Pse i the që të thashë? Të jetë kungull vallë!

Feb 26, 2012 | 13:11

Pati një periudhë, jo shumë larg prej kësaj ku jemi, që ngado ku ngrije veshët, dëgjoje vetëm për gra me barrë. Këngëtare, aktore, spikere, gazetare, infermiere, bufetiere… të tëra me barrë! Për ‘dhuruesin’ nuk flitej shumë, të paktën jo në të gjitha rastet, veçse brom-i i ngjizjeve u kthye në fenomen. Pastaj njerëzit u morën ca me çështjet e emrave. Pas lindjes duhet edhe të emërohet ‘fëmiu’ apo jo?! E para që tërhoqi, vëmendjen ishte emri i vajzës së Inis Gjonit, Coco Antuanet, frymëzuar prej njërës nga personazhet e pjesës ‘Salla e banjës’. Pastaj lindi Aurela Gaçe. Statuset e saj në facebook njoftonin se sapo kishte ardhur në jetë Grace, që në fakt duhet të lexohej Grejs. Pastaj Dan i Jonida Maliqit, Amarisi i Sonila Meços e me radhë… Jemi ende në pritje të pasurimit të listës së emrave, sepse jo të gjithë ‘ujërat kanë plasur’.
Si duket, kjo tendencë paskësh qëlluar kaq e këndshme për t’u biseduar nëpër tavolina, saqë me lindjen e njërës, duhej doemos të futej një tjetër në skenë. Ose të paktën, të hamendësohej kështu. Le po të ish ndonjë martesë e re, e beftë, i vihej vulë muhabetit. “Është shtatzënë me siguri! Po ashtu do jetë sepse të martohej kaq shpejt ajo, kur u fejua!? Apo ndenji kaq dhe tani i bëri të tëra fët e fët…”. E habitshme ish që goja-gojës të tilla nuk qarkullonin vetëm në rrethet e afërta të “të lakuarit”, apo në të njohur me rreze më të largët. Biseda të tilla bëheshin edhe mes mamave, nëpër lagje, gjatë publicitetit të telenovelave. Njërës i shkrepte në kokë ideja gjeniale se filania ish me barrë, dhe mikeshat kujdeseshin të vinin tellallin. Ndodhi kjo edhe me Ami Toskën. Pas një daljeje publike të çiftit, ku Ermali i dhuroi së shoqes një palë pupa bebesh, duke e interpretuar këtë si plan të mundshëm për të pasur së shpejti fëmijë, të nesërmen, në gojët e botës Ami ‘ngeli me barrë’. Interpretimet stërholloheshin pas çdo shfaqjeje të protagonistes së radhës në publik. Në një përurim, ku pati qenë e ftuar, Ami tha se kish ethe a se ashtu donte, dhe nuk e hoqi pallton. Po a mund të lejohej kjo nga sytë kureshtarë?! Kjo ish e patolerueshme. “Hë pra, pse nuk e heq pallton ajo, nuk ishte as ftohtë një herë! S’e marr vesh se çka këtu për të fshehur”,- thanë. Rreth kësaj Ami u pyet e u stërpyet, vazhdonte të thoshte jo, po kush e besonte se!? “Mirë, mirë, le ta mbajë për vete edhe nja dy muaj, ku do vejë pastaj?!”, vijuan. “Peshku” më i ri në treg është deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, prej nga morëm spunto për ta trajtuar këtë temë. Në fakt është folur prej kohësh që ajo ka një lidhje me një koleg të sajin, gjithashtu deputet i PS, por asnjë burim zyrtar nuk e kishte pohuar këtë gjë. Domosdo që Olta vetë jo e jo. Tek tirrnin historinë e saj, nuk kishin harruar t’i fusnin edhe një shtatzëni në sfond, por gjëra që kaluan jo me shumë bujë, bënë vetëm ca xhiro të shkurtra në një rrethrrotullim të ngushtë. Poooor… ngjarja nuk ishte e thënë të mbyllej me aq. Edhe pse pak kohë më vonë u servir një e dhënë e re që e bënte historinë të trajtohej nga e para. Jo më shumë se dy javë më parë u botua në media se deputeti i PS, njëherazi pretendent i mundshëm i një historie dashurie me Oltën, kërkonte divorc nga e shoqja në Gjykatën e Tiranës. “Kërkesë-padia për divorc e deputetit të qarkut Tiranë është depozituar në muajt e fundit të vitit 2011, por ajo ka kaluar “pa zhurmë” në korridoret e Gjykatës së Tiranës”,- thuhej në shkrim. Opaaa… e çfarë duhet më shumë!? Tek e fundit, thashethemi ishte i përsëritur, kështu që diçka të vërtetë duhet të kishte, po pse Olta, pikërisht pas këtij lajmi të bërë publik, duhet të ishte doemos me barrë?! “Epo është, se ndryshe nuk ndahej tjetri nga gruaja”, ish një alternativë e mundshme. Tjetri mund të ndahet për një mijë arsye, por jo, fiksimin e kanë të gjithë atje. Nuk e mohon kush që ajo është një ngjarje e madhe për çdo femër, më e madhja, më e rëndësishmja, por a e keni menduar ndonjëherë se si mund të jetë në rastet kur është vetëm një fantazi juaja? Goja nuk sjell gjë mo jo, apo prandaj e bëni, të ndillni mirë?! Tani të tërë i kanë sytë nga Arbana. Vetë tha, jo po të mos e mbajë fjalën po deshi, presin bota. Po aq e kanë, sa fillon e të duket pak barku, pastaj bihen rehat dhe gërmojnë për ngjizjen e radhës…

© Panorama.al

Te lidhura