të përdoret për investime në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, tha se bisedimet janë zhvilluar në fund të muajit të kaluar në Jeda të Arabisë Saudite, ku është mbajtur konferenca e rregullt vjetore e Bankës Islamike. Arabët “me sheriat e quajnë kamatën haram dhe për këtë ne nuk jemi të obliguar ta paguajmë atë”, tha Avdiu. Kredia do të kthehet në të njëjtën shumë pas rreth 10 vjetësh.

© Panorama.al

Te lidhura