Gjatë seancës parlamentare të përpara pak ditëve, ku tre deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, Tom Doshit dhe Besnik Baraj iu hoq imuniteti, kishte edhe ca detaje të tjera, përveç lajmit parësor. Pasi Balla i dorëzoi “armën” Kryeministrit, ilariteti i radhës u shkaktua prej deputetit tjetër të PS-së, Tom Doshit. Pas çështjes së palmave ekzotike të Mesila Dodës, si duket Doshit iu kujtua nxehtësia e verës dhe kërkoi pak ujë. Ngulmoi dy-tre herë të lagte pak fytin, por askush nuk iu përgjigj. E si përfundim ujin nuk e piu. E gjithë kjo dukej pakëz e çuditshme. Por, pasi bëmë një kërkim nëpër foto e video të regjistruara kohët e fundit gjatë seancave parlamentare, pamë që në tryezat e deputetëve nuk kishte vërtet ujë. Kërkuam pastaj në sallat homologe, në dukej apo jo ndonjë pikë jete. Nuk shkuam larg shumë, jo se nuk ishte as nevoja. Deri në Kosovë! Secili prej deputetëve mbante në tryezë ujin e vet. Përgjigjja e atij që na ngacmoi për t’i hyrë kësaj teme ishte se nuk ka fonde Parlamenti për të sajdisur njerëzit edhe me ujë, sado që ndonjë përjashtim edhe bëhet. Por, në fakt, fjalët që kishin dalë prej administratës së Kuvendit ishin se e gjitha kjo ishte një masë sigurie. Pale ç’u shkrepet në kokë deputetëve e ia plasin festës me shishe uji! Jo me shishe qelqi jo, se me to përveç shpenzimit që do ishte më i madh, edhe dëmi mund të ishte i paparashikueshëm. Ju kemi thënë që duhet ta mbani mirë me ndonjë burim andej nga Kuvendi, ja e merrni vesh ndonjë gjë. Po të kërkosh të hysh në detaje pastaj, në është kjo apo jo ndonjë rregullore e brendshme e këtij institucioni, këtë nuk do arrini ta zbuloni, por të paktën do të jeni në korrent të atmosferës në përgjithësi. “U ofrova të mbuloja shpenzimet e ujit për gjithë vitin, por nuk më doli gjë”, vijoi të thumbonte Doshi. E në fakt nuk kanë faj, rregullorja është rregullore, masat janë masa. Mund të bëhet ndonjë kompromis vetëm për njerëzit që e kanë biografinë “të panjollosur” e që nuk përbëjnë “rrezik” për shoqërinë. E si mund ta meritosh ndryshe një gllënjkë ujë? Janë seancat e gjata? E çë pastaj? Të shkojnë një vrap te burimi, të shuhen, e të kthehen sërish. Ca vite më parë, në imazhet që dalin nga salla e vjetër e Parlamentit, çoku duket ndonjë masë e lëngshme transparente. Tani jo! S’ka më au-iu. Tani kështu kanë dalë zërat ëëë, ju mos i merrni për kapital, se aq doni. Po që duhet ta kërkosh pikën e ujit në sallën e Parlamentit, këtë mund ta keni vënë re vetë gjatë seancave. Po pate mik, edhe e kap ndonjë gjë. Po të paktën të mos tregohen kaq mizorë edhe me gratë, se duken, janë delikate!











