Meqenëse të gjithë janë shumë të bajalldisur nga kjo puna e Shën Valentinit (ose bëjnë kështu), vramë mendjen për të gjitha mënyrat e tjera që do t’ju bënin të ndiheshit mirë. Për shembull, një alternativë do ishte të ndahesh në këtë ditë? Hë, më ndryshe? Ndoshta pastaj do ishe i/e qetë dhe nuk dhe nuk do rrije gjithë ditën në zyrë, duke rrezikuar edhe drekën në restorant vetëm pse do të dukej sikur ke dalë për të festuar nëse je me partnerin, ose për t’u ngushëlluar në rast se jeni një tufë mikeshash. Po të telefonosh për të bërë ndonjë sondazh për shembull, arrin në përfundimin se një pjesë, shtresë e mirë e shoqërisë, gati e përçmon, gati i vjen zor prej saj. Vetëm ndonjë që e ka zënë qymyri rishtazi, ço ku merr për kot, të regjurit rrudhin turinjtë. Për vit, gazeta rozë apo revista të ndryshme si për Shën Valentin si për festa të tjera, bëjnë pyetjet standarde: A e feston, ku, si qysh, tek? Dhe nuk kanë faj. Të gjitha modelet homologe nëpër botë bëjnë të njëjtën gjë. S’lënë më dhurata, të blera e të bëra vetë, të brendshme, udhëtime e ku di unë se çfarë. Vitet e fundit anti-Shën Valentin-ët, u bënë po kaq të famshëm sa dashamirësit e kësaj dite. Eh, u velën shpejt! Xhanëm këtu u rritet sheqeri në fund të javës, po e lëmë meqë është dukuri më e shtrirë se kaq. Në Amerikë për shembull po përpiqen që ta formalizojnë 13 shkurtin si ditën e “Ndarjes nga ish-i”. Hë, është kjo dita juaj, ju pëlqen ideja? Atëherë futjuni punës që një javë më parë. Kthehuni në shtëpi me kanotiere të veshur mbrapsht për shembull ose aty poshtë shkallëve pluskoni ca grimca parfumi femëror ose gjëra të tilla që dini t’i bëni më mirë vetë. Ju mund të mos i bëni enkas. Mund të jeni kthyer vërtet atë pasdreke në shtëpi pas një “shërbimi të vështirë”, po gjithsesi edhe nëse nuk ju ka qëlluar në atë ditë, merruni vetë me këtë punë. Ata meshkuj që nuk duan të shkojnë deri në këtë ekstrem, por që as nuk duan ta dëgjojnë partneren qoftë edhe ta përmendë këtë ditë veçmas të tjerave, le të shkojnë të bëjnë një ndeshje futbolli me kolegët. Barku do ju ishte mirënjohës! Uuu, le që jo, si harrovaaa?! Janë me fat, s’ke ç’thua. Siç do Zoti vetë, në datën 14 shkurt, dy mbrëmje pas kësaj të sotshmes është Champions Leagueeeee. Janë ndeshjet e para që kanë dalë nga grupet. Jo po le të guxojë ndonjëra të shohë me bisht të syrit për humorin e mimikës së fytyrës së tij teksa del nga dera, jo kot, si për t’i thënë të të pres zgjuar? Bayern Leverkusen-Barcelona dhe Lion-Apoel janë qëllimet e asaj dite që mund të shoqërohen për shembull me disa Paulaner të turbullta, se sikur s’ia vlen të përmendim verëra franceze tani, nuk është atmosfera. Nga ata të njohurit që do të ndjekin pikërisht këtë skenar, ka plot, ne s’po merremi me komente, po ju publikojmë vetëm fotot. Ndonjë nostalgjik që e di akoma se fanella e Barcelonës është e verdhë me jeshile, por që gjithsesi nuk do t’ia dijë për Shën Valentinin, mund të hedhë një sy andej nga “Dashuri në kohërat e Enverit”. Vetëm ballajdisje që s’ka, ku të kishte! Erand Sojli do ta nisë këtë cikël shfaqesh pikërisht më 14 shkurt për ta vazhduar çdo javë deri sa… e di ai. Prandaj, O Burra! Zgjidhje ka! Po dhe ju graria mos u ankoni se nuk ju ka rënë keq. Për inat të tyre, në mbrëmjen e së martës mund të shihni “Shtëpiake të dëshpëruara”!!!
Mos ka ndonjë kategori tjetër që lamë pa përmendur? Të marrin librin që po ju propozojmë më poshtë, është fiks për atë punë.
ANI JAUPAJ











