“Tanë moj, Marigonë e ke me barrë. Më tha Vasillua, që i kishte thënë Zoica. Ja, ku e ke dhe këtu, mu në mes të filxhanit. S’ke ç’më fsheh, Marigonë e ke me barrë…”
Situata të tilla komike, mbase jo në këto përmasa sa të bësh 7 teste shtatzënie, por gjithsesi komike, na kanë ndodhur të gjithëve. Sa herë kemi thënë se komshisë tri shtëpi më poshtë i dalin të tëra. “Pse nuk më tha mua ajo për atë rrugën e gjatë, hë moj e mban mend, po për atë dorën e lekëve që do shpenzoja?! Më tha pra më tha, po nuk të kujtohet ty”. Deri këtu është OK, të gjithë marrim e japim para, shpenzojmë, harrojmë ku i kemi shpenzuar etj. Po si t’ia bëjmë hallit kur e gjithë kjo kthehet në mani? Kur t’i e shpërfill
komshien se nuk të gjen gjë për ‘atë’, shpërfill edhe atë të lagjes tjetër, provon të gjitha të qytetit, dëgjon që është një e mirë fare në të hyrë të Fierit, po edhe një tjetër që s’ta përton, t’i thotë të tëra, por që duhet të kesh një të njohur se ajo nuk vjen kështu, dokudo. Duhet që më parë t’i thuash një emër, me të cilin t’i jetë rrahur veshi që të pranojë të të vijë në adresën e dhënë. Përgjithësisht, këto “të mirat fare”, me faturë më të majme, nuk kanë një seli fikse, të vijnë aty ku u thua. Po ka edhe ca të tjera, me më pak famë, por që u qëllon që çoku u shkon edhe në ndonjë personazh i njohur. Burimi është i dorës së dytë (nga një dëshmitar okular): Balina Bodinaku nuk po i ndahet filxhanlexueses. U bë kaq kohë që e sheh filxhanin përditë. Se si e ka hallin ajo vajzë, asnjë nuk e di, o së paku s’i ka ardhur njeriu në vesh (ajo e filxhanit natyrisht që nuk hap gojë vetëm se ishte ndier pak në siklet se nuk dinte ç’t’i thoshte përditë), po që do të dijë çdo vakt se si do t’i shkojë vakti tjetër, kjo është e sigurt. Të
gjithë menduan se ajo u fejua e u sistemua, po s’paska qenë e thënë rehatia për atë vajzë. Ose i është kthyer në zakon të pavullnetshëm, s’dimë ç’të themi! Donim vetëm t’ju paralajmëronim, jo se na duhej të merreshim me punët e Balinës. Kujdes nga këto superfallxhoret! Ju “Vip” -sat një herë që ju përdorin për CV. “Ia kam parë filankës e filankës ëëë! Të tëra i kanë dalë. Dhe i thashë, po s’ishte kshu si them unë, do takohemi prapë bashkë”. Politikanët përpara fushatave janë gjithaq të përfshirë në këtë mani ngjitëse. Por çështjet e tyre nuk përhapen dhe aq (emrat po), se tek e fundit janë për punë pune. Ato për të cilat shqyejnë veshët ‘të këputurat’, është gjithmonë “AI”. Do e ketë a s’do e ketë shtëpinë me oborr?! Ka më gjë me atë tjetrën, apo jo!? Kush do jetë dhe në ç’situatë do vijë ai i madhi fare?! Mundet edhe që ndonjë nga fatet e secilës të qëllojë me leximin e parashikueseve, por me ç’ka treguar historia, oktapodi ka dalë më i famshmi :P. Nejse, nejse, ju vazhdoni po kujdes se ju
del boja, po ne nuk po jua nxjerrim sheshit. Ju e shihni vetë, as emrat nuk jua përmendëm!
Ju të tjerët, që e keni fiksim o ta shihni o s’ka, mos u gënjeni nga emrat e atyre që dalin në televizor e që ju përmend filxhanxhesha për t’ju mbushur mendjen. Rrallë e tek u ka dalë ndonjë gjëzë…











