Java e shkuar paraqiti dy tablo të kundërta brenda socialistëve – nga njëra anë Rama ftoi “të urtët” për t’u këshilluar lidhur me disa qëndrime politike, ndërkohë që deputeti Braçe reagoi hapur kundër modelit të qarkullimit të anëtarëve të Kryesisë së PS-së në qarqe të ndryshme nga ata që janë zgjedhur.
Zëri i “dy palëve” në këtë rast, edhe pse krejt të ndryshëm për nga lajmi, janë një testim për mënyrën se si Rama ka ndër mend të zgjidhë marrëdhëniet me “zërat” që i vijnë prej zërave historikë apo nga ata që flasin në emër të zgjedhësve. Në të parët, ku bënte pjesë edhe ish-presidenti Meidani – një kritik publik lidhur me modelin e aleancave apo përjashtimet nga Rama – u lajmërua vetëm që ndodhi takimi, por nuk u tha asgjë më shumë, duke mos lënë asnjë shpjegim nëse ka ndryshuar Meidani në qëndrimet e tij, apo ka ndryshuar Rama lidhur me kritikat që i janë bërë. Duke qenë të njohur për disa qëndrime krejt të ndryshme, qoftë në rastin e koalicioneve, ashtu edhe në çështjen “Islami”, është krejt e logjikshme që një nga palët në takim të shpjegojë ndryshimet që mund të sjellin të tilla takime lidhur me qëndrimet e tyre të ardhshme. Përndryshe, nëse vetëm është folur pa asnjë reagim mbi qëndrimet e tyre publike, ose ku asnjë nga palët nuk do të ketë një reflektim publik, atëherë kemi të bëjmë thjesht me një skenografi politike, ku Rama tenton të paraqitet në publik si njeriu që i dëgjon mendimet e të tjerëve.
Ndërkaq, nga krahu tjetër, me një qëndrim krejt parimor, ose më saktë vlerësues për zgjedhësit e tij, Braçe deklaroi hapur se mes qëndrimit në Kryesi dhe mbështetësve të tij në Berat, do të zgjidhte këtë të fundit. Ky qëndrim i hapur, përveç e blindon Braçen në mbështetje politike në Berat, e vë Ramën përballë një dileme lidhur me efektshmërinë e vendimit për qarkullimin e anëtarëve të Kryesisë në qarqe të ndryshme. Ndaj, për të mos e kthyer Braçen në një fenomen që mund të zhvlerësojë këtë vendim, sa më parë Rama duhet t’u shpjegojë forumeve të partisë së tij: A vërtet duhej qarkullim pasi ishin bllokuar forumet?
Nga larg, qarkullimi i emrave duket pozitiv, për të bërë të mundur gërshetimin e gjithë socialistëve, pavarësisht se nga ku janë zgjedhur. Por, ndërkohë, qëndrimet e Braçes kanë ngritur dyshimin e fortë se vendimi ka qenë thjesht një show, një lajm më shumë, për të treguar se po ndryshohet. Domethënë, më shumë u ngjan atyre vendimeve për qarkullim kuadri që bënte sistemi i kaluar, sidomos në fund të viteve ’80, duke menduar se në këtë mënyrë mund të përmirësonte një makinë që kishte kohë që kishte ngecur.
Gjithsesi, gjërat nuk janë kaq të thjeshta as në rastin e “të urtëve” e as në rastin e Braçes. Kjo për faktin se, në rastin e takimit më “të urtët”, duke mos dalë me një deklarim në mbështetje nga ata apo të ndryshimeve të qëndrimeve të tij, Rama jep idenë se do të përpiqet të përdorë këdo që ka histori në PS, por në fund nuk do të dëgjojë askënd. Këtë e përforcon edhe rasti i Braçes, i cili ka qenë publikisht korrekt me qëndrimet e tij në Kryesi dhe me mbështetësit e tij, duke ngritur jo pak herë problemin e modelimit qoftë për koalicionet, ashtu edhe për qëndrimet në Kuvend.
Por, për publikun, pse ka rëndësi zgjidhja që duhet të kenë këto dy tablo – thjesht për modelin se si ai ka ndër mend të ndërtojë marrëdhënie me forumet, me këshilluesit, pasi mund të jetë modeli i funksionimit pas ardhjes në pushtet. Duke i përdorur si skenografi politike qoftë të urtët, ashtu edhe vendimet e ndryshme, si ai i qarkullimit, Rama përforcon modelin e atij që thotë ndryshe e vepron ndryshe, gjë që mund të jetë në dëm të të gjithë shqiptarëve. Sepse një njeri që nuk dëgjon as ata që fton, ose ata që janë zgjedhur nën firmën e tij, nuk ka asnjë premisë se mund të jetë dëgjues i zërave të qytetarëve kur të jetë në pushtet.
© Panorama.al












