Pse po dobësohet “fuqia integruese” e shoqërisë?

Jan 15, 2025 | 8:20
SHPËRNDAJE

GËZIM TUSHIGËZIM TUSHI

Ka më shumë se tri dekada në të cilat shoqëria jonë ka rrudhur fuqinë sociale integruese, nuk po siguron parametrat e duhur të stabilitetit ekzistencial dhe funksional, të domosdoshme për të mbajtur raportet e duhura, optimale të lidhjeve sociale, të bashkekzistencës së individit me shoqërinë. Situata është e lidhur me dy faktorë, që janë komplementarë, determinues me njëri-tjetrin.

Nga njëra anë ka kohë që shoqëria jonë shfaq tendenca të forta të kaotizmit dhe fragmentaritetit social dhe në anën tjetër janë kontradiktat e brendshme të njeriut, vështirësitë për të kuptuar dhe ndërruar raportet bipolare, së pari “vertikalisht” veten dhe pastaj edhe “horizontalisht” raportet me shoqërinë. Është e vërtetë që shoqëria aktuale në krahasim me të kaluarën, jo vetëm ka ndryshuar radikalisht, por vazhdon të përjetojë tronditje të forta “tektonike” të shoqëruara me zhvendosje evidente të “pllakave” të socialitetit tradicional. Deri në kufijtë e tronditjes sociale, kur duket sikur po jetojmë në një shoqëri pa “piketa sociale orientuese e vlera referenciale”.

Nëse analizojmë tipologjinë e së kaluarës, sidomos strukturën e ndryshimeve të thella aktuale dhe sidomos nëse sociologjikisht bëjmë një llogari për perspektivën e lidhjeve sociale dhe marrëdhënieve njerëzore në shoqërinë tonë, nuk është e vështirë të dallohet trendi i zbehjes së përshpejtuar të këtyre raporteve thelbësore. Jo aq nga ana formaletike, se sa nga pikëpamja sociale e substanciale. Këtë realitet që jetojmë sot dhe atë që po vjen nesër, e ndjenë të gjithë ata që jetojnë dhe kuptojnë thelbin dhe jo dukjen, jo vetëm të asaj që jetojmë, por sidomos të asaj që po vjen. Pa asnjë diskutim ka tregues empirikë, por edhe sintetikë, që tregojnë qartë se koha që jetojmë, gradualisht por pa kthim pas, është bërë terren social shumë favorizues për lulëzimin ekstrem të asocialitetit, zbehjes së lidhjeve sociale, në emër të lulëzimit të shfrenuar të superindividualizmit, si tendencë e shoqëruar nga zgjerimi i lidhjeve individuale, dominimi i marrëdhënieve njerëzore egocentrike. Absolutisht këto situata, zhvillime sociale turbulente dhe zgjerimi i performancës liberal-individualiste, tregojnë se shoqëria për të qenë e kuptuar dhe e mirëkuptuar nga njerëzit tanë, ka nevojë për një “bosht të ri”, për një modus operandi të ndërtimit të marrëdhënieve midis shoqërisë dhe individit. Në këto kushte, paraprakisht duhet kuptuar që akoma kemi nevojë thelbësore për të bërë dallimet midis iluzioneve të trashëguara nga e kaluara për “shoqërinë solidare”, utopike, false, të imagjinuar apo të pritur dhe parametrave të rindërtimit të një shoqërie funksionalisht të vërtetë.

Padyshim, shqetësuese është situata jonormale e shoqërisë shqiptare, e cila vazhdimisht është nën goditjet të njeriut individualist me ndjenja destruktive dhe që si kurrë më parë është vendosur përballë me qenie njerëzore eksentrike, që luftojnë individualisht për para, konsum dhe dëshira thjesht biologjike. Kjo situatë tipike e zhvillimeve postmoderne dhe në një farë mënyre pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimeve të tij, ka sjellë një gjendje të vërtetë të alarmit social. Po nuk është fjala vetëm te ndikimet në lidhjet anonime dhe zbehjen e kohezionit social. Personalisht mendoj se kjo nuk është aq shumë shqetësuese, në kushtet e shoqërisë shqiptare me orientim liberal dhe individualist. Reduktimi i supersocialitetit të vjetër kolektivist, komunitarist është një hap emancipues në thelbin e ndryshimeve që po ndodhin, në formatimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale në shoqërinë tonë. Problemi është shqetësues në një aspekt tjetër. Postmoderniteti ka filluar të japë efekte, nuk po them negative, por të diskutueshme, me pasoja në një terrenin e zbehjes apo dobësimit progresiv të lidhjeve sociale.

Në këtë kontekst, nuk mund të mos shqetësohemi që postmoderniteti po bëhet terren i favorshëm, nxitës dhe destruktiv, në të gjitha llojet e tjera të marrëdhënieve sociale, komunitare, miqësore e intime njerëzore, të cilat kanë tendencë që të mos jenë të forta e të qëndrueshme, por të dobëta, gjithnjë e më shumë të revokueshme. Por, revokimi si ndjenjë josociale, shumë e përhapur e kohës së postmodernitetit shqiptar është e dukshme, shfaqet në mënyrë sintetike e të përgjithësuar, kur vlerësojmë të vërtetat e reja, sikurse janë prirjet e lidhjeve gjithnjë e më të dobësuara të njerëzve me komunitetet e tyre të origjinës, shtimi i apatisë, vetmisë, izolimit social dhe indiferenca e pjesëmarrjes në problemet e jetës qytetare e publike. Padyshim, pa rënë në pozitat e tendencave të komunitarizmit ekstrem dhe pa idolatrizuar prirjet e fragmentarizimit apo revokimit të lidhjeve njerëzore, duke vlerësuar zhvillime e forta të postmodernitetit aktual, duket se ai ka vënë njeriun para detyrimit për të zgjedhur dhe pranuar një sistem vlerash, që është shumë i ndryshëm nga sistemi i vlerave të shoqërisë tradicionale, madje dhe të asaj moderne. Shpesh, në mënyrë të gabuar arsyetohet se epoka postmoderne është krejt e kundërt, apo mohim tërësor i sistemit të vlerave sociale dhe lidhjeve njerëzore tradicionale. Ky është perceptim semplist, nihilist, i gabuar.

Nëse do ecim me mendimin se postmoderniteti në esencë, është mohim tërësor i vlerave dhe lidhjeve tradicionale, duke i dhënë hapësirë ekzistence vetëm individualizmit dhe egoizmit të kulluar, atëherë nuk na mbetet gjë, veçse të fillojmë të dëshpërohemi për të ardhmen, që e pret njeriun dhe shoqërinë tonë. Padyshim do të ishte naivitet sociologjik, nëse nuk vërejmë horizontin social dhe nuk pranojmë se në mënyrë të natyrshme, pa kthim pas do të zgjerohet ndikimi i faktorëve, që do të nxitin më tej tendencën kaotike të mobilitetit social, zgjerimin e prirjes për veprimtari të instrumentalizuar të njeriut, duke zbehur më shumë atë empatik, racional e social. Sociologët dhe analistët e postmodernitetit janë të bindur se në të ardhmen këto tendenca sociale do të zhvillohen akoma më shumë. Madje, mund të intensifikohen gjithnjë e më tej. Kjo është arsyeja pse sipas tyre, “e ardhmja duket se premton nivele gjithnjë në rritje të narcizismit”.

Rreziqet dhe të mirat që vijnë dhe që në esencë burojnë nga postmoderniteti janë një ekuacion që i ka të lidhura organikisht të dyja anët e veta. Të mirën dhe të keqen. Sepse nga njëra anë postmoderniteti është një etapë e lartë e zhvillimit njerëzor e social, në të cilin për individin e “izoluar” apo qenie “si e tillë”, ka më shumë kushte e mundësi për të siguruar ekzistencën e formave të larta të “nismës dhe përkushtimit moral të vetëpërgjegjshmërisë”, por nga ana tjetër, janë shtuar rreziqet për të garantuar në këtë shoqëri të “mirën sociale përfundimtare”. Kjo situatë jo vetëm duhet konsideruar shqetësuese, por edhe duhet vlerësuar me seriozitet, pasi përbën shkak për rreziqet e thellimit të rënies morale, zgjerimit të banalitetit në shoqërinë tonë.

Debati që duhet të bëhet dhe problemi që duhet shtruar për zgjidhje, është se si mund të bëhet e mundur që kalimi në shoqërinë individualist-hedoniste të mos bëhet shkak për prishjen e kornizave funksionuese të “qytetërimit sociale e politik”, që duhet të mbetet baza e patundur e zhvillimeve të mëtejshme si një realitet ekzistencialisht i pasfidueshëm. Këto janë situata që veprojnë paradoksalisht në këtë epokë që jetojmë, e cila ka krijuar mundësinë që “mekanizmat e pashmangshmërisë” së lidhjeve dhe koordinimeve sociale të veprojnë dhe kryejnë funksionet e tyre, pikërisht mbi bazën e ekzistencës së ndarjeve individualiste midis njerëzve, të shfaqjes së përshpejtuar të situatave të zgjeruara të fragmentarizimit social.

Me sa duket, është fare e qartë se postmoderniteti do të shoqërohet nga situata sociale të vështira, për ekzistencën e lidhjeve dhe konsolidimin e marrëdhënieve sociale. Rruga për të gjetur zgjidhjet e mundshme të ekzistencës së raporteve të reja midis tyre është sigurimi i vetëdijes së përbashkët për të mirat, rreziqet, “burimet morale” të epokës së qytetërimit postmodern, duke sjellë kështu një lloj mirëkuptimi të përbashkët për to. Në kohën postmoderne në mënyrë të padyshimtë njeriu do dhe duhet të ndihet dhe të jetë më i lirë nga shoqëria dhe relacionet e determinuara sociale. Por në të vërtetë, “Ne jemi të lirë atëherë kur mund të ribëjmë kushtet e ekzistencës sonë, atëherë kur mund të zotërojmë gjërat që na zotërojnë neve”. Charles Taylor, “Etika e autencitetit”, f. 100.

Tendenca e fortë e revokimit të lidhjeve sociale e dobësimit të marrëdhënieve njerëzore, prirja e fragmentarizimit të publikut, sipas mendimit tim, do të sjellin pasoja me spektër të gjerë të zhvillimeve postmoderne në shoqërinë tonë, antidoti i të cilit nuk është as supersocialiteti, superkolektivizmi dhe dimensionet grandomane të “shoqërisë së madhe unike” të dikurshme, por rindërtimi mbi një bazë të re të së gjithë gamës së lidhjeve sociale, duke filluar nga meremetimi i lidhjeve të gjakut me të afërmit tanë, deri te forcimi i marrëdhënieve të shumta civile, sociale, profesionale e komunitare që kanë sens supermodern dhe ndërtohen me “stofin” qytetar të marrëdhënieve të qytetëruara. Çdo përpjekje nostalgjike apo prirjet ankimuese për realitetet e “revokimit” të lidhjeve dhe fragmentimit të lidhjeve sociale, do të ishte e kotë dhe kundërproduktive. Jemi në kushtet kur nuk funksionojnë më si më parë modulet sociale të së kaluarës. Përkundrazi, nëse duam të jemi koherentë e konstruktivë për t’i shërbyer individualisht “vetes” dhe shoqërisë në të njëjtën kohë, duhet të kuptojmë, të pranojmë të vërtetën e padyshimtë dhe nevojën për të bërë gradualisht dhe me sens mase “spostimet filozofike të jetës”. Shoqëria jonë përbëhet nga njeriu që i ka të gjitha llojet e mundshme të bindjeve, koncepteve dhe stileve të jetës.

Një situatë që në pamje të parë duket kaotike e destruktive, ngaqë është përtej skemave të vjetra ideologjike e narrativave të mëdha të dikurshme. Shoqëria dhe njeriu sot duken si të përfshirë nga një “lodhje ekzistenciale, e cila shfaqet dukshëm në dobësimin e “fuqisë integruese” të shoqërisë, shoqëruar me tendencën e zgjerimit të banalitetit social, që tenton të bëhet tipike, ontologjike, e pranueshme si faktor që synon t’i japë formën e vet shoqërisë shqiptare. Në këto kushte jemi përballë shumë dilemave sociale, që në pamje të parë dhe me gjykim empirik të raporteve të individit me shoqërinë duken të pazgjidhshme dhe që në mënyrë të natyrshme kanë nevojë për të tjera narrativa sociale dhe etike orientuese, kompatibile me imperativat e kohës që jetojmë, duke reflektuar nevojat psikologjike, kulturore dhe ekonomike të njeriut dhe shoqërisë aktuale shqiptare. Padyshim, kjo kohë ka sëmundjet e veta, por diagnozat sociale duhet të na ndihmojnë për të gjetur “ilaçet” e duhura, që duhet të shërbejnë si “çimento sociale” me të cilën mund të shëndoshen raportet e njeriut me shoqërinë…/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura