
“Ndihesh supernjeri! Fluturon! Idetë të vijnë me shpejtësinë e dritës! E gjithë kjo zgjat për 72 orë duke të zënë kohë aq sa një pushim kafeje, por pastaj bie… dhe duhet t’ia nisësh nga e para”. Nuk bën çudi që me gjithë këtë energji t’i përuleshin të gjithë Jacki O, kur i ftonte për darkë në Shtëpinë e Bardhë. Të shtënat e dr. Max Jacobson ishin të përqendruara! Kokteili me përzierje amfetamine, vitaminash, mbytësdhimbjesh dhe placente. Ky ishte kokteili çudibërës që rigjeneronte çdo qelizë e që zgjaste sa tri ditë. Në fund të jetës, ish-zonja e parë e Amerikës u bë pishman për eksperimentet e saj me doktorin e famshëm fizikan, por nuk kishte më vlerë. Bashkë me të, shumë nga miqtë e saj, pre e ‘mrekullisë Max’, ishin bërë të varur nga amfetamina. Po tek e fundit iu përshtatën statusit që lakmuan. Kush mund t’i rezistonte joshjes së Jaquelinës?! Ende edhe sot, xhaketat e saj janë model edhe për më vanitozet. Këtë hyrje të gjatë nuk e bëmë ashtu kot. Përveç stilit të saj që do të mbetet frymëzim i përhershëm, kokteilet janë rikthyer në modë. Vetëm se tani nuk është e nevojshme të jesh i ftuar special i vilës “Etna” për t’i provuar. Dhe të sqarohemi që në fillim; qëllimet nuk janë fare ato të Shtëpisë së Bardhë. Energji, këta tanët, kanë sa të duash, vetëm se u prishin pak punë linjat për ta pasur performancën të kompletuar. Stilistja Enada At’Nikolla, përveç këshillave të modës, e ka gjetur tashmë zgjidhjen edhe për këtë. Ka zbuluar doktorin çudibërës me kokteilet e tij të famshme, që po çudisin dynjanë. Kokteili është i përbërë nga përzierje substancash që injektohen në trup, në zonën tënde më bujare, dhe tak, si me magji, një javë më pas, nuk je më ajo e para. Porosit ti për shembull një fustan pa mëngë, por kishe harruar që krahët lëkundeshin

lirshëm? Një ‘gotë’ kokteil dhe mallkimet që i bëje çdo vakt pasqyrës, do të jenë vetëm kujtime. E pushton të gjithë hapësirën e kolltukut në ndonjë studio ku të thërrasin të duartrokasësh?! E thjeshtë, herës tjetër, me dy kokteile, do zësh vetëm gjysmën e tij. Tani, edhe kaq fare të thjeshtë mos e merrni. Jo se do t’ju zërë koktaili, e shumta mund t’ju zërë çmimi. Por nëse jeni klientë të sallonit të At’Nikollës, siç mund të jenë shumë gra biznesmenësh, politikanësh, atëherë mund t’ia dilni. Pse, çfarë kanë ato më shumë se ju?! Ato nuk u menduan fare të provonin kokteilet e doktorit, sa në krahë, këmbë, bark e ku t’i zinte halli. Rezultatet domosdo që janë të dukshme. Efektet?! E për çfarë duhen, a të rri fustani mirë?!
ANI JAUPAJ











