TIRANË- Partia Socialiste ka përsëritur sërish sot se do të vijojë betejën ligjore për të rrëzuar vendimin e KQZ-së, që shpalli kandidatin demokrat, Lulzim Basha në krye të bashkisë së Tiranës. Ka qenë deputetja e PS-së, Olta Xhacka që nga selia e PS-së ka bërë me dije se PS është e bindur në drejtësinë e kauzës së saj “përpara së cilës asnjë gjykatë e gjykatës, sado i trysnuar qoftë nga pushteti, nuk mund të mbyllë sytë, pasi pasojat do të ishin shumë të rënda”.
Sipas saj, KQZ me vendimin e saj të pavlefshëm dhe kriminal për shpalljen e Lulzim Bashës fitues në tavolinë, Arben Ristani dhe Sali Berisha u treguan të gjithë shqiptarëve se deri në ç’pikë ka degjeneruar KQZ-ja.
Ajo theksoi faktin se tashmë të gjithë e dinë se Tirana e ka fituesin e saj dhe ai është Edi Rama, pavarësisht se humbësi po përpiqet të grabisë fitoren.
“Tirana ka sot dhe një humbës i cili do të bënte mirë të dëgjonte zërin e qytetarëve dhe të pranonte humbjen. Ky është Luli i Saliut, i cili pasi humbi garën zgjedhore, por përpiqet tani me Saliun e për Saliun të grabisë Bashkinë e Tiranës në tavolinën e Ristanit dhe ndonjë gjyqtari të kapur nga pushteti”- tha ajo.
© Panorama.al











