PS shtyn protestat, Rama nis “dialogun me Shqipërinë”

Jun 21, 2011 | 10:18

Kryetari socialist, Edi Rama, do të nisë një tur takimesh që do të përfshijë bashkitë kryesore të vendit.Sipas një kalendari, Rama do t’i nisë takimet me qytete si Fieri, Lushnja e Berati, për të vazhduar më tej me qytetet e Jugut. Këto takime do të jenë në vazhdim të thirrjes që ai u bëri anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për të zhvilluar takime me strukturat dhe bazën socialiste për t’u transmetuar atyre fitoren e socialisteve në zgjedhjet e 8 majit në 2/3 e bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Mësohet se takimet do të zhvillohen me anëtarë të Asamblesë, deputetët të zonës, krerët e komunave dhe bashkive, por dhe këshilltarët e zgjedhur në këto njësi vendore. Gjithashtu, në takime do të jenë të pranishëm dhe drejtuesit socialistç të organizatave socialiste dhe asambleve lokale. Në qendër të takimeve do të jetë fitorja e kandidatëve socialistë në një numër të madh bashkish dhe komunash, por dhe beteja ligjore që po zhvillohet në KQZ e Kolegj për Bashkinë e Tiranës. Ishte vetë Rama që u propozoi anëtarëve të Asamblesë të nisin takimet me strukturat e partisë në bazë. “Lejomëni t’ju propozoj që këto dy javë të jenë për të gjithë ne koha e një komunikimi intensiv me anëtarësinë e partisë në të gjithë territorin e vendit, për të lexuar së bashku, me gjithë vëmendjen e duhur, fitoren e 8 majit, arritjet e bukura dhe problematikën e një procesi që jo vetëm na nxori fitues, po na ka nxjerrë edhe të sfiduar për të hedhur një hap të ri përpara drejt fitores së ardhshme”, u shpreh Rama në mbledhjen e së shtunës në Asamblenë Kombëtare. Një nga shqetësimet e ngritura në këtë mbledhje ishte dhe administrimi jo i mirë që Partia Socialiste po i bën këtij rezultati. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Ruçi, kërkoi nga anëtarët e saj që të sqarojnë me strukturat fitoren e PS në komuna dhe bashki. “Gjatë këtyre dy javëve të shkojnë të gjithë anëtarët e Asamblesë dhe deputetët dhe t’u tregojnë strukturave dhe mbështetësve tanë se ne kemi fituar në 2/3 e vendit dhe se dimë të qeverisim. Berisha është mjeshtër që ta kthejë humbjen në fitore, ndërsa ne nuk mundemi ta bëjmë fitoren pronën tonë, madje ndonjëherë e trajtojmë dhe si humbje”, u shpreh Ruçi në mbledhjen e Asamblesë.
Zgjedhjet
Por, turi i Ramës do të prekë dhe çështjet e zgjedhjeve të reja në Partinë socialiste, fushatë që do të hapet në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë socialiste, që pritet të mblidhet më 29 qershor. Gjatë gjithë verës, të gjitha strukturat socialiste do të zhvillojnë zgjedhjet e tyre, që nga kryetarët e organizatave e deri te delegatët e kongresit. Delegatët e kongresit do të zgjidhen përmes parimit “Një anëtar, një votë”, ndërsa krerët e asambleve të komunave dhe bashkive do të zgjidhen nga vota e anëtarëve të Asamblesë, të cilët janë kryetarë organizatash. Në muajin tetor socialistët do të mbledhin kongresin zgjedhor, ku do të zgjidhet Asambleja e re Kombëtare, e cila do të zgjedhë më pas Kryesinë dhe sekretarët.

Tahiri

Partia Socialiste e akuzoi dje KQZ-në se po mundohet që përmes manipulimit të nxjerrë fitues kandidatin e maxhorancës, Lulzim Basha. Deputeti Saimir Tahiri akuzoi direkt kryeministrin Berisha dhe kreun e KQZ-së Ristani. “Arroganca e Ristanit nuk është ndryshe nga arroganca e Saliut për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për ta bërë me dhunë Lulzim Bashën fitues me vota të vjedhura. Ky proces është ilegjitim, manipulativ e spekulativ. Si i tillë, nuk mundet dot kurrsesi të legalizojë vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit. Ne thjesht nuk do ta lejojmë”, u shpreh Tahiri. Ai solli dje nga selia rozë fakte rreth këtij manipulimi, siç e quajti ai.

Tabaku

Partia Demokratike reagoi dje pas deklaratave të deputetit Tahiri përmes këshilltares demokrate në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku. Ajo e akuzoi kreun socialist se po kërcënon KQZ-në për punën që po bën. “Të shtunën, Edi Rama kërcënoi se do të bojkotojë Parlamentin nëse KQZ vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor, pas ankesës që bëri vetë z. Rama. Të dielën tha që KQZ po vepron nën urdhrat e Berishës, ndërkohë që të gjithë e dinë se KQZ po vepron sipas urdhrit që dha Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste”, u shpreh Tabaku. Selia blu bëri thirrje që palët t’u përgjigjen deklaratave të ndërkombëtarëve për maturi dhe sipas selisë blu, kreu i PS nuk po e bën një gjë të tillë.

 

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura