
Apo është këngë e Adelinës kjo?! Nejse, nejse se tjetërkund e kemi hallin… Uaaaa erdhi Bleoooona! (ky është lajmi d.m.th). Më në fund erdhi vetë! Kishte kaq vite që rropatej Amerikës, ça s’bënte, vetëm për të “dërguar” lajme të mira këtej nga Shqipëria, ndërsa tani erdhi vetëëëë. E jo pak, por me një tur koncertesh nëpër të gjithë Shqipërinë. Duhet ta themi që entuziazmi nuk ishte i pakët kur u mor vesh lajmi, pastaj duke u menduar e duke nxjerrë përjetime të tjetra, të ngjashme, sa herë që prej saj dëgjohej ndonjë haber. Natyrisht që vite në treg ka shumë, emrin ku e për çfarë s’ia kemi dëgjuar, kështu që mos u habisni edhe që “eventet” i ka të shumta e të mëdha. Po ta nisim që nga fillimi, më kujtohet që goditjen e parë e kemi përjetuar nga paliçetat e shkurtra të lëkurës dhe pelerina ngjyrë blu që dridhej e përdridhej. Këmbët e gjata ishin e ç’ishin! Pastaj, nga ky sukses i papërmbajtshëm vërshuan edhe kërkesat për koncerte me partitë politike… se domosdo. Por lumturia nuk është e thënë të zgjasë përgjithnjë. Dua të them për ne të tjerët, që e shihnim se ajo me të vetën e lumtur plot ishte. Gjithsesi nga fakti që u rregullua u sistemua me një “princ të kaltër”, pavarësisht se na e mori larg, nuk u ndjemë dhe aq keq. Gani Bardha zbriti nga ëndrrat dhe e zhvendosi vajzën në Amerikë. U kuptua fare qartë që karriera e deriatëhershme kishte qenë fare e rëndomtë krahasuar me atë që e priti. Siç e thotë dhe vetë Bleona, tani, në rikthimin e saj “Famën s’e fiton brenda një nate, ama e arrita më shpejt se Katy Perry” (e pse ashtu bëhen punët me një natë!). Ashtu ndodhi. Në fillim ishte pak e mundimshme, ama pastaj filluan koncertet, gjërat. Takimet me Bert Cavallin, shëtitjet me jahtra nëpër dynja, fotot me rroba, pa rroba… Po fotoja me të gjithë të fortit e Hollivudit, Van Damin, Shvarcenegerin, atë burrin me bisht, ça e kishte emrin… Stiven Segal… Për të vazhduar me filmat amerikanë, ku flitet vetëm shqip (normal!). Pastaj u bë një e pabërë, ajo e poshtra, Christina Koletsa, i vodhi Bleonës një këngë. E kshu, me peripeci të vogla, po kryesisht me suksese, Bleona po kapte Hollivudin e më gjerë. Ne këtej sigurisht që po ndiheshim edhe më mirë vetëm se donim të dinim se ç’po ndodhte më Ganiun, se sikur s’po përmendej më. Se Bleona është tip i hapur, nuk kursehet, as komplekse jo e jo… Përderisa i thotë të gjitha, pse të mos thotë edhe për atë, si u shkon jeta e re, si i përballojnë faturat, etj. si këto… Vërtet karriera, karriera, po njerëzit nuk heqin dorë nga ato të shkreta çështje të zemrës. Nejse, Bleona nuk e ka zënë më në gojë, as tani që erdhi prapë e që do rrijë ca. Dashakeqët duan e thonë që Ganiu nuk qenka më me të… ka ikur, d.m.th janë ndarë. Si e qysh e tek s’dimë gjë, kaq na thanë vetëm seee, ata që e dinin, bënin be e rrufe se ishte e vërtetë. Tani edhe ajo të thotë, i lë njerëzit pezull! Po të paktën, ka famën, ka Hollivudin, nuk është njeri pa njeri. Tani është edhe albumi i ri, e sa t’i ketë të gjitha këto, as ka nevojë për të. Tani, me këtë turin e koncerteve, ku i dihet ç’del!
[portfolio_slideshow]











