
Psikologia pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, Aida Kryekurti, tregon rreziqet që mund të sjellë mungesa e informacionit mbi përballimin emocional të shtatzënisë. Rastet e aborteve dhe mbështetja psikologjike që u jepet grave.
Kur një vajzë mëson lajmin e shtatzënisë, rrëfimi i parë emocional, shoqëruar me pyetjet kureshtare se çfarë ndodh në trupin e saj, me gjendjen shpirtërore gjatë shtatzënisë, bëhet zakonisht me mamanë, herë të tjera me vjehrrën, me shoqet… Përmes përvojash secila individuale, ato vetofrohen me këshilla, me ngjashmëritë e situatave se ç’ka ndodhur me fizikun e tyre, me procesin e lindjes së foshnjës, pa e ditur se këtë rol prej vitesh e kanë ndërmarrë psikologet, që u janë shtuar stafeve në maternitete. Mandej, janë vizitat e profilizuara obstetrike- gjinekologjike, ato që përcaktojnë matematikisht periudhën e zhvillimit të bebes, çka shoqërohet edhe me ndryshime rrënjësore emocionale tek nëna shtatzënë nga njëri tremujor në tjetrin. Shumë gra dhe vajza nuk janë në dijeni të faktit se në maternitete ekziston edhe një zyrë e veçantë, ku atyre u ofrohet asistencë dhe këshillim falas psikologjik, për çdo pasiguri, frikë, përjetim specifik që mund të kenë. Në situatat më delikate, të aborteve spontane apo ato me dëshirë të plotë, ofrohet ndihma sociale për nënat me gjendje të rënduar psikologjike post abortit, apo edhe për foshnjat e braktisura. Aida Kryekurti, psikologe pranë maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet, tregon përvojën e saj të punës në përballjen me mentalitete e problematika të ndryshme.
Mungesa e informacionit te gratë shtatzëna
Pak femra janë në dijeni të faktit se në maternitet, përpos vizitave të specializuara obstetrike-gjinekologjike, ekziston edhe një zyrë psikologu që ofron falas një mori informacionesh, këshillash apo ndihmese sociale të vlefshme, që mund t’ua bëjnë edhe më të lehtë procesin e shtatzënisë, ndjekjen pediatrike të foshnjës, dhe fazën post-partum të nënës pas lindjes. “Është e vërtetë që shumë femra, përpara se t’i drejtohen një psikologu, konsultohen me mamatë, vjehrrat, që gjithsesi janë një ndihmesë e mirë. Por, zyra e këshillimit psikosocial në maternitet ofron një informacion shumë më të pasur përmes psikologut të fëmijëve dhe dietologut, nga të cilët nëna merr njohuri bazë shkencore, po aq sa dhe praktike”, thotë psikologia Kryekurti. Përvoja e saj e punës në maternitetin “Koço Gliozheni” i ka vërtetuar faktin se shumë individë, jo vetëm nëna, nuk e dinë se cili është roli i psikologut apo punonjësit social në përgjithësi dhe ku mund ta gjejnë atë. Është detyra e mjekut të referojë një grua tek psikologu, meqenëse ai ka kontaktin e parë me të dhe nga biseda mund të kuptojë domosdoshmërinë. Shërbimi psikologjik ofrohet në ato raste kur vetë nëna bie dakord, ndërsa në situatat kur nënat vetofrohen për këshillim psikologjik, ato e kanë pasur më parë një përvojë mbështetëse profesionale nga ana e punonjësit social apo psikologut. “Jam përballur me nëna shtatzënë që nuk kishin kryer asnjëherë një vizitë gjinekologjike dhe nuk e dinin se në cilën pjesë të trupit do të vizitoheshin apo nëna të tjera, të cilave fëmija u kishte lindur me një problem të caktuar dhe për këtë fajësonin procedurën e ndjekur gjatë lindjes. Por, të gjitha këto lloj druajtjesh apo ngarkesash emocionale shkaktojnë probleme të rënda psikologjike te nënat. Mungesa e informacionit apo eksperiencës bën që ato t’i mëshojnë mendjes së tyre, pa pranuar shpjegime apo zgjidhje më të specializuara”, thekson psikologia.
Rastet e aborteve

Rastet më specifike të ndjekjes përmes psikologut dhe punonjësit social janë ato të aborteve te femrat. Por, të gjitha situatat duke qenë klasike në vetvete, edhe format e ndihmesës i marrin ndryshe. Mund të jetë këshillim, ndjekje e seancave të trajtimeve psikologjike, apo edhe ndihmë sociale për nënën e foshnjën. “Në përgjithësi janë rastet e aborteve spontane që kërkojnë një mbështetje më pas, sepse për to gjithçka ishte e papritur dhe nuk arrijnë të besojnë shkëputjen me fëmijën, ende fetus. Rastet janë unike dhe secila nënë ka nevojë për sugjerime të veçanta, por më tepër ato kanë nevojë të përgatiten psikologjikisht për shtatzëninë e ardhshme, sidomos kur në ndërprerjen e padëshiruar të shtatzënisë mund të kenë ndikuar edhe faktorë, si stresi, ngarkesa emocionale”, shprehet Kryekurti.
Asistenca psikologjike
Shërbimi psikologjik falas në maternitetin “Koço Glizoheni” synon t’i mbështesë nënat e reja dhe t’i përgatisë ato në rritjen e fëmijës. Fokusi kryesor është këshillimi psikologjik i çdo gruaje, e cila e ndien të nevojshme të flasë me një profesionist. Njëherësh synohet edhe edukimi i nënave/prindërve të rinj të kuptojnë fazat e zhvillimit të fëmijës dhe t’u përgjigjen të gjitha nevojave të tyre për një fëmijëri të hershme të mbarë. Ndihet ende një raport i vakët mes mjekut dhe rolit të psikologut, si faktorë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e shtatzënisë së femrës. “Ajo që nënat shpesh e neglizhojnë gjatë shtatzënisë, janë vështirësitë e para emocionale, që janë të studiuara gjatë shtatzënisë dhe që ndryshojnë nga njëri tremujor në tjetrin. Ka raste nënash që përdorin burime të ndryshme informacioni për të kuptuar ndryshimet fizike dhe psikologjike që ndodhin. Ka nëna të tjera, të cilat nuk kanë interes të dinë më tepër. Për këtë arsye, interesi im është të punoj më tepër me nënat që s’kanë mundësi, si përmes këshillimeve individuale, po ashtu përmes seminareve edukuese që organizoj”, përfundon psikologia e maternitetit “Koço Gliozheni”.
Ermira Isufaj
© Panorama.al











