PS tërhiqet, Tirana shtyhet sërish

Jul 7, 2011 | 11:08
Kolegji zgjedhor dje gjate vendimit

Vendimi i Kolegjit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës shtyhet për ditën e sotme.Kur pritej që seanca e djeshme në Gjykatën e Apelit t’i jepte fund betejës ligjore për kryeqytetin, një lëvizje taktike e socialistëve ka bërë që e gjithë vendimmarrja të shtyhet me të paktën 24 orë.
PS-ja kërkoi që çështja mbi të cilën ishte ngritur kërkesa e saj ankimore të pushohet, çka u pranua nga pesë anëtarët e Kolegjit.
Kërkesa e parë
Në fillim të mbledhjes së djeshme, relatori Astrit Kalaja bëri të ditur faktin se pranë trupit gjykues kishin ardhur dy kërkesa paraprake, një nga Partia Demokratike, dhe një nga Partia e Pensionistëve. PD-ja kërkonte që dy paditë e socialistëve të bashkoheshin në një të vetme dhe të shqyrtoheshin dje, për faktin se ishin të së njëjtës natyrë. Ndërsa Partia e Pensionistëve kërkonte edhe ajo që kërkesa e saj të bashkohej me kërkesën e parë të PS-së, që kërkoi pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë. Pasi u vunë në dijeni të këtij fakti, socialistët kërkuan 15 minuta pushim për t’u njohur me kërkesat e dy partive dhe për të dhënë qëndrimin e tyre. Relatori i çështjes dha 30 minuta pushim dhe të dyja palët u ndanë për të vendosur se çfarë pozicioni do të mbanin. Në orën 10:45, seanca rifilloi dhe avokati i PS-së, Arjan Salati, kërkoi që meqë socialistët kanë depozituar një tjetër kërkesë në Kolegj, ky i fundit të vendosë pushimin e çështjes së parë. “U njohëm për dy kërkesat e paraqitura nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve dhe PD-ja, dhe në këto kushte, duke qenë se kemi edhe një padi tjetër në gjykim, ne si subjekt zgjedhor heqim dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje, duke i kërkuar Gjykatës të vendosë pushimin e gjykimit. Flas për çështjen që kemi sot për gjykim”, u shpreh Salati.
Nga ana e tyre demokratët e përkthyen këtë tërheqje taktike të PS-së si shenjë mosbesimi ndaj këtij trupi gjykues. “Nga pikëpamja e thelbit të kërkesës ne nuk mund të pajtohemi me këtë shfaqje të hapur të mosbesimit që paditësi i bën trupit gjykues duke i thënë hapur se ‘ne nuk kemi besim të drejtojë ky trup gjykues’, me këtë diversion që i bëhet procesit. Ne kemi besim te ky trup gjykues, te trupi tjetër gjykues dhe te i gjithë Kolegji”, tha avokati i PD-së, Ivi Kaso. Sipas demokratëve, kjo tërheqje ka si qëllim ta zvarrisë më shumë procesin zgjedhor. Ndërsa nga ana e tyre socialistët u shprehën se PD-ja kërkonte ta fitonte çështjen me anë të procedurave.
Kërkesa e dytë
E gjithë vëmendja e opinionit publik dhe beteja ligjore e partive do të përqendrohet në seancën e sotme të Kolegjit. Përpara përfaqësuesve të partive do të jetë përballë një trup gjykues ku vetëm njëri prej gjyqtarëve ndryshon nga ai i seancës së djeshme. Në vend të Petraq Dhimitrit, sot në seancë do të jetë Meriban Mullaj, ndërsa Sashenka Jonuzaj do të jetë relatore e çështjes. Kjo kërkesë e dytë e Partisë Socialiste synon të vërë në lëvizje Kolegjin Zgjedhor për ta detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të marrë vendim për kërkesën e saj për pavlefshmërinë në Tiranë.
Më 28 qershor, KQZ-ja, me katër vota pro vendosi të mos marrë në shqyrtim kërkesën e PS-së për rivotim me pretendimin se nuk është kompetente për ta vlerësuar këtë ankim dhe për faktin se ai ishte jashtë afatit. Përpara Kolegjit sot do të jenë dy alternativa. E para, nëse Kolegji do të pranojë kërkesën, KQZ-ja do të jetë e detyruar të shprehet për ankimimin e socialistëve. Në këtë pikë, sipas të gjitha gjasave, KQZ-ja do ta rrëzojë ankimimin dhe sërish çështja do të shkojë në Kolegj. Ky i fundit do të shprehet në fund për të gjithë kërkesën që ka të bëjë me mospërputhjen e shifrave në Tiranë. Varianti i dytë është që trupa e pesë gjyqtarëve të rrëzojë kërkesën e PS-së për ta detyruar KQZ-në për të marrë vendim, e gjithë beteja ligjore për Tiranën të marrë fund dhe Lulzim Basha do të shpallet fitues me 93 vota më shumë. Në këtë pikë, shpresa e fundit e socialistëve do të mbetet te kërkesa e Partisë së Pensionistëve, që do të shqyrtohet të premten në mesditë, ku në thelb të saj është sërish pavlefshmëria e zgjedhjeve në Tiranë.

284 Qendra

Në kërkesën e Partisë Socialiste kërkohej që të shpalleshin të pavlefshme zgjedhjet në 284 qendra votimi në Tiranë, nga 485 qendra që ka kjo zonë zgjedhore. Në padi thuhej gjithashtu se nga tabela përfundimtare e miratuar nga KQZ-ja rezulton se janë 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar më 8 maj.

Debati i plotë në seancë

Astrit Kalaja (relatori i çështjes): Hapim seancën. Partia Demokratike ka bërë një kërkesë për të bashkuar dy paditë e Partisë Socialiste. Gjithashtu, edhe Partia e Pensionistëve të Shqipërisë ka bërë një kërkesë ku kërkon që padia e saj të bashkohet me atë të Partisë Socialiste.
Arjan Salati (përfaqësuesi i PS): Duke qenë se u vumë para një fakti ku janë paraqitur 2 kërkesa, do t’i kërkonim gjykatës të paktën 15 minuta kohë t’i lexonim dhe në varësi të tyre do ta shohim nëse do ta bëjmë kërkesën tonë paraprake.
Astrit Kalaja: Kërkoni kohë që të njiheni me kërkesat?
Arjan Salati: Po, kërkojmë një kohë të arsyeshme.
Dëshira Pasko (përfaqësuese e KQZ): Edhe ne duam kohë, sepse nuk jemi njohur me kërkesat e reja.
Ivi Kaso (përfaqësues i PD): Ne ia lëmë gjykatës të vendosë.
Astrit Kalaja: Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për 30 minuta.
Përfaqësuesit e dy partive ndahen për të konsultuar kërkesën e PD-së për bashkimin e dy kërkesave.
Astrit Kalaja: Vazhdojmë seancën gjyqësore, e cila u ndërpre pas kërkesës së palëve.
Arjan Salati: Është e vërtetë se PS-ja ka paraqitur padi para Kolegjit për vendimin e KQZ-së. Po ashtu është e vërtetë që PS-ja ka paraqitur një kërkesë-padi me të paditur KQZ-në për Vendimin 1160 të datës 28.06.2011, duke e detyruar KQZ-në të marrë vendim për këtë kërkesë. U njohëm për dy kërkesat e paraqitura nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve dhe PD-ja, dhe në këto kushte, duke qenë se kemi edhe një padi tjetër në gjykim, ne si subjekt zgjedhor heqim dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje, duke i kërkuar gjykatës të vendosë pushimin e gjykimit. Flas për çështjen që kemi sot për gjykim.
Ivi Kaso: Koha që u kërkua nga PS-ja ishte të njihej me kërkesat e paraqitura dhe të shprehej për to. Është e vërtetë ajo që tha PS-ja, se kërkesa për heqjen dorë është tagër i tij ekskluziv, por vendimi për ta pranuar është tagër i gjykatës. Ne kërkojmë që gjykata të shprehet për të gjitha kërkesat që janë paraqitur, që nga kërkesa e parë, e dyta, e treta që u bë tani nga PS-ja. Ne kërkojmë që gjykata të shprehet për kërkesën e fundit të PS kur t’i vijë radha. Pra në fillim të shprehet për kërkesën tonë dhe atë të Partisë së Pensionistëve. Përsa i përket thelbit të kërkesës së paditësit, ajo shkon në drejtim krejt të kundërt me atë që kërkojmë ne dhe populli i Tiranës, për përfundimin sa më shpejt të një procesi të stërzgjatur. Nga pikëpamja e thelbit të kërkesës ne nuk mund të pajtohemi me këtë shfaqje të hapur të mosbesimit që paditësi i bën trupit gjykues duke i thënë hapur se ‘ne nuk kemi besim të drejtojë ky trup gjykues’, me këtë diversion që i bëhet procesit. Ne kemi besim te ky trup gjykues, te trupi tjetër gjykues dhe te i gjithë Kolegji.
Arjan Salati: Është në diskrecionin tonë dhe s’ka pse abuzohet për heqjen dorë nga padia me trupin gjykues. Në bazë të Kodit të Procedurës Civile, seanca fillon me kërkesat paraprake të paditësit. Nuk mund të vazhdohet me kërkesat e palëve të tjera.
Ivi Kaso: Ne dimë që kërkesat që bëhen në gjykatë, kjo e fundit duhet të shprehet me vendim. Gjykata të vendosë për pushimin e çështjes. Sipas mendimit tonë, gjykata duhet të shprehet një nga një për kërkesat.
Trupi gjykues tërhiqet për vendim dhe pas 5 minutash vendos të pushojë çështjen.

“KQZ bëri lojë të ulët. Duam pavlefshmëri”

Në përfundim të seancës gjyqësore, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, tha se kërkesa e PD-së për të bashkuar dy paditë e socialistëve nuk qëndronte. Sipas tij, demokratët tentuan ta fusin gjykimin në shtigje të rrezikshme për përfundimin e procesit zgjedhor. “Kështu që nga kjo pikëpamje, për të sqaruar publikun, themi se çështja nuk ka përfunduar, ka akoma një padi të PS dhe presim që Gjykata të marrë një vendim të drejtë për të, në mënyrë që thelbi i kërkesës sonë për pavlefshmëri të jetë thelbi i gjykimit”, tha Gjiknuri. Sipas tij, “padia tjetër ka të bëjë me detyrimin që duhet t’i bënte Kolegji KQZ-së që të shqyrtonte kërkesën tonë për pavlefshmëri të zgjedhjeve. Ndaj, KQZ zgjodhi një taktikë shumë të ulët kur në vendim nuk caktoi rrugën e ankimit dhe e la atë në mënyrë krejt evazive. Dhe e rrëzojnë atë kërkesë në vijim prapë në Kolegjin Zgjedhor, ndaj ne ndoqëm këtë rrugë, hoqëm dorë nga ajo padi për t’i hapur rrugë thelbit të kërkesës sonë, pavlefshmërisë së zgjedhjeve për Tiranën”.

“PS po e zvarrit procesin qëllimisht”

Sipas përfaqësuesit të PD-së në Kolegjin Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, socialistët duan të zvarrisin procesin zgjedhor në Tiranë. “Jemi përballë asgjëje më shumë se një taktike zvarritëse të Partisë Socialiste. Boll të numërojmë numrin e kërkesave ankimore që ka paraqitur PS, kjo është e paprecedent, nuk ka ndodhur asnjëherë, por është në zgjedhje të tyre që të ndjekim këtë taktikë të tyre. Qëndrimi ynë është që procesi të përfundojë sa më parë, që qytetarët e Tiranës të kenë një fitues dhe, në fakt, Tirana sot e ka një fitues”, tha Bylykbashi. Sipas tij, “taktika e PS është që në mënyrë të qëllimshme ta zvarritë sa më shumë që t’i ulë vlerën këtij procesi, por është e pamundur se vota është po ajo. Megjithatë, sot jemi para një kërkese që ka një veçanti, në mënyrë të qartë sulmoi Kolegjin, u tha se nuk kemi besim tek ju, se kështu përkthehet kjo kërkesë e PS, d.m.th. ata thonë, ne e tërheqim këtë kërkesë-padi se kërkojmë një shans më të mirë”.

Minibashkitë, nesër seanca në Kolegj

Kolegji Zgjedhor ka përcaktuar të zhvillojë nesër seancën gjyqësore për një padi të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për 10 minibashki të Tiranës. Relator i çështjes do të jetë Petraq Dhimitri dhe në përbërje të trupit gjykues do të jenë Dhurata Haveri, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja. Një javë më parë KQZ nuk shpërndau dot mandatet në 10 minibashki të Tiranës për shkak se PS kërkoi që në tabelat përfundimtare të rezultatit të përfshiheshin edhe votat e hedhura në kutinë e gabuar dhe që kishin dalë gjatë hapjes së kutive në KQZ. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, theksoi se vendimi është për ndarjen e mandateve, dhe jo për miratimin e tabelave, pasi këtë veprim më parë e kanë bërë KZAZ-të. Në këto kushte, sipas demokratëve, ndryshimi i tyre mund të bëhej vetëm me ankimim në KQZ. Nga 11 minibashki që ka Tirana, PD-ja ka fituar shtatë këshilla, ndërsa PS-ja katër.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura