Ma hiq pak këtë brinjën se më bezdis!
Ç’nuk na shohin sytë e ç’nuk na dëgjojnë veshët. Sytë janë pak më me fat në fakt, se nuk pataksen dhe aq, po veeeeeeeshët, mjerë ata ç’po heqin. Ndodh kështu sepse një pjesë e mirë e gjërave, duke kaluar nga goja në gojë, domosdo që fryhen. Secili i jep vetes pak të drejtë autori, shton edhe aftësitë rrëfenjëse të tij për të ngacmuar ilaritetin e kështu qimja bëhet tra. Ama thelbi është i vërtetë. Çudia që dëgjuam këtë herë për tentativat e njëpasnjëshme të femrave për t’u dukur të holla, i kaloi limitet e imagjinatës. Të paktën për ne “jashtëtokësorët”, se për ndonjë njeri “normal” mund të jetë praktikë dite. E pra, na thanë se pas gjithë dietave nga janë e nga s’janë, vrapit, palestrës, djersitjes, baltërave, masazheve me okllai, koktaileve, e gjithë peripecive të tjera, shkenca kishte përparuar edhe më. Nëse nuk e arrin siluetën që do edhe pasi je bërë kockë e lëkurë, paskërkësh një tjetër zgjidhje, të heqësh për shembull një brinjë. Dëgjuam që e ka bërë këtë gjë në Shqipëri një këngëtare mjaft e njohur dhe një modele. Ose të paktën, në tentativë për të qenë e tillë. Përveçse kishte hequr secila prej tyre nga dy brinjë për të holluar belin, kjo e fundit kishte ‘limuar’ paksa edhe kupën e gjurit për ta pasur më të hollë. Nuk mund ta linim këtë gjë vetëm në kuadrin e një thashethemi argëtues, prandaj vendosëm të lidhemi me një mjek. Pyetëm kirurgun plastik Vladimir Filaj nëse ishte e mundur të bëhej një gjë e tillë. “Kjo është më shumë një tezë teorike sesa praktike. Përgjithësisht këto ndërhyrje bëhen në raste defektesh apo problemesh, nuk kemi arritur ende deri aty sa për t’i bërë për arsye estetike. Të paktën deri tani në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo gjë me të tilla motive”. Ama mjeku pranoi se të tilla ndërhyrje mund të bëheshin jashtë shtetit. Aty ku zonja dhe zonjusha në fjalë i kanë të tëra mundësitë. “Nga ana mjekësore nuk është e dëmshme, por varet sigurisht nga personi”. Është apo nuk është e dëmshme graria duhet të sigurohet njëherë më parë, megjithatë, s’i dihet si vjen jeta për ta përdorur në këtë mënyrë. Nejse, është jeta e tyre… ju me tuajën, mendohuni mirë. Vazhdoni me vrapin e me dietat njerëzore, pastaj, ç’fat të keni!
ANI JAUPAJ











