Keni dëgjuar ndonjëherë që filan artist a politikan u nda nga gruaja pse i kishin dalë në gazetë fotot ku dukej sheshit me atë tjetrën duke dalë nga moteli në Mullet? Jo, po keni dëgjuar na e thoni mos të flasim edhe ne kot. Nejse, këtej nga anët tona nuk është dëgjuar gjë. Po të kishte ndodhur, me siguri, do ta merrnin vesh të gjithë. Tani ju e dini, nuk është se ka ndonjë engjëll, përkundrazi. Por fakti që askush nuk boton fotografinë e një burri të martuar, me një biondinë bukuroshe, nuk do të thotë që askush nuk e ka shtënë në dorë imazhin e ‘të përvëluarve’. Se pa i patur, vetëm me bisedat që dëgjon lart e poshtë për njërin e për tjetrin, po e marim të mirëqenë që nuk mund të jesh i besueshëm. Po kur faktet i ke aty, në tavolinë? Ç ’t’iu bësh? T’i nxjerrësh? T’i botosh? (Apo thuaj me ato fakte që kanë vetë, ata të fotografive, i bëjnë t’ëmën, edhe kasacionit). Le që kujt t’ia botosh më parë? Po u hap loja, vargu është shumë i gjatë. Nuk më erdhi ashtu kot, nga vapa, frymëzimi për këtë temë. Jo më larg se dy ditë më parë, më qëlloi të shihja fotografinë e një personazhi të njohur të televizionit, fushës së spektaklit, duke u fërkuar me njërën nga koleget e tij. Në këtë rast, edhe ‘kolegia’ qëlloi të ishte paksa e molepsur për hesap të saj, por me
siguri në atë orë të natës kur ishte shkrepur fotografia, partnerët përkatës të dy zogjve, kanë pasur punë më të rëndësishme se sa të merren me agjendën e njerëzve të shtëpisë. Për biondin, kisha dëgjuar që i pëlqente të ndërronte shpesh gjellë, po për biondinën jo. Nuk është se bën pjesë në listën e atyre personazheve që të tërheqin vëmendjen, edhe ashtu mund të ketë qenë. Vajza ka atë buzëqeshjen e stampuar, fytyrën e bukur, dhe asgjë më intriguese se kaq për t’i rrëmuar historinë. Po edhe ato të dyja, janë argumente të papërballueshëm për puthësin e fotografisë. Të paktën aq sa të mos ja ndaj sytë për disa ditë.
Jo se pastaj do ndaj mendjen të kthehet te shtëpia vet, po ç’të sjell minuti, s’të sjell viti, s’i dihet. Prej të dyve dëgjojmë intervista të shkruara e të folura ku na flasin për familjet, fëmijët (në rastet kur kanë), dashurinë si një ditë e një ditë, shkëlqimin e syve, kimisë, mirëkuptimit, respektit…Jo se i beson njeri, (edhe pse ata vetë duke i përsëritur kaq shpesh kanë filluar t’i besojnë edhe vetë) po të paktën të mos na ballajdisin fare. Po të kthehemi te pyetja e fillimit, ç’të bëjmë me këto foto (për çdo rast janë aty ëë, po, po flasim në parim)?
Mos vallë protagonistët janë aq të sigurt që nuk iu ngulet gjemb në këmbë sa kur shohin fotografin t’iu drejtohet, jo vetëm që nuk i heqin duart nga i kanë e si kanë, por përshëndesin edhe me kokë. Madje pikërisht atë çast dhurojnë edhe një puthje, sa për resme. Do thoni ju po nxirrini, pse s’i nxirrni, ç ’kanë bota më shumë se ne që s’lënë llaf pa thënë. Epo bota në krizë është, të keqen na do, pse të infektohemi edhe ne që e kemi në terezi! Pastaj ata atë punë kanë, zihen pajtohen sa me njerën me tjetrën, ne familjen e kemi të shenjtë. Kështu që edhe në do kishit mundësi të shtynit ca kohën me ndonjë thashethem lart e poshtë, nuk ju jepet kjo mundësi. Fotografitë nuk i’ ua tregojmë. Se të thuash atë që është, ju vetëm sa do gajaseshit ca, do shtynit vapën, flaka binte në tjetër vend (i referohemi gjithnjë çifteve të pakompromise). Dhe po ta mendosh hollë-hollë, atij prapë aq i bën, s’është se do zerë mend.











