Pse i the që të thashë? Një jaht-lodër për Albana Osmanin

Aug 21, 2012 | 15:34

E mo, me pushime akoma?! A lum ju! Po keni rënë ndonjë çik në sy apo hiç, e keni mendjen vetëm për party me shkumë! Hapni, hapni sytë se bëhet nami andej, mos u gënjeni me një kovë ujë që ju hedh banakieri pas cigares së shtatë të hashashit e merrni për kot. I shihni a si s’i shihni jahtet që ju vizitojnë bregun?! Bën vaki ndonjërin syresh e gjeni edhe të disponueshëm për t’ju strehuar, se u robtuat nëpër sfungjerët e kampingjeve që pushtuan këtë verë çdo hapësirë të lirë shkurresh. Fle robi si njeri, jo ashtu me dush të ftohtë që të mos e marrësh veten deri në gushtin e ardhshëm. E ç’ta zgjas kot, aty te jahti e kam të gjithën, aty ka ngecur gjuha. Dje, një gazetar i Top Channel ka shkruar në faqen e tij në facebook se një sheiku egjiptian i paskësh lind në zemër dëshira e zjarrtë për t’i dhuruar drejtueses së emisionit “Poke”, Albana Osmanit, një jaht i cili për momentin ishte ankoruar në brigjet e Kroacisë. Nuk e vëmë fare në dyshim që për një çast u ka ndalur zemrën gjithë kolegeve të saj kudo që ndodhen… pale ç’kanë sharë e mallkuar të shkretat, nga i ra ky fat asaj, ç’të mira paska bërë, kush bëri mirë e gjeti mirë në këtë dynja e të tjera të folura me vete nëpër gjumë si këto. Në fakt, për pak kushdo mund të hutohej. Domosdo, po të lexosh mesazhet e Nazimes që kërkon një 100 lekë për të blerë një rrip, e të dëgjosh pastaj për jahtin…kokërr gruri është ajo e shkretë! Por mund të ktheheni në realitet, sepse ëndrra janë, bën vaki dhe s’dalin. Ishte e gjitha një lojë e kolegut të saj. Pasi kishte parë regjistrimet e emisionit “Poke”, drejtuesja ishte lidhur për një intervistë në skype drejtpërsëdrejtiiiiiii me sopranon Inva Mula nga jahti i të shoqit, Ethem Ramadanit. Albanën kushedi e ka kap ndonjë gjendje të fikëti, ka nisur vërtet të flasë përçart si ato vajzat që folën dje për të, dhe nëpër ëndrra do ketë thurur me zë, skenarin se një sheik i kishte dhuruar një jaht. Ah moj Albana ç’të gjeti! Po nga vajte e u plekse me të birin e tetos, ngatërrove kot një dynja. Nejse, pasi kontaktuam me të, mësuam se për momentin gjendja e saj shëndetësore paraqitet e mirë. Parashikohet sërish det i trazuar deri në përfundim të edicionit të radhës së emisionit “Poke”, ku jahti ose kështjella që udhëton mbi ujë e Ethem Ramadanit do të shfaqet sërish në sytë e saj, por kjo mund të jetë (shpresojmë, duhet) një gjendje kalimtare. Shakara të tilla fati mos na bëftë kurrë! Sado që jahtet në brigjet e Jonit ishin bërë këtë verë si varkat me pedale që i merrje dikur 300 lekë te bregu e që të dilte shkuma për të bërë 200 metra pa ndonjë plan konkret destinacioni! Kështu që edhe graria nuk ka faj, një kovë ujë nga banakieri e hidhen përpjetë, pale t’ua hedhë ai burri…bosh bosh.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura