I keni parasysh ato makinat e golfit? Keni luajtur ndonjëherë? E mirë, i keni parë nëpër filma pra. Ia hipën Tiger Woods nga fillimi i fushës e i duhet t’i afrohet goditjes së radhës, por këtë gjë nuk mund ta bëjë në këmbë. Përveçse ka pengesa ujore, loja e tij mund të përshkojë një gjatësi prej 6 km, në një sipërfaqe toke prej 75 hektarësh. Jo se si përballon dot, po për kollajllëk loje përdoren këto makinat e vogla. Makina i thënçin, po ashtu ca gjëra me rrota e me bateri më duket. Eee, se jua zgjata kot, si këto makinat kemi edhe këtu në Tiranë. Na se mos lëshoheni ju e kërkoni edhe fushat e golfit, meqë makinat i gjetët! Ato nuk i kemi jo, po si fillim kemi sjellë makinat që duhet thënë se për funksion kanë pothuajse të njëjtin. Ngrenë e transportojnë njerëzit nga një vend i caktuar në një vend tjetër. Do thoni ju po ata që transportohen ç ’duan që bëjnë xhiro kot, s’kanë makina vetë?! Makina vetë ata kanë, por ja që nuk është e mundur që makinat e vërteta të futen nëpër të gjitha zonat, sidomos kur qëllojnë (bën vaki dhe qëllon) të jenë të gjelbëruara! E mo bëni sikur s’keni parë gjelbërim me sy, e keni një liqen artificial me ca pemë ku vrisni vapën. Pikërisht aty, në zonën e
Liqenit Artificial, gjendet edhe një palestër e kripur ku domosdo shkojnë njerëz të kriposur. D.m.th me shije ë! Kështu pra, kjo palestra ka në dispozicion dy a tri nga këto gjërat me rrota që shkon e i merr te parkingu ku lënë makinën, për t’i çuar në ambientin ku çlirohen energjitë negative dhe njeriu ripërtërihet. Do thoni ju që këta njerëzit venë që venë deri te liqeni, pse nuk ia fusin një vrapi aty, po bykosen në kondicionerin e palestrës!? E kjo nuk është puna jonë, njerëzit zgjedhin atë që u pëlqen. Pra, marrin çantën me rroba me gjëra, mbyllin makinën, dhe hipin te rrotat me strehë për të përshkuar një distancë rreeeeth, ja qameti 200 metra. Nga Garda, pranë Universitetit të Arteve, deri në fund të asaj copëze rruge, pa parë ende liqenin (një copë pellg, po nejse) me sy. Lexuesit e kësaj rubrike, që tashmë janë kthyer në bashkëpunëtorë, na thanë se një ndër palestraxhinjtë, që megjithëse shpenzon sa e sa kalori, po atë copë rrugë nuk e bën në këmbë, ishte deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi. Me shtrirjen që të lejon sedilja e asaj mini makine, “ëmbëlsinë” e shikimit që e karakterizon, çantën e shpinës, Beni ishte nisur për një seancë palestre, vetëm se nuk mund ta niste me një ecje të lehtë. Në fakt, ajo aty është edhe malore e fortë, pse t’i harxhosh energjitë që në rrugë kur mund të performosh në palestër. Ose pastaj… nuk e di, nuk e di, kshu më thanë!











