
Pak ditë para vendimit të Kolegjit për Bashkinë e Tiranës, Partia Socialiste u paraqiti ndërkombëtarëve dosjen e manipulimeve, që, sipas saj, kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.Mesditën e djeshme, kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga disa deputetë, kanë pritur në selinë rozë ambasadorët e akredituar në vendin tonë. BE-ja, Franca, Gjermania, Italia dhe Greqia janë përfaqësuar në nivel ambasadorësh në këtë takim, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe OSBE-ja, janë përfaqësuar me zv.ambasadorët. Në takim, i cili ka zgjatur rreth 90 minuta, janë paraqitur pamje filmike dhe disa prova të tjera që tregojnë për manipulimet në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Në përfundim të takimit, i pari që ka dalë ka qenë ambasadori i Bashkimit Europian, i cili interesimit të mediave iu përgjigj: “U njohëm me faktet, kjo ishte e gjitha”. Pak minuta më vonë, deputeti Damian Gjiknuri, i cili ishte i pranishëm në takim, doli para mediave ku dha detaje nga biseda e kreut të socialistëve me ambasadorët e huaj në vendin tonë. “Qëllimi ishte për të bërë një demonstrim përpara Trupit Diplomatik në lidhje me të gjitha ato gjetje që ka nxjerrë hetimi i kryer nga grupi hetimor që ka ngritur Partia Socialiste në lidhje me gjithë ato shkelje, ku një pjesë e tyre janë bërë publike dhe në media. Gjithashtu, edhe me argumentet tona ligjore, nisur edhe nga praktikat e mira ndërkombëtare, nisur edhe nga precedentët që ka vendosur Kolegji Zgjedhor, se përse këto zgjedhje duhet të shkojnë drejt pavlefshmërisë dhe përsëritjes”, tha Gjiknuri. Gjatë këtij takimi, zyrtarët socialistë kanë përmendur edhe dy vendime të mëparshme të Kolegjit Zgjedhor, të cilat kanë pasur ngjashmëri me Tiranën dhe që kanë shkuar në pavlefshmëri. Sipas PS-së, e njëjta situatë ka qenë edhe në Armen të Vlorës dhe Kolsh të Lezhës, ku për shkak se u gjetën vota më shumë se votues dhe ato kishin ndikim në rezultatin përfundimtar, u urdhërua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ribëjë edhe njëherë zgjedhjet. Të mërkurën, më 6 korrik, do të zhvillohet seanca e fundit gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor për të përcaktuar se kush do të jetë fituesi i Tiranës. Në padinë e Partisë Socialiste kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve si pasojë e mospërputhjes së votave. “Ne çmojmë se nuk mundet të shpallet fitues një kandidat me 93 vota më shumë se kandidati tjetër në kushtet kur ka fletë votimi më shumë në kuti se votues, dhe kjo është disa herë më e lartë se diferenca e votave ndërmjet kandidatëve. Nuk mundet të shpallet fitues edhe në kushtet e paligjshmërive të tjera të rënda, të evidentuara dhe të provuara në më shumë se 284 qendra votimi”, thuhet në kërkesë-padinë e PS-së. Socialistët argumentojnë në kërkesën e tyre dhe shkeljen e ligjit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që rrëzoi kërkesën e tyre. “Përpara shkeljeve të tilla flagrante dhe të rënda të ligjit, si dhe në kushtet e diferencës së ngushtë ndërmjet dy kandidatëve, KQZ duhej t’i shpallte zgjedhjet të pavlefshme në të gjithë njësinë zgjedhore Bashkia Tiranë”, thuhet në kërkesë.
Këshilli Bashkiak, KQZ ndan të hënën mandatet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet të hënën për të miratuar vendimin për ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Miratimi i tabelës përfundimtare të kryeqytetit i hap rrugë ndarjes së vendeve në Këshill dhe më pas konstituimit të tij. Megjithatë, pas vendimit të enjten në mbrëmje për rezultatin e Këshillit Bashkiak, formalisht duhet pritur tri ditë për ankimet e mundshme që mund të bëjnë partitë po në KQZ për shifrat e nxjerra. Partia Socialiste kundërshtoi tabelën përfundimtare me pretendimin se edhe në këtë rast nuk përputhen numrat përsa u përket votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje me votat e gjetura në kuti. Nëse PS-ja do të mbajë të njëjtin qëndrim edhe gjatë mbledhjes që do të zhvillohet të hënën, Këshilli Bashkiak i Tiranës mund të ketë të njëjtin fat me atë të minibashkive. Nëse nuk arrihet kuorumi prej pesë votash, partitë duhet t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











