Gara për Tiranën, PS rikthen kërkesën për rivotim

Jul 8, 2011 | 9:26
Selia e PS

Kolegji Zgjedhor do të vendosë përfundimisht sot se cili do të jetë fati i zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.Pas rreth katër orësh seancë gjyqësore me argumente e kundërargumente nga PD-ja dhe PS-ja, trupa e gjyqtarëve, e kryesuar nga relatorja Sashenka Jonuzaj, bëri të ditur se vendimi do të jepet sot paradite në orën 10:00. Që nga zgjedhjet e vitit 2003, kur në Kodin Zgjedhor është vendosur ngritja e Kolegjit Zgjedhor, kjo është hera e parë që një vendim merret një ditë pasi është shqyrtuar seanca gjyqësore, ndërkohë që në të gjitha rastet e tjera vendimi është dhënë brenda ditës.
Pavlefshmëria
Gati 24 orë pasi socialistët kishin tërhequr nga Kolegji kërkesën e tyre për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, çuditërisht avokatët e saj e artikuluan sërish dje në seancën gjyqësore. Në të paktën dy raste, përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, tha se Kolegji ka mundësinë të japë zgjidhjen përfundimtare për Tiranën, e cila, sipas tij, nënkuptonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe rivotimin. “Përderisa rezulton se KQZ-ja nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të ushtruar kompetencën e vet, me qëllim marrjen në shqyrtim dhe gjykimin në thelb të së drejtës ankimore të PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, e drejtë e cila është ushtruar nga subjekti legjitimues (PS), tek një organ kompetent (KQZ) dhe brenda afatit ligjor (tri ditë), i drejtohemi këtij Kolegji Zgjedhor të zgjidhë përfundimisht mosmarrëveshjen e krijuar, duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Tiranë”, u shpreh deputeti i PS-së. Gjatë seancës socialistët dhanë disa shembuj për qendra të ndryshme votimi në të cilat nuk rakordonin votat me numrin e zgjedhësve që kishin marrë pjesë në procesin elektoral të 8 majit. Sipas tyre, KQZ-ja u mohoi të drejtën për t’u ankuar për rezultatin e Tiranës. Avokati Eridian Salianji tha se janë 284 qendra votimi në të cilat nuk përputhet numri i votave, edhe pasi KQZ-ja hapi 1793 kuti votimi.
Argumentet e PD
Nga ana e tyre, demokratët i kërkuan Kolegjit të hedhë poshtë kërkesën e socialistëve për ta detyruar KQZ-në të shqyrtonte ankimin e tyre. Rikthimi i kërkesës për pavlefshmëri, për demokratët nënkupton se PS-ja nuk kishte besim te trupa e gjyqtarëve e ditës së mërkurë dhe ka më shumë besim te trupa e ditës së djeshme. “Paditësi po kërkon që të shfuqizojë Kodin Zgjedhor dhe rekomandimin e OSBE/ODIHR-it, duke keqpërdorur të drejtën e tij të ankimit dhe pushtetin e Kolegjit Zgjedhor. Po pretendohen nga pala tjetër gjëra groteske. Kanë ardhur këtu për ta detyruar KQZ-në të marrë vendim dhe tani dalin me një kërkesë të re. Nuk ka procedurë që e mban këtë. Padinë për pavlefshmëri pala tjetër e pati dje. U demonstrua qartë se PS-ja ka më shumë besim te ky kolegj dhe më pak te kolegët tuaj të djeshëm. Pretendimi që u ngrit sot është jashtë afatit dhe, si i tillë, duhet të rrëzohet”, u shpreh përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso. Sipas PD-së, pavlefshmëria e zgjedhjeve nuk mund të kërkohet dy muaj pas zhvillimit të tyre. Afati për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve për demokratët ishte data 26 maj, kur KQZ-ja kishte miratuar tabelën përfundimtare për Tiranën. Ndërsa tabela e 28 qershorit ishte produkt i urdhërimit të Kolegjit. Mosbesimin në një trupë gjyqësore dhe besimin në një trupë tjetër, PD-ja e ka quajtur një “forum shopping”. “Paditësi po kërkon t’ju fusë me zor në ‘forum shopping’, që është fenomeni juridik të cilin OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias e konsiderojnë si armikun numër 1 të procesit të rregullt ligjor”, tha Ivi Kaso.
Kolegji
Me gjithë insistimin fillestar të relatores së çështjes Sashenka Jonuzaj se pavlefshmëria ishte kërkuar dy ditë më parë, trupa e gjyqtarëve u dha kohën e mjaftueshme socialistëve të argumentonin mosrakordimin e shifrave më shumë sesa shkeljen e KQZ-së për të mos marrë në konsideratë kërkesën e tyre. Gjatë paraqitjes së provave PS-ja kërkoi që të administroheshin dhe tabelat që vërtetojnë mosrakordimin e votave. Për këto prova u shprehën kundër KQZ-ja e PD-ja dhe pas një mbledhjeje të shkurtër, trupa e gjyqtarëve vendosi t’i administrojë ato. Sot Kolegji do të jetë përpara tri alternativave: të pranojë plotësisht kërkesën e PS-së dhe të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë; të pranojë pjesërisht kërkesën e PS-së dhe ta kthejë sërish çështjen në KQZ; të rrëzojë kërkesën e PS-së dhe ta shpallë Lulzim Bashën fitues me 93 vota më shumë.

Replikat dhe batutat në Kolegj

Përfaqësuesit e PS-së nisin të prezantojnë shkeljet për çdo qendër votimi. Në një mbajtëse druri përpara trupës gjykuese ishin vendosur fletë të mëdha ku tregoheshin lëvizjet e votave pas hapjes së kutive.
Eridian Salianji (përfaqësues i PS): Shkelje e ligjit ka ndodhur në 284 qendra që çojnë në pavlefshmëri. Ne po e ilustrojmë para jush.
Ivi Kaso: Për ta orientuar drejt gjykimin, duke parë që këmbaleci ishte aty që dje. Duhet të dërgojmë edhe ne një njeri të marrë, se kemi edhe ne këmbalecin tonë, por e kishim për dje dhe nuk e lamë këtu, e kemi në shtëpi.
Sashenka Jonuzaj: Nuk pranohet kjo ndërhyrje.
***
Eridian Salianji: Në një qendër votimi kishte 366 zgjedhës dhe 366 fletë votimi. Pas vendimit të Kolegjit u hap kutia e kryetarit dhe nuk doli asnjë fletë e hedhur gabim. Janë hapur tri kutitë e tjera, nuk pati gabim njerëzor.
Sashenka Jonuzaj: Është e thënë që të ketë, apo si?
Eridian Salianji: Ta mbaroj njëherë.
Arjan Salati (përfaqësues i PS): I lutem gjykatës të dëgjojë me shumë vëmendje dhe të jetë e paanshme dhe të mos bëjë pyetje provokative.
Sashenka Jonuzaj: Të lutem shumë.
Arjan Salati: Gjykata duhet të jetë e paanshme dhe të mos provokojë. Me ndërhyrjet që po bëni po shkelet paanësia në gjykim.
Sashenka Jonuzaj: Ne po ju dëgjojmë. Ju lutem.
Arjan Salati: Nuk po dëgjoni, por po ironizoni qëndrimet tona. Është mungesa më minimale e etikës.
Sashenka Jonuzaj: Ju lutem, ne po ju dëgjojmë, zoti avokat.
Arjan Salati: Ju po krijoni dhe ilaritet me ato që po thoni.
Sashenka Jonuzaj: Ne kemi të drejtë të ndërhyjmë.

Shpresa e fundit, pensionistët

Pak orë pas vendimit që do të japë sot Kolegji Zgjedhor për kërkesën e PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, në varësi të qëndrimit të pesë gjyqtarëve, shpresa e fundit do të jetë në padinë e Partisë së Pensionistëve. Në orën 13:30 është përcaktuar të shqyrtohet padia me objekt “shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe pezullimin e shqyrtimit të këtij ankimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e paraqitur”. Për këtë çështje, relatore do të jetë Meriban Mullaj, ndërkohë që në përbërje të trupit gjykues janë: Dhurata Haveri, Entela Prifti, Marie Qirjazi dhe Astrit Kalaja. Gjatë ditës së sotme do të shqyrtohet edhe kërkesa e PD-së për ndarjen e mandateve në 10 minibashkitë e Tiranës.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura