
TIRANE- Partia Socialiste, duke shprehur sot shqetesim te madh per situaten e rendit dhe numrin e madh te krimeve, vrasjeve dhe aksidenteve ne vend, ka bere pergjegjese qeverine per keqqeverisjen.
Ne nje deklarate per shtyp, deputeti i PS-se, Sajmir Tahiri ka thene se Berisha dhe qeverisja e tij e keqe janë arsyet e gjendjes ne te cilen ndodhet vendi sot.
“Berisha flet për imunitetin jo vrasjet, flet për monumentet e zogut jo për të gjallët që po vriten dita ditës. Flet për gjithçka Berisha, po jo për krimin, vrasjet, plagosjet, trafikun e drogës”- tha Tahiri.
Sipas tij, gjatë këtyre 3 muajve kanë humbur jetën 158 qytetarë, nderkohe qe qeveria nuk merr asnje mase.
Deklarata
Gjatë 3 muajve, Qershor, Korrik dhe Gusht, gjatë 90 ditëve, kanë humbur jetën 158 qytetarë. Nga vrasjet dhe aksidentet.
Gjatë po këtyre 3 muajve, në 90 ditë, janë plagosur e gjymtuar përjetësisht 222 qytetarë.
Pa folur këtu për vjedhjen e pasurisë apo për trafikun e drogës, që në këto muaj ka arritur rekorde historike.
Katalogu më i zi i zi i këtyre muajve është pikërisht ky. Në Shqipëri kanë humbur jetën në vrasje e aksidente si dhe janë plagosur e gjymtuar, më shumë shtetas se në çdo vend të rajonit. Krahasuar dhe me ato vende që kanë 2, 3, 5 apo 10 fishin e më shumë të popullsisë krahasuar me Shqipërinë.
Larje hesapesh për një llaf goje apo për pazare mafioze, konflikt pronash, aksidente rrugore e shumë të tjera janë motivet në dukje.
Vrasje të paralajmëruara, madje të denoncuara nga qytetarët. Kriminelë që duhet të ishin në burg, gjenden jashtë burgut për të vrarë e vjedhur përsëri. Masakër e paralajmëruar me çmimin e rëndë të 158 qytetarëve që kanë humbur jetën dhe 222 të tjerëve që janë plagosur e gjymtuar.
Policia është kthyer në agjensi mortore. Oficerët dhe policët e thjeshtë janë të marrë peng nga militantë partiak e shërbëtorë të partisë në pushtet. Makinat e policisë nuk kanë as karburant, jo më infrastrukturë të specializuar për të luftuar kriminalitetin.
Por arsyeja e vërtetë e kësaj masakre, është keqqeverisja e Sali Berishës.
Varfëria po vret me plumba. Konflikti për pronën po merr jetë njerezish. Papunësia ka hapur rrugët e krimit, drogës dhe vjedhjes. Keq qeverisa e Sali Berishës po e lë vendin tokë të djegur, me kriminelë që lajnë hesapet se mungon shteti, dhe të tjerë që vjedhin sepse mungojnë institucionet.
Sali Berisha flet për imunitetin, jo për vrasjet. Flet për monumentin e Zogut, jo për të gjallët që po vriten e gjymtohen dita ditës. Shan opozitën gjithë ditën Sali Berisha, por nuk flet për jetën dhe pronën e qytetarëve, që sot kriminelët dhe banditët e rrezikojnë gjithmonë e më shumë.
Sali Berisha flet për gjithçka, por jo për krimin, jo për vrasjet, plagosjet, aksidentet dhe vjedhjet.
Ky e ka gojën Kryeministri? Dhe sa Shqiptarë duhet të vriten nga plumbat që të flasë Kryeministri? Sa duhet të vriten rrugëve në aksidente tragjike që Sali Berisha të hapë gojën. Sa varëse, canta, dyqane, toka e pasuri çfarëdolloj duhet të vidhet që Sali Berisha të hapi gojën?
Kush qeveris për ata që panë vdekjen me sy e për të gjallët që sot kërcënohen në jetën dhe pasurinë e tyre?
Ka vetëm një përgjigje: Çmimi i pushtetit dhe i karriges së Kryeministrit, është për Sali Berishën shumë më i vlefshëm se çmimi jetës që po paguajnë qytetarët dita ditës. Shqipëria nuk qeveriset nga qeveria, por nga krimi i rrugës dhe mafiozët e lidhur me pushtetin.
Kjo situatë merr fund vetëm atëhere kur të marrë fund kjo qeveri dhe kryeministri Sali Berisha. Vetëm atëherë kur institucionet të bëjnë punën e tyre, jo punën e Saliut. Kur drejtësia të jetë e pavarur, jo në sqetullën e Saliut bashkë me President Bujarin.
Zgjidhja fillon që në datë 6 shtator. PS ka propozuar një paketë për ndryshime kushtetuese që shënon njëkohësisht, hapat e parë për rikthimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e tij.
Ne na duhet një prokuror i pavarur që të luftojë me krimin, jo një prokuror i nënshtruar nga Sali Berisha. Ne na duhen gjykata të pavarura që të japin drejtësi, jo duke nxjerrë kriminelët në rrugë, por duke i lënë pas hekurave. Na duhen institucione që i shërbejnë qytetarëve, jo Sali Berishës.
Na duhet një qeveri dhe një kryeministër që të shpenzojë buxhetin e shtetit për karburantin e makinave të policisë dhe infrastrukturën e institucioneve të specializuara në zbatimin e ligjit, jo një qeveri dhe një kryeministër që buxhetin e shpenzon për luksin e vilave qeveritare të pushimit.
Ky është propozimi ynë. Këto janë ndryshimet kushtetuese që propozojmë. Për të garantuar drejtësi e gjykata, në mënyrë që këto të punojnë për të garantuar jetën e qytetarëve.
Berisha flet për imunitetin jo vrasjet, flet për monumentet e zogut jo për të gjallët që po vriten dita ditës. Flet për gjithçka Berisha, po jo për krimin, vrasjet, plagosjet, trafikun e drogës. Na duhet prokuror i pavarur jo shërbëtor i Berishës.
© Panorama.al











