Universitetet, midis të tjerave, janë vendi ku zhvillohen ide inovative dhe nxiten nisma për të gjithë sektorët e jetës shoqërore, hartohen dhe përmirësohen programe e tekste shkollore, kualifikohen mësues e pedagogë, si dhe përkthehet literaturë akademike. Në universitet, individët mësojnë shkencë dhe përgatiten për të fituar një profesion. Për studentët, universiteti është tempull i shkencës që i përgatit për profesionet që zgjedhin. Për stafet akademike, ai është dhe duhet të jetë profesion shkencor, i nxitur nga kërkimet shkencore që garantojnë cilësi mësimdhënie dhe arritje shkencore. Në fund të fundit, modernizimi i shoqërisë, demokratizimi i saj, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut etj., nuk mund të avancohen pa individë të lirë e të arsimuar. Sot, në tregun global të punës, konkurrenca e diplomave që lëshojnë universitetet përbën një tjetër sfidë dhe pikërisht këtu lind nevoja për diploma me reputacion.
Dekadën e fundit janë shtuar shumë programet e shkencave sociale në të dy sektorët e arsimit të lartë, në atë shtetëror dhe privat. Në këtë kontekst, debati rreth nevojës në rritje për këto programe, vlerës së diplomave të shkencave sociale dhe analizës së gjendjes së tyre në universitetet shqiptare meritojnë një vëmendje të veçantë. Veçanërisht sektori privat i arsimit të lartë ka shtuar së fundi përpjekjet për t’i rikuotuar shkencat sociale nëpërmjet një larmie programesh të diferencuara, në të tria ciklet e studimit: Bachelor, Master dhe Doktoraturë, me profile dhe nënprofile, për të parë sesi ata projektohen në mjedisin shoqëror, atë publik dhe akademik.
Por, cilat janë tendencat e sotme lidhur me zhvillimin e tyre?
Së pari, në vendet e Ballkanit duket se diplomat e shkencave ekzakte, mjekësisë, ekonomikut dhe juridikut, vlerësohen më shumë se ato të shkencave sociale; së dyti, diçka e tillë nuk ndodh në Britaninë e Madhe apo Kanada, ku nuk ekziston ndonjë dallim i madh për nga punësimi, apo të ardhurat për të diplomuarit në shkencat sociale dhe ato ekzakte, me përjashtim të studentëve të linguistikës, shkencave humane dhe arteve; së treti, në çdo vend ka shumë rëndësi reputacioni i institucionit dhe nota mesatare e studentit; së katërti, më shumë se diploma e një programi, punëdhënësit vlerësojnë aftësitë e përgjithshme, si dhe aftësinë për të punuar në ekip dhe në mënyrë krijuese.
A ka, në fakt, mbingopje të shkencave sociale?
Pavarësisht mangësisë së shifrave të sakta për numrin e studentëve dhe të diplomuarve në shkencat sociale në Shqipëri, në vend vazhdon të mbizotërojë, padrejtësisht, ideja e një mbingopjeje në këtë fushë. Ndoshta kjo ndodh edhe për shkak se, krahas shkencave ekonomike dhe ato juridike, universitetet private janë përqendruar tek shkencat sociale ose humane. Siç kemi argumentuar edhe në shkrime të tjera më parë, përshtypja e mbipopullimit të arsimit të lartë nuk qëndron, sepse edhe kur marrim parasysh numrin e studentëve në universitetet private, Shqipëria sërish mbetet prapa vendeve të rajonit dhe atyre europiane perëndimore në këtë aspekt. Për shembull, sipas të dhënave të INSTAT-it në vitin 2005, 31% e studentëve shqiptarë u regjistruan në programet e shkencave sociale, ekonomike dhe juridike. Në Britani, numri i studentëve të regjistruar në shkencat shoqërore, humane, ekonomike dhe juridike përbën 60 për qind të totalit prej dy milionë e gjysmë studentë të diplomuar gjatë vitit shkollor 2010-2011. Madje në njëzet vitet e fundit, në Britani ka pasur një rënie nga 10-15% e numrit të studentëve të shkencave ekzakte. Vetëm pas trefishimit të tarifave të pagesës për arsimin e lartë, në pothuaj 10 500 euro në vit, është vënë re një rënie pothuaj 15% e studentëve në shkencat humane, linguistikë dhe arte. Megjithatë, pavarësisht çmimit të lartë, studimet tregojnë se arsimi i lartë dhe ai pasuniversitar vazhdon të jetë një investim i çmuar për karrierën e shumë studentëve britanikë.
Në Shqipëri, nga një këndvështrim tjetër, shkencat ekzakte vazhdojnë të jenë monopol i universiteteve shtetërore, ndoshta si rezultat i traditës, investimit të hershëm të personelit, por edhe një mungesë interesi, të paktën për momentin, i universiteteve private për t’u shtrirë në këto drejtime, pasi këta të fundit janë qartësisht të orientuar drejt tregut, me diploma me tipare praktike. Megjithatë, me forcimin e infrastrukturës së universiteteve private dhe kërkesave të tregut për programet ekzakte, do të shtohet edhe konkurrenca nga universitetet private.
Literatura shkencore dhe statistikat për disa vende të Europës Perëndimore sugjerojnë së në dallim prej studentëve të shkencave ekzakte, atyre ekonomike dhe mjekësisë, studentët e shkencave shoqërore përgjithësisht janë të mirarsimuar, kanë vështirësi më të madhe punësimi dhe një numër i madh punojnë në fusha jo të profilit. Në vendet fqinje, Greqi dhe Itali, për shembull, të cilat kanë pothuajse dyfishin e numrit të popullsisë së rritur në arsim të lartë në krahasim me Shqipërinë, më shumë se gjysma e studentëve të shkencave sociale punësohen në fusha që nuk kanë lidhje me diplomën. Po ashtu, dy studime të vitit 2009 sugjerojnë se në Itali, të diplomuarit në shkencat ekzakte, ato ekonomike dhe kompjuterike kanë gjasa më të mëdha punësimi, kryesisht në sektorin privat. Kjo ndodh edhe për shkak se një diplomë e shkencave ekzakte, përfshirë këtu edhe shkencat ekonomike dhe ato juridike, perceptohet si më e rëndësishme dhe më me peshë se sa ato të shkencave humane apo shkencave sociale.
Megjithatë, ky diferencim nuk vihet re në vendet e tjera të zhvilluara perëndimore si në Kanada apo Britani, ku dallimi i gjendjes së punësimit apo dhe pagesës mes studentëve të shkencave sociale dhe atyre ekzakte nuk është aq i theksuar sa në Shqipëri apo Itali e Greqi.
Pavarësisht fushës së diplomave, një ekonomi në zhvillim, siç është ekonomia shqiptare, ka nevojë për punonjës të kualifikuar me aftësi dhe shprehi, jo domosdoshmërisht specifike. Ajo ka nevojë për persona me njohuri të transferueshme, të aftë të mendojnë në mënyrë kritike, të komunikojnë rrjedhshëm dhe bindshëm, shprehi këto që fitohen shumë në auditorët e shkencave sociale (dhe ekzakte). Para së gjithash, punëdhënësit vlerësojnë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të notave të diplomave, sepse më shumë sesa njohuritë e fituara në auditorë, ato janë tregues i aftësisë krijuese të studentit, për t’u përballur me sfidat e punës në mënyrë të suksesshme.
Për t’i zgjeruar më tej hapësirat e shkencave sociale, pavarësisht koniunkturës aktuale që nuk duket t’i favorizojë në raport me shkencat ekzakte, nevojiten një sërë masash mbështetëse, për shembull, një fond kombëtar nga ana e qeverisë shqiptare për këto shkenca, duke përfshirë edhe universitetet private, të cilat, në fakt, në përpjekje për të mbijetuar,kanë një ofertë më të mirorientuar sesa sektori shtetëror, dhe të kombinuar me tregun e punës. Duke njohur dhe studiuar me kujdes deformimet strukturore të tregut dhe monopolin e universiteteve shtetërore në kuota, universitetet private janë aftësuar në drejtim të orientimit si duhet të kërkesave në tregun e arsimit, veçanërisht të shkencave sociale, pasi roli dhe kontributi i tyre është i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë dhe sistemit shoqëror. Institucionet shtetërore, që të funksionojnë në mënyrë sa më eficiente, kanë nevojë për kontributin e shkencëtarëve socialë, të politologëve, sociologëve, punonjësve socialë, psikologëve, specialistëve të komunikimit dhe marrëdhënieve publike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj. Politikat shtetërore për universitetet dhe kërkimin luajnë një rol vendimtar në ringritjen e shkencave sociale, pikësëpari duke mos i “kërcënuar” me kuota të shpërndara keq dhe pa nevojë vetëm për universitetet shtetërore, pasi deformojnë tregun, prishin konkurrencën dhe dëmtojnë cilësinë. Po ashtu, vetë shkencat ekzakte, juridike apo ekonomike kanë nevojë për më shumë shkenca sociale, pasi është rritur mjaft interesi për ndërdisiplinaritet, si një mënyrë për të tërhequr më shumë të rinj drejt arsimit universitar, programeve të preferuara dhe një orientim më të mirë drejt profesioneve më të kërkuara, që shtojnë shanset për punësim.
Kësisoj, nisur nga mungesa e traditës së shkencave sociale në Shqipëri, politizimit të tejskajshëm të tyre për dekada me radhë, etjes për t’i zhvilluar më tej ato, perceptimit si shkenca trendy, arsimit të lartë në Shqipëri i nevojiten edhe më shumë shkenca sociale, si “lëng” apo “ingranazhë” për të vënë në lëvizje individët, institucionet shoqërore, tregun dhe të gjithë sistemin shoqëror. Reformimi i sistemit të arsimit të lartë, përfshirë dhe reformimin e programeve të shkencave sociale duhet, në të vërtetë, të impaktojnë vetë shkencën, përndryshe reformat nuk do të kishin kuptim dhe do të mbeteshin “reformë për reformë”. Nevoja për më shumë shkenca sociale në Shqipëri ka të bëjë me rolin e tyre në diagnostikimin e dukurive shoqërore, zgjidhjen e problemeve, analizën shkencore të ndryshimeve të thella dhe të gjithanshme të pasviteve ’90, të tranzicionit dhe konsolidimit demokratik dhe të vetë jetës sonë intelektuale.
*Rektori i UET
© Panorama.al












