PS: Qeveria dështoi me masat parandaluese

Aug 28, 2012 | 11:50
Eduard Shalsi

Partia Socialiste ka fajësuar dje qeverinë se ka shpenzuar paratë në arredimin e vilave qeveritare dhe nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar zjarret në vend. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Eduard Shalsi, deklaroi dje se Kryeministri Berisha në vend që të merret me akuza ndaj opozitës, duhet të zgjidhë më parë problemin e zjarreve. “Jemi përpara jush për t’i rënë kambanave të alarmit dhe për të folur për situatën alarmante të zjarreve në Shqipëri. Jemi thellësisht të shqetësuar se nga njëra anë kemi një Shqipëri që digjet dhe, nga ana tjetër, një Kryeministër që sorollatet me shirit në dorë për të inauguruar rrugë, pa e ngritur kokën pak më lart se rruga për të parë se si po digjen pyjet, dhe më keq akoma, pa e dëgjuar të thotë qoftë edhe një fjalë. Në një kohë kur në Shqipëri mungojnë plotësisht mjetet për të luftuar me zjarret, qeveria ristrukturon vila, mobilon rezidenca qeveritare, blen makina luksoze etj. etj. Një matematikë e thjeshtë: 700 milionë për një ‘Mercedez’ të Sali Berishës, 500 milionë për mobilimin e një vile për Sali Berishën. 500 milionë të tjera për shtëpinë e Presidentit. 100 milionë për zyrën e ministrit të Financave. Ndërkohë që asnjë kacidhe për menaxhimin e situatave të tilla. Pasuritë e shqiptarëve janë të rrezikuara prej zjarreve, shtëpitë dhe pronat e tyre janë në mëshirë të fatit, ndërkohë që Kryeministri vazhdon të merret me opozitën. Dy fjalë për Sali Berishën sot: Lëri llogjet për opozitën dhe merru me zjarret, paçka se e dimë se ç’je në gjendje të bësh”, deklaroi deputeti Eduard Shalsi. Sipas socialistëve, “çdo vit qeveria shqiptare kapet “gafil” si pasojë e mosmarrjes së asnjë mase paraprake parandaluese. Do të mjaftonte një shikim i shpejtë i vatrave dhe i menaxhimit të tyre për të kuptuar nivelin mjeran në të cilën gjenden parashikueshmëria, parandalueshmëria dhe aftësia menaxhuese e situatës së zjarreve nga ana e qeverisë shqiptare”.

© Panorama.al

Te lidhura