Kreu i PD-së, Sali Berisha në një komunikim me qytetarët ditën e sotme është pyetur se pse opozita nuk e publikon dosjen e hetimeve të SPAK për Ergys Agasin dhe Belinda Ballukut, ish-numrit dy të qeverisë, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka ngritur një sërë akuzash dhe për të cilën kërkoi edhe heqjen e imunitetit në Parlament për ta arrestuar.
Sa i përket dosjes së Agasit ai tha se PD nuk e disponon, ndërsa për atë të Ballukut renditi një sërë arsyesh pse demokratet nuk e bejne publike atë.
Sipas tij, deputetët e opozitës dhe mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Mandateve dhe Imuniteteve, kanë firmosur para prokurorëve të SPAK një akt për të mbrojtur sekretin hetimor dhe për këtë arsye janë të ndaluar ta publikimet ne media.
“Anëtarët e Komisionit të Mandateve të Partisë Demokratike dhe partisë tjetër kanë firmosur para prokurorëve një deklaratë, në të cilën janë zotuar se do të mbajnë sekretin dhe për këtë arsye, e respektoj. Duhet respektuar”, tha ai, ndërsa shtoi se në dosjen e Ballukut ka edhe dëshmitarë të penduar.
Sipas kreut të PD-së, fakti që dosja ka dëshmitar të penduar, do ishte një tradhti ndaj Kushtetutës, ligjit dhe funksionimit të shtetit ligjor nëse ata do i publikonin detajet e zbuluara nga hetimet e SPAK.
Pyetje: Doktor, pse nuk nxirrni pjesë nga dosja Balluku ose Agasi? Thuhet se në shumë paragrafë del edhe Edi Rama. Fundja, detyra e opozitës është t’i denoncojë.
Berisha: Dosjen Agasi nuk e kemi. Dosja Balluku, të garantoj se çdo gjë substanciale ka dalë, për këtë të garantoj 100%, por pse nuk publikohet dosja?
Anëtarët e Komisionit të Mandateve të Partisë Demokratike dhe partisë tjetër kanë firmosur para prokurorëve një deklaratë, në të cilën janë zotuar se do të mbajnë sekretin dhe, për këtë arsye, e respektoj. Duhet respektuar. Më çudit se këta, nga një anë, kërkojnë të respektojmë kërkesat e drejtësisë dhe, nga ana tjetër, të hedhim poshtë kërkesat e tyre.
Pra, aty ka dëshmitarë të penduar dhe nuk mund të nxjerrim kurrë një dëshmitar të penduar. Sepse do të ishte një tradhti ndaj Kushtetutës, ligjit dhe funksionimit të shtetit ligjor. Unë besoj se edhe ju jeni dakord me mua se kjo dosje, për këtë arsye, nuk mund të dalë. Ka dëshmitarë të penduar.
© Panorama.al












