
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka edhe tri ditë kohë për të përgatitur një draft përfundimtar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Megjithëse Parlamenti e shtyu me 21 ditë punën e Komisionit, në rastin më të mirë ai do të hartojë amendamentet në limitet kohore të këtij afati dhe, në rastin më të keq, edhe kjo shtyrje do të rezultojë e paefektshme. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar vetëm dy mbledhje, ku kjo e fundit ishte më produktivja, por që s’kishte të bënte me dy çështjet më të rëndësishme, KQZ-në dhe hapjen e kutive.
Propozimet e reja
Burime konfidenciale bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se në orët e fundit përfaqësuesit e Partisë Socialiste i kanë dërguar atyre të Partisë Demokratike disa propozime të reja për formulën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe si do të hapen kutitë e votimit në rast kontestimesh nga palët në zgjedhjet e ardhshme. Burime nga PS nuk bënë të ditur dje forumulën e re të KQZ, por mësohet se ka një tërheqje përsa i përket institucioneve që duhet të propozojnë kryetarin e KQZ-së. Kjo tërheqje e opozitës vjen pak ditë pasi ajo depozitoi në Komisionin e Reformës Zgjedhore disa amendamente të Kodit për mënyrën se si mund të zgjidhet vetëm kryetari i KQZ-së. Sipas PS-së, gjashtë anëtarët mund të zgjidhen me formulën aktuale, ndërsa për kryetarin hidhet ideja e marrjes së disa propozimeve nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, kryetari i Gjykatës së Lartë, KLD dhe të paktën 4 organizata të shoqërisë civile që kanë përvojë më shumë se 5 vjet në fushën e zgjedhjeve. Emrat që do të vijnë nga këto institucione, së bashku me ato të shoqërisë civile, do t’i nënshtrohen një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve dhe, më pas, ky Komision do të zgjedhë dy kandidatë, të cilët do t’i shkojnë seancës parlamentare në votim. Kuvendi duhet të zgjedhë me shumicën e deputetëve njërin prej kandidatëve. Ndërsa për anëtarët aktualë të KQZ-së, që mund t’i ndërpritet mandati, PS parashikon se “anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati për shkak të nenit 182, përfiton pagën e funksionit deri më 31 dhjetor 2012. Anëtari i KQZ-së të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm ose emërohet në një funksion ekuivalent me të”.
Rama
“Partia Socialiste e ka të pamundur të tërhiqet në emër të çfarëdo kompromisi, kur është fjala për të riformatuar KQZ-në dhe për të krijuar kushtet që ky institucion të jetë në shërbim të publikut dhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme duke i garantuar të gjitha palët dhe jo një thertore e zgjedhjeve, që Kryeministri kërkon ta mbajë hapur me çdo çmim. Transparenca e materialeve zgjedhore është një tjetër element për të cilin ne besojmë se nuk përfaqësojmë interes pale apo një vullnet partiak kur e kërkojmë”, u shpreh Rama.
Berisha
“Tani përballemi me një fenomen të veçantë, fenomeni unik që të krijon përshtypjen ndonjëherë se në këtë proces nuk kërkohet ligji, por kërkohen kokat në tepsi, d.m.th., në çdo rast kryetari i PS sulmon dhe demonizon në mënyrën më të papranueshme kryetarin e KQZ-së dhe, në qoftë se ju do të krahasoni sulmet që i ka bërë ai Arben Ristanit me sulmet që i bën ai Lulzim Bashës, ju garantoj se sulmet që i bën Arben Ristanit janë disa herë më të mëdha. Nuk është Arben Ristani që i bind qytetarët e Tiranës, është Lulzim Basha”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











