Kam dëgjuar kaq herë, qoftë në debate në televizion, qoftë në kafene, në është e drejtë që media t’i servirë lexuesit atë që kërkon, apo të përpiqet ta edukojë?! Natyrisht që nëpër emisione mjafton të bëhet zhurma e kanali të stopohet aty, se përfundimi i argumentit është diçka dytësore; pra kjo pyetje ngelet gjithnjë pa përgjigje. Sigurisht që nuk do ta gjeni as këtu nëse është ajo që menduat. Dua vetëm të kuptoj nëse ajo çfarë doni ju, a është ajo që ju servirim ne?! Apo ne këto kemi e këto ju japim, dhe ju s’keni nga ia mbani? As për këtë s’marr dot përgjigje, por gjithsesi, po përpiqem të ndalem me lajmet e të gjitha gazetave që nga fillimi i Big Brother-it e deri tani që është harruar kur ka mbaruar. “Ermali puth Miss filanen, Françeska bëhet xheloze”, “Ermali ka oferta”, “Çifti është me pushime në Kinë”, “Emrali dhe Françeska po puthen”, “Françeska dhe Ermali se si po shihen në sy”…. Kaq të pamundur e keni ta mbushni ditën nëse nuk merrni vesh që në lajmet e mëngjesit se si u panë këtë dy më lart?! Që ta dini edhe ju, asnjëri prej atyre të dyve apo të tjerëve të sërës së tyre nuk e kalon kohën duke u lëpirë pas tjetrit. Këto shkëndijat e xixëllimat nëpër, sy jo e jo njëherë, harrojini. Puthen e shtrëngohen vetëm për ta dërguar fotografinë nëpër gazeta! Kështu kanë bërë edhe

paraardhësit e tyre deri pa iu rënë shkëlqimi, që s’di ku e gjetën. Këtë do të bëjnë edhe këta e të tjerët pas tyre, derisa ju të vazhdoni të rrini gojëhapur. Kur juve t’ju mbyllet goja e të mos shpenzoni më qoftë edhe qindarka për ta (meqë ra fjala te paratë, edhe çifti Çeska Mali bën pjesë në atë grupin e njerëzve që kërkojnë para për të dalë në kopertina revistash, kemi folur për këtë, por kaq sa po shtohen, ndoshta do të flasim prapë), ne do të gjejmë diçka tjetër për t’ju dhënë. Nëse do të jetë më e mirë apo jo, këtë prapë do të na e tregoni me kuletën tuaj. Ama, do të vihemi të gjithë në lëvizje për t’iu qasur ca asaj pyetjes në krye. Ah, e pranoj që fotot nudo të Rezarta Shkurtës, megjithëse ishin nëpër të gjitha gazetat njësoj, kuriozojnë. Sado që foto nudo të Rezartës janë parë këtu e ca vite më parë, vetëm se tani Rezarta vendosi ta lëshojë një çikë dorën e filloi t’i nxjerrë. E para ishte ashtu si e mbështjellë, po nuk mbarojnë me kaq, ka të tjera. Po ja, sa të harrohen pak këto, pastaj vazhdojmë me materialet…. Të gjitha këto unë me të dëgjuar i kam, bën vaki dhe s’janë të vërteta, ju i gjykoni vetë. Ah, se harrova, edhe këtë muhabetin e Nexhmijes me Kadarenë, mos e hani kallëp, përpunojeni ca… Kështu dëgjova, të paktën.











