Jeta nuk është e drejtë për të gjithë. Një “orë” e brendshme bën që disa njerëz të plaken para kohe dhe të vdesin para kohës së tyre, pavarësisht nëse bëjnë një mënyrë jetese të shëndetshme apo jo.
Ky është përfundimi i një studimi të ri shkencor ndërkombëtar, i cili konfirmon gjetjet e mëparshme të lidhura. Në fakt, kjo tregon se ora biologjike në mënyrë sistematike funksionon më ngadalë tek gratë sesa tek burrat, prandaj të parët priren të jetojnë më gjatë.
Studiuesit, të udhëhequr nga biostatistiani Steve Horvath i Universitetit të Kalifornisë-Los Anxhelos (UCLA), i cili bëri botimin përkatës në revistën “Ageing”, sipas britanikes ” The Guardian”, analizuan mostrat e gjakut nga afërsisht 13,000 njerëz. Analiza tregoi se trupi i disa njerëzve shfaq plakje të parakohshme biologjike, pavarësisht stilit të jetesës.
“Ka njerëz që ndjekin një dietë vegjetariane, flenë dhjetë orë në ditë, punojnë me pak stres dhe ende vdesin të rinj. Ne treguam se disa njerëz kanë një shkallë më të shpejtë të plakjes”, tha Horvath. “Ne shohim njerëz në të 20-at e tyre që po plaken me shpejtësi dhe, 20 vjet më vonë, ata ende po plaken me shpejtësi. Natyrisht ky është një proces i qenësishëm”, shtoi ai.
Sa më shpejt të trokasë kjo orë biologjike, pavarësisht nga mosha aktuale kronologjike e dikujt, aq më e madhe është mundësia e vdekjes së parakohshme.
Për 5% të popullsisë, ora e brendshme e të cilëve “punon” më shpejt se pjesa tjetër e popullsisë, rreziku mesatar i vdekjes rritet me rreth 50%.
Studiuesit theksuan se sa shpejt lëvizin akrepat e orës biologjike, rëndon një mënyrë jetese jo të shëndetshme. Pra, një 60-vjeçar me një orë të shpejtë biologjike, i cili gjithashtu pi duhan dhe ka një punë stresuese, ka një shans 75% për të vdekur brenda dekadës së ardhshme.
Ndërsa një bashkëmoshatar 60-vjeçar me orë të ngadaltë, i cili është gjithashtu i stresuar në punë dhe pi duhan, ka 45% më shumë rrezik për vdekje të parakohshme.
Ora biologjike duket se funksionon më shpejt te meshkujt sesa te femrat. Sipas studiuesve, tashmë në moshën pesëvjeçare diferenca e shpejtësisë në “orët” e dy gjinive është evidente, ndërsa në të 40-at “gërshërët” e moshës biologjike në kurriz të meshkujve arrijnë mesatarisht një deri në dy vjet.
“Femrat gjithmonë plaken pak më ngadalë se meshkujt. Nuk ka të bëjë me stilin e tyre të jetesës, ka të bëjë me këtë proces të brendshëm të plakjes që favorizon gratë”, tha Horvath.
Shkencëtarët shpresojnë, megjithatë, se jo vetëm që do të gjejnë mënyra për të ndryshuar orën biologjike kur ajo ecën shpejt, por përfundimisht do ta përdorin këtë njohuri për të zgjatur jetëgjatësinë mesatare të njerëzve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al